3 zgjidhjet…’/ Meta: Shqipëria duhet të çlirohet nga kapja e shtetit dhe kthetrat e ‘Rilindjes’
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka publikuar një reagim në Facebook, ku rendit ato që i cilëson si zgjidhjet e vetme për të rikthyer demokracinë dhe sovranitetin e qytetarëve në Shqipëri.
Meta kërkon rikthimin e Kushtetutës së para ndryshimeve të vitit 2008, hapjen 100% të listave zgjedhore dhe rikthimin e balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive.
Në reagimin e tij, Meta godet sistemin e përfaqësimit politik, duke kërkuar fundin e deputetëve të përcaktuar nga kryetarët e partive dhe më shumë hapësirë për kandidatë të pavarur.
Sipas tij, vetëm përmes këtyre ndryshimeve Shqipëria mund të çlirohet nga kapja e shtetit, qytetarët të rimarrin sovranitetin dhe vendi të ecë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Postimi i plotë:
VETËM KËTO JANË ZGJIDHJET!
Rikthimi i Kushtetutës së para ndryshimeve të vitit 2008, për të rivendosur ndarjen e pushteteve, sistemin e kontrollit dhe balancës ndërmjet tyre, si garanci për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.
Hapja 100% e listave për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë, në mënyrë që mandatin ta marrin drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga kryetarët e partive.
Rikthimi i balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive, në mënyrë që fituesi të ketë mbështetjen e shumicës së qytetarëve.
Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit dhe garantohet e drejta që krahas kandidatëve të partive politike edhe qytetarë me kontribute, integritet dhe mbështetje publike të mund të garojnë e të zgjidhen si kandidatë të pavarur.
Mjaft më me deputetë të kryetarëve dhe partitokracisë!
Shqiptarët meritojnë të zgjedhin të lirë dhe që zëri i tyre të dëgjohet fort!
Vetëm kështu Shqipëria çlirohet nga kapja e shtetit dhe socialistët e ndershëm shpëtojnë nga kthetrat e “Rilindjes”.
Vetëm kështu Shqipëria mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit shqiptar.




