Gjykata Kushtetuese asgjësohet përfundimisht!
Nga Petrit Vasili
Në shërbim të pazareve të çdo lloji, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin më poshtërues dhe vetëasgjësues për veten e saj si gjykatë, duke shtyrë mandatin e ONM-së (Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit), i cili ka pushuar së ekzistuari.
Me miratimin e aneksit të rregullores për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese ‘Për procedurat gjyqësore gjatë shqyrtimit të çështjeve të juridiksionit të rivlerësimit’, Gjykata Kushtetuese është vetëasgjësuar përfundimisht, duke u kthyer në një institucion që shkel dhunshëm Kushtetutën, në vend që ta mbrojë atë.
Në Raportin e Komisionit Europian thuhet shprehimisht:
‘…Shqipëria vazhdoi zbatimin e reformës në drejtësi të vitit 2016. Procesi i rivlerësimit kalimtar për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët përfundoi plotësisht pas përmbylljes së fazës së ankimit, duke forcuar më tej pavarësinë, llogaridhënien dhe integritetin në sektorin e drejtësisë’.
Pra, Komisioni Europian e konsideron të përmbyllur procesin e Vettingut. Po anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, a e dinë vallë këtë?
Vendimi skandaloz është marrë nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese me 7 vota pro dhe vetëm me votën kundër të gjyqtares Sonila Bejtja, në një akt me kurajë puçiste dhe antikushtetuese, duke i zgjatur mandatin ONM-së (Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit).
Ja çfarë parashikon Aneksi i Rregullores i miratuar nga Gjykata Kushtetuese:
Neni 5
Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe roli i tyre
1. Në shqyrtimin e çështjeve të juridiksionit të rivlerësimit, Gjykata Kushtetuese garanton ushtrimin e funksioneve të vëzhguesve ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), të cilët mbështesin procesin e rivlerësimit nëpërmjet monitorimit dhe mbikëqyrjes, në përputhje me nenin B të Aneksit të Kushtetutës dhe me natyrën e gjykimit që zhvillon Gjykata Kushtetuese.
Pika c) Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë të drejtë të jenë të pranishëm gjatë të gjitha fazave të shqyrtimit të çështjes, përfshirë dhomën e këshillimit dhe marrjen e vendimit. Në çdo rast, prania e vëzhguesve ka karakter monitorues dhe nuk përfshin të drejtën e votës ose pjesëmarrjen në vendimmarrje.
PËRFUNDIME:
Procesi i rivlerësimit (Vettingut) ka përfunduar. Të gjitha institucionet e Vettingut janë shkrirë dhe nuk ekzistojnë më, pasi kanë përfunduar detyrën e përcaktuar nga Kushtetuta dhe ligji. Bashkë me to, ka përfunduar edhe funksioni i ONM-së, e cila ishte parashikuar në Aneksin e Kushtetutës si një strukturë e përkohshme, e lidhur me vitet e zhvillimit të procesit të Vettingut.
Gjykata Kushtetuese aktuale është asgjësuar dy herë, edhe për një arsye tjetër, e cila duhej të kishte qenë parimore në refuzimin e prerë të ONM-së.
Në vitin 2017, në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë, kam ngritur zyrtarisht pranë institucioneve më të larta të vendit dhe atyre të BE-së çështjen e paligjshmërisë në ngritjen dhe funksionimin e ONM-së.
Kjo, sepse në vend të miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë të një marrëveshjeje ndërkombëtare për ngritjen dhe funksionimin e ONM-së, u hartua një dokument antikushtetues dhe antiligjor, i firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, dhe Drejtori i Përgjithshëm në BE, Christian Danielsson.
🟥 Ndërkohë, pika B e Aneksit të Kushtetutës shprehet qartë:
ANEKSI
Neni B
‘Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit’
2. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ushtron detyrat e veta sipas marrëveshjeve ndërkombëtare.
Pra, jo vetëm që Vettingu dhe, bashkë me të, edhe ONM-ja e kanë përfunduar funksionin e tyre, sikurse e ka konfirmuar vetë BE-ja, por edhe në kohën kur u ngrit, ONM-ja ka funksionuar në shkelje të Kushtetutës, pasi nuk ka pasur një marrëveshje ndërkombëtare.
Letërkëmbimin e plotë mund ta gjeni më poshtë, në dokumentin që unë, në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë, u kam drejtuar në atë kohë të gjitha institucioneve shqiptare dhe atyre të BE-së




