Protestat e studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë vijojnë prej shtatë ditësh, ndërsa kërkesave të tyre po u bashkohen edhe qytetarë dhe figura të njohura nga fusha të ndryshme.
Mes personazheve që kanë reaguar në mbështetje të të rinjve është edhe ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ai ka theksuar rëndësinë e dëgjimit të kërkesave të studentëve dhe të angazhimit të institucioneve për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Cana vlerëson se, kur të rinjtë dalin në protestë për të drejtat e tyre, vëmendja e shoqërisë dhe e institucioneve duhet të përqendrohet tek ata deri në arritjen e një marrëveshjeje.
Kur studentët ngrihen në protestë dhe kërkojnë të drejtat e tyre, vëmendja dhe prioritetet e shoqërisë dhe të institucioneve duhet të përqendrohen plotësisht tek ata, deri në gjetjen e një zgjidhjeje apo marrëveshjeje të qëndrueshme”, shkruan ish-kapiteni kuqezi.
Më tej, Cana nënvizon se mbështetja ndaj studentëve dhe përmirësimi i kushteve të tyre janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit.
“Studentët përfaqësojnë të ardhmen e vendit dhe investimi tek kushtet e tyre është investim i drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen e shoqërisë”, përfundon mesazhi i tij.





