Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka publikuar pamje nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, ku duken dy autobotë uji që do të përdoren nga Policia për shpërndarjen e protestuesve.
Në një reagim në rrjetet sociale, Këlliçi akuzon kryeministrin Edi Rama se po shton masat represive ndaj studentëve dhe të rinjve që protestojnë kundër korrupsionit dhe padrejtësive.
Demokrati thotë se qeveria po merr masa për të ndalur protestën, në vend që të frenojë dhunën, ndërsa i cilëson zhvillimet si një përpjekje për instalimin e një “junte”.
Reagimi i Këlliçit
Edi Rama shton masat represive dhe mjetet ushtarake për të sulmuar studentët dhe të rinjtë që janë ngritur kundër korrupsionit dhe padrejtësive.
Në këtë video të regjistruar para 15 minutash në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza, dallohen 2 makina uji që kanë mbërritur në shërbim të çmendurisë së Kryeministrit më të korruptuar në Europë, për të mbajtur me çdo kusht karrigen.
Është e qartë se Edi Rama ka kaluar në një plan të ri kriminal. Ai nuk po merr masa për të ndalur dhunën, po për të ndalur protestën.
Kjo u pa sot kur të rinjtë dhe studentët sulmohen edhe kur qëndrojnë të ulur në park apo përndiqen edhe në lagjet dhe rrugicat e tyre.
Ky është instalim junte. Por askush nuk tërhiqet. Shumica e shqiptarëve kërkon largimin e tij.




