Sa kushton Integrimi? Asgjë!

Sa kushton Integrimi? Asgjë!

Nga Lutfi DERVISHI
Sa kushton Integrimi? Asgjë!

“Asgjë-ja” që po na kushton integrimin.

Raporti i Komisionit Europian për vitin 2026 sjell një lajm të mirë: shumë nga pengesat që na ndajnë nga BE-ja mund të hiqen pa shpenzuar asnjë euro, asnjë kokërr leku.

Le të bëjmë pak llogaritë:

1. A na kushton të korrigjojmë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe të ndalim shkatërrimin e tyre? Asgjë!

2. A na kushton të heqim dorë nga zgjatja e privilegjeve të ligjit për investimet strategjike? Asgjë!

3. A na kushton t’i garantojmë opozitës të drejtën kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore? Asgjë!

4. A na kushton të mos bllokojmë kërkesat e ligjshme të SPAK për hetimin e zyrtarëve të lartë? Asgjë!

5. A na kushton t’u japim fund sulmeve publike ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve? Asgjë!

6. A na kushton që policia të mos përdorë dhunë të pajustifikuar ndaj protestuesve? Asgjë!

7. A na kushton zgjedhja e drejtuesve të institucioneve të pavarura mbi bazën e meritës dhe jo si shpërblim politik? Asgjë!

8. A na kushton plotësimi i kushteve që fondet e BE-së për bujqësinë (IPARD) të mos mbeten të bllokuara? Asgjë!

9. A na kushton të zbatojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese? Asgjë!

10. A na kushton realizimi i një reforme zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias? Asgjë!

11. A na kushton të ulemi në një dialog të vërtetë me qytetarët dhe të mos e trajtojmë Kuvendin si zyrë noteriale të qeverisë? Asgjë!

12. A na kushton të mos e ngatërrojmë integrimin real europian me propagandën për të? Asgjë!

Sigurisht, reformat reale kërkojnë fonde, ekspertë dhe institucione funksionale. Mirëpo, pjesa më e madhe e pengesave që evidenton Komisioni Europian nuk janë çështje parash, por janë thjesht çështje vullneti politik.

Për buxhetin e shtetit, kërkesat e mësipërme nuk kushtojnë asgjë, për pushtetin, me sa duket, kushtojnë shumë.

Vendi ka një shans historik, ndoshta të papërsëritshëm, për të mbyllur kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2027.

Kush po e rrezikon këtë shans?

Protestuesit që kërkojnë ndryshim, apo qeveria që refuzon ta bëjë atë?

Asgjë nuk na kushton të bëjmë atë që duhet, por nuk po bëjmë asgjë për gjërat më thelbësore.

Kështu, jo PROTESTA, por kjo “Asgjë-ja” po kthehet në pengesën tonë më të madhe dhe më të shtrenjtë drejt Europës.

Share it :