Evropianët indiferentë duhet të shohin përtej pamjeve të protestës së djeshme, përpara se kriza të bëhet dramë
Ndriçim Kulla/
Sot në historinë e vendit tim e vërteta, pasi ka trokitur gjatë në dyert e mbyllura të regjimit, ka vendosur të dalë në rrugë. Dhe kur del në rrugë, nuk kërkon më leje për t’u dëgjuar. Ajo ka marrë zërin e studentëve, fytyrat e qytetarëve, britmat e protestuesve dhe, tani, edhe tymin e gazit lotsjellës që ngrihet mbi sheshet e kryeqytetit. Kështu ndodh dje në Tiranë.
Ndërsa në Shtetet e Bashkuara këtë të shtunë po zhvillohej parada tradicionale e Ditës së Falënderimeve, një prej festave më të rëndësishme të jetës publike amerikane, Fox News u lidh drejtpërdrejt me protestën në kryeqytetin shqiptar. Ky episod, pavarësisht se sa zgjati transmetimi dhe çfarë hapësire i kushtoi rrjeti, ka një domethënie që nuk mund të shpërfillet: ajo që ndodh në Shqipëri po kapërcen kufijtë e vëmendjes sonë dhe të Evropës.
Por ajo që kamerat ndërkombëtare duhet të shohin nuk është thjesht një protestë. Është një pamje që ka marrë përmasa tronditëse. Tirana, në këtë ditë përplasjesh, u shndërrua në një luginë të madhe të mbuluar nga një mjegull e dendur gazi lotsjellës. Nëpër rrugët e saj, përballë qytetarëve që kërkojnë të dëgjohen, shihen ujëhedhësit, shkopinjtë e gomës, plumbat plastikë, arrestimet dhe çdo gjë e egër dhe diktatoriale. Tymi ngrihet, sytë digjen, frymëmarrja bëhet e vështirë, ndërsa përplasja midis protestuesve dhe forcave policore merr pamje që nuk mund të konsiderohen më thjesht episode të zakonshme të rendit publik.
Në mes të kaosit, një grua bjonde nga Vlora, me një çadër të dëmtuar në dorë, del përballë tre-katër policëve, pa u tërhequr dhe pa e llogaritur rrezikun që i kanoset. Me atë copë çadre, që duket pothuajse e pafuqishme përballë forcës së uniformave dhe reve të gazit, ajo përpiqet të mbrojë veten dhe protestuesit. Pak çaste më vonë, e shohim të tërhiqet zvarrë nga policët, ndërsa disa metra më tutje, gazetarët dhe operatorët e Syri TV goditen brutalisht dhe mbulohen nga ujëhedhësja dhe gazi, duke u përballur me një rrezik që në ato çaste nuk dihet deri ku mund të shkojë. Janë pamje që të tronditin jo vetëm për dhunën që përcjellin, por edhe për guximin e atyre që nuk pranojnë të largohen. Një çadër e thyer përballë një muri policësh, gaz lotsjellës përballë qytetarëve dhe kamera gazetarësh që nuk ndalen së dëshmuari. Dhe dhuna nuk vinte më vetëm nga toka. Edhe qielli mbi protestuesit ishte kthyer në një burim sulmi si dikur në Gaza: dronët hidhnin gaz lotsjellës mbi turmën, duke e shndërruar hapësirën e protestës në një skenë të frikshme, ku askush nuk mund të ndihej i sigurt. Ishte një pamje që e tejkalonte përfytyrimin e zakonshëm të përplasjeve policore: qytetarët të rrethuar nga tymi, të goditur nga uji dhe të kërcënuar edhe nga ajri. Kjo është panorama e rëndë e një dite proteste, ku, përmes tymit, britmave dhe përleshjeve, shfaqet fytyra e një Shqipërie që kërkon të dëgjohet.
Dhe pikërisht këtu lind habia që nuk mund t’i shmanget asnjë vëzhguesi të paanshëm: çfarë po përpiqet të mbrojë një pushtet kur përballë zemërimit qytetar përgjigjet me një demonstrim kaq të rëndë force? Ruajtja e rendit publik është detyrë e çdo shteti demokratik, por ajo nuk mund të shndërrohet në një justifikim për përdorimin e pakufizuar të forcës. Policia ka detyrimin të mbrojë qytetarët, jo t’i trajtojë ata si një armik që duhet mposhtur. Çdo përdorim i forcës duhet të jetë i ligjshëm, i domosdoshëm dhe proporcional.
Këtu qëndron edhe drama e vërtetë politike. Sepse nuk është më nëse bota po e sheh Shqipërinë. Nuk kuptohet qartë më se çfarë ka parë deri tani diplomacia ndërkombëtare dhe çfarë ka zgjedhur të mos shohë. Sa herë duhet të përsëriten shqetësimet për funksionimin e institucioneve, për besimin te zgjedhjet, për pavarësinë e drejtësisë dhe për lirinë e protestës, që këto shqetësime të mos mbeten të burgosura në gjuhën e deformuar të raporteve diplomatike?
Por ka edhe një shqetësim tjetër, ndoshta edhe më të rëndë: a është e mundur që një pushtet, duke e konsideruar çdo protestë si kërcënim ndaj vetvetes, të fillojë ta shohë vetë shoqërinë si një territor që duhet nënshtruar? Kur zemërimi qytetar përballet me gaz, ujë, shkopinj dhe arrestime, kur rruga kthehet në një arenë të përsëritur përplasjesh, atëherë shteti duhet të japë shpjegime për mënyrën se si e ushtron autoritetin e tij. Një demokraci nuk matet me numrin e forcave policore që mund të nxjerrë në rrugë, por me aftësinë për të përballuar edhe kundërshtimin më të fortë pa cenuar të drejtat themelore të qytetarëve.
Diplomacia evropiane, veçanërisht ajo e Brukselit, ende nuk po e kupton se Shqipëria nuk mund të gjykohet vetëm nga fotografia që i ofron pushteti. Një vend nuk është demokratik vetëm sepse kryeministri i tij shfaqet me buzëqeshje në konferenca ndërkombëtare, shtrëngon duart me liderët evropianë apo përsërit fjalët e duhura për integrimin. Demokracia nuk është një skenografi diplomatike. Ajo është një marrëdhënie e gjallë midis qytetarit dhe shtetit, midis ligjit dhe pushtetit, midis së drejtës për të folur dhe detyrimit të qeverisë për të dëgjuar.
Nëse institucionet evropiane kanë qenë të gatshme të dëgjojnë për vite me radhë versionin zyrtar të qeverisë shqiptare, tani kanë detyrimin të dëgjojnë edhe zërin e zemëruar të qytetarëve. Jo për t’u rreshtuar me një forcë politike, por për të mos u bërë, qoftë edhe nëpërmjet heshtjes, pjesë e një perceptimi të rrezikshëm se stabiliteti i pushtetit është më i rëndësishëm se cilësia e demokracisë.
Këtu qëndron edhe paradoksi i madh shqiptar. Një vend që aspiron të hyjë në Bashkimin Evropian, por që po përjeton një përplasje gjithnjë e më të fortë midis qytetarëve dhe institucioneve të veta. Një vend ku të rinjtë dalin në rrugë për të kërkuar një të ardhme në atdheun e tyre, ndërsa mijëra të tjerë e kanë kërkuar atë përtej kufijve. Një vend ku protestuesit kërkojnë të dëgjohen dhe ku pamjet e përplasjeve me policinë bëhen pjesë e transmetimeve ndërkombëtare. A mund të quhet ky thjesht një problem i zakonshëm i jetës politike? A nuk është kjo një kambanë alarmi që duhet të dëgjohet shumë përtej Tiranës?
Rezistenca e qytetarëve përballë kësaj gjendjeje nuk duhet parë vetëm si një përplasje e çastit. Ajo shpreh një konflikt më të thellë midis kërkesës për llogaridhënie dhe mënyrës se si pushteti e administron kundërshtimin. Një shoqëri që nuk pranon të heshtë, edhe kur përballet me mjegullën e gazit, me frikën e arrestimit dhe me forcën fizike, po dëshmon se e drejta për të kërkuar llogari nuk është zhdukur. Dhe pikërisht kjo e drejtë duhet të mbrohet, pavarësisht bindjeve politike të atyre që dalin në rrugë.
Por ajo që më shqetëson më shumë nuk është vetëm vonesa e reagimit diplomatik. Është çmimi që mund të paguajë shoqëria shqiptare për këtë vonesë. Historia na ka mësuar se padrejtësitë e zgjatura, kur nuk gjejnë rrugë institucionale për t’u zgjidhur, krijojnë plagë që nuk mbyllen lehtë. Mosbesimi shndërrohet në zemërim, zemërimi në përplasje, ndërsa shpresa e humbur mund të kthehet në një dëshpërim kolektiv. Nuk është e nevojshme të presim që këto pasoja të bëhen të pakthyeshme për të kuptuar rrezikun.
Evropa nuk duhet të presë një tragjedi shqiptare për të kuptuar se ka një problem shqiptar që duhet ndihmuar që të mos bëhet lëvizje e armatosur. Nuk duhet të presë që kamerat e televizioneve amerikane të transmetojnë çdo ditë pamje të përplasjeve në Tiranë, që të zbulojë se pas fasadës së buzëqeshjeve diplomatike ekziston një realitet që kërkon vëmendje. Dhe as nuk duhet ta ngatërrojë qetësinë e imponuar me stabilitetin demokratik. Sepse heshtja e një shoqërie nuk është gjithmonë shenjë pajtimi; ndonjëherë është vetëm shenja e fundit e durimit të saj.
Dhe këtu më vjen ndër mend Shekspiri, ai që dinte të depërtonte në errësirën e pushtetit dhe të zbulonte se tragjedia e një mbretërie nuk fillon gjithmonë me rënien e fronit, por me çastin kur e vërteta pushon së dëgjuari. Makbethi nuk u rrënua vetëm nga ambicia e tij, por edhe nga iluzioni se pushteti mund të sundojë përgjithmonë mbi frikën, ndërgjegjen dhe fatin e njerëzve. Asnjë pushtet nuk duhet ta ngatërrojë përkohshmërinë e heshtjes me përjetësinë e sundimit.
Tani kamerat e botës janë kthyer nga Tirana. Por pyetja e vërtetë nuk është se sa minuta do të qëndrojë Shqipëria në ekranet e Fox News, as sa televizione të tjera do ta pasqyrojnë protestën. Evropa dhe Amerika duhet të shohin përtej pamjeve të protestës së djeshme, përpara se kriza të bëhet dramë.
Shqipëria nuk kërkon që bota t’i shkruajë historinë. Kërkon vetëm që bota të mos mbyllë sytë ndërsa ajo përpiqet ta shkruajë vetë, me dinjitetin, lirinë dhe të ardhmen e saj.




