Hetim – Dorëheqja nuk mjafton’, Qarri: Rama nuk duhet të numërojë më as paret, as pronat dhe as votat e shqiptarëve
Gazetari Flavio Qarri ka ngritur peshë turmën e protestuesve me akuza të rënda ndaj qeverisë. Duke theksuar se flet si një familjar me 35 të afërm në emigrim, ai preku plagën më të thellë të shoqërisë shqiptare: shpopullimin e vendit. Përmes një historie rrëqethëse personale, ku tregonte se si një shoqe e çerdhes së vajzës kishte emigruar, ai solli në vëmendje pyetjen e pafajshme të fëmijës: “Çfarë do të thotë jashtë shteti?”. Përgjigjja për turmën ishte e prerë: shumë shpejt shqiptarët do të presin biletën e kthimit, ndërsa kryeministri një biletë vetëm vajtje, por jo me avion personal.
Në një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit, folësi e kaloi vëmendjen nga numri i protestuesve te shifrat e korrupsionit. Sipas tij, problemi i vërtetë nuk është numri i njerëzve në shesh, por 2 miliardë eurot që vidhen çdo vit. “Dorëheqja nuk mjafton,” u shpreh ai para mijëra qytetarëve, duke kërkuar një qeveri tranzitore dhe hetim të thellë për kreun e qeverisë
Flavio Qarri: Jeni jo vetëm më të bukurit, por edhe më të fortit. Tani për gjatësinë time duhet të ngrihem pak më shumë. Unë s’kam ardhur këtu si gazetar, kam ardhur si babai i dy vajzave dhe familjar i 35 emigrantëve. Po jetojmë një kohë ku asnjëri nga ne nuk mund të rrijë i heshtur, se nuk mund të heshtësh kur shkolla nuk na mëson më asnjë gjë, kur spitali nuk na shëron, edhe kur policia nuk na mbron.
Kushdo që ka vjedhur duhet të shkojë në burg. Të gjithë, nga i pari te i fundit! Nuk mund të heshtim, se asnjëri nga ne nuk blen dot më shtëpi, ngaqë pallatet nuk ndërtohen me çimento, po me pluhurin e bardhë të trafiqeve.
Javën e kaluar, dhe këtë e kam personale, një shoqe e çerdhes së vajzës time emigroi me prindërit. Dhe më tha vajza: “O ba, çfarë do me thënë jashtë shtetit?”. Si t’ia shpjegoj çfarë do të thotë jashtë shteti, kur të takojë prapë shoqen e vet? Dhe sot, duke ju parë të gjithëve, e kam një përgjigje për fëmijën tim. Shumë shpejt do e takojë shoqen e vet. Shumë shpejt do i përqafojmë vëllezërit tanë! Shumë shpejt shqiptarët do e presin biletën e kthimit dhe ky do presë një biletë vetëm vajtje, po jo me avionin personal!
Kam një gjë shumë të rëndësishme që dua ta diskutoj me ju. Ky e ka me fiksim të na numërojë sa jemi në shesh. Të gjithë në burg! Por ka një çështje: kushdo që ka vjedhur, kushdo që ka tradhtuar, kushdo që na ka shitur, do shkojë në burg. Por mbi të gjitha, dua t’i jap një shifër Edi Ramës, meqë thotë që jemi 2 mijë veta, edhe pse nuk ngjajmë si 2 mijë. Po për 2 miliardë euro që vjedh çdo vit, si do ia bëjmë?
Për këtë arsye, Edi Rama nuk duhet të numërojë më as paret, as pronat dhe as votat e shqiptarëve! Prandaj, dëgjoni këtë, ju lutem dëgjoni këtë: Dorëheqja nuk mjafton! Na duhet qeveri e sheshit për zgjedhje dhe na duhet që ai të hetohet!
Edhe një gjë të fundit kam. Çfarë ironie është kur e ke emrin Edi dhe nuk e di që ke mbaruar.




