Mbrojtësi shkodran mendohet se do të jetë gati për sfidën ndaj Danimarkës, edhe pse akoma nuk është dhënë verdikti përfundimtar për paraqitjen e tij
Luzitani është shprehur se ndaj Shqipërisë nuk do të jetë një sfidë e lehtë, për shkakun se skuadra e De Biasit ka bërë paraqitje mjaft të mira në sfidat fundit
Danimarkë-Shqipëri po afrohet dhe bashkë me këtë edhe emocionet në të dyja kampet. Mungesa lojtarësh, por edhe presioni i tri pikëve e shton edhe më shumë ankthin. Shqetësimi kryesor duket në kampin kuqezi Elseid Hysaj. Sipas lajmeve, shkodrani mund të mos jetë në dispozicion të trajnerit Gianni De Biasi për ndeshjen e 4 shtatorit kundër Danimarkës në Kopenhagen, edhe pse vetë mbrojtësi shkodran shprehet optimist. Hysaj, që alarmoi stafin në kampin stërvitor ku u paraqit me një problem muskulor, u është nënshtruar analizave të detajuara dhe mjekët kanë arritur të zbardhin shkallën e dëmtimit. Bëhet fjalë për një kontraktim të lehtë dhe Hysaj pritet të bashkohet me grupin në stërvitje ditën e sotme. Mjekët në stafin e kombëtares nuk japin afate rikuperimi, por vetë lojtari duket optimist për të zbritur në fushë nesër në mbrëmje. Nga qendra stërvitore në Itali ku ndodhet kombëtarja, mbrojtësi shkodran flet edhe për eksperiencën e re që po përjeton në Napoli, duke nënvizuar se në adresë të tij kishin ardhur edhe oferta të tjera, por Napoli ishte një vendim që e mori personalisht dhe me këtë skuadër dëshiron të fitojë sa më shumë trofe. Të mërkurën Hysaj e bëri pushim absolut dhe më pas do të merret një vendim i përbashkët nëse ai do të bashkohet me grupin kuqezi ose jo. Mbrojtësi shkodran pësoi një kontraktim gjatë ndeshjes që Napoli zhvilloi në “San Paolo” kundër Sampdorias. Për sa i përket ndeshjes kundër Portugalisë në “Elbasan Arena”, 21-vjeçari ka shanse të mëdha për të zbritur që nga minuta e parë në fushën e lojës, por gjithsesi, fjalën e fundit edhe në këtë rast do ta thonë bluzat e bardha që po monitorojnë gjendjen e mbrojtësit të krahut.
Danilo: Ndaj Shqipërisë, mision i vështirë
Danilo Pereira po jeton ëndrrën në këtë fillim sezoni. Gjatë verës, mesfushori u transferua nga Maritimo te Portoja, ndërsa tani ai pritet të luajë titullar me Portugalinë në miqësoren ndaj Francës dhe sfidën kualifikuese me Shqipërinë më 7 shtator në Elbasan Arena. “Shqipëria është një kundërshtar i fortë, i cili ka shanse të kualifikohet në finalet e Euro 2016-ës. Presim një ndeshje të vështirë në Shqipëri. Dëshiroj të luaj në Kampionatin Evropian dhe do të punoj shumë për ta realizuar këtë objektiv, por më parë duhet të kalojmë me sukses sfidat që kemi”. Trajneri Fernando Santos do ta aktivizojë 23-vjeçarin në formacionin titullar, pas mungesave të të dëmtuarve João Moutinho e William Carvalho dhe të pezulluarit Tiago Mendes. “Po jetoj një ëndërr, nuk kam dyshime. Gjithçka po ndodh shumë shpejt, por ky është një ndryshim pozitiv në karrierën dhe jetën time. Do ta shfrytëzoj këtë moment, pasi është mënyra e vetme që të rritem si futbollist”. Mesfushori mbrojtës, që numëron dy ndeshje me skuadrën portugeze, shprehet gati të marrë një rol protagonisti dhe beson se është një alternativë e vlefshme për ekipin luzitan.
Box
Durmishi: I lumtur që zgjodha Danimarkën
Shumë lojtarë të kombëtares shqiptare janë formuar si futbollistë në Evropë, por kanë preferuar të veshin fanellën kuqezi në nivel përfaqësuesesh. Këtë mundësi zgjedhjeje e ka pasur edhe Riza Durmishi, mbrojtësi i Brondbit në Danimarkë, që është grumbulluar nga Morten Olseni për eliminatoret me Shqipërinë dhe Armeninë. Mirëpo 21-vjeçari, në një prononcim për “Extrabladet”, u shpreh se nuk ka pasur asnjë dilemë për të ardhmen e tij, ka zgjedhur pa mëdyshjen më të vogël të përfaqësojë Danimarkën. “Të luaja me Danimarkën ka qenë dëshira ime më e madhe. Kurrë nuk e kam marrë në konsideratë të jem pjesë e një kombëtareje tjetër”. Prindërit e Durmishit janë shqiptarë nga Maqedonia, por jetojnë prej shumë kohësh në Danimarkë, madje Rizai ka lindur në vendin nordik. Edhe Federata Maqedonase e Futbollit i ka bërë ftesë futbollistit të Brondbit, por tashmë ai e kishte bërë zgjedhjen. “E gjithë familja ime, nëna, babai, gjyshi dhe xhaxhai, do të vijnë të premten në stadiumin “Parken”. Jam i sigurt se babai im do të ketë veshur fanellën e Danimarkës”. Mungesa e Simon Poulsenit dhe e Nicolai Boilesenit shton shanset për aktivizimin titullar të Durmishit, i cili po e pret me padurim momentin e tij. “E ndjej që ka ardhur momenti që të luaj titullar, por unë nuk nxitohem, i takon trajnerit Olsen të vendosë. Nëse do të jem në fushë, do të kem mundësi të kuptoj se çfarë do të thonë shqiptarët me njëri-tjetrin”. Riza Durmishi është aktivizuar vetëm në një ndeshje me Danimarkën, pikërisht në miqësoren me Malin e Zi në muajin qershor, e fituar 2-1 nga formacioni i Olsenit.
Box
Presidenti i Torinos pendohet për De Biasin
Presidenti i Torinos, Urbano Cairo, rrëfehet në një intervistë për të përditshmen “Tuttosport”, ku analizon ecurinë e tij në krye të presidencës gjatë 10 viteve në krye të këtij klubi. Mes të tjerave, Cairo ndalet gjatë edhe në kohën kur Gianni De Biasi ishte trajner i skuadrës. Pa lojëra fjalësh, Cairo e pranon se gaboi rëndë me largimin e trajnerit që aktualisht drejton kombëtaren shqiptare, madje ai shkon edhe më tej duke i kërkuar falje për veprimin e tij. “Unë jam një njeri i ndershëm. Si botues kam hedhur në treg tri revista, të cilat janë ndër më të shiturat në treg. Si president i Torinos, kur sapo kisha mbushur 9 muaj e 9 ditë, arrita ta ngjisja skuadrën në Serinë A. Në atë kohë mendoja se kisha aftësi të jashtëzakonshme që nuk me lejonin të falimentoja në vendimet e mia. Mendoja se isha mbreti Mida dhe nisa të bëja gjëra të pamenduara si p.sh. shkarkimin e trajnerit De Biasi përpara se kampionati të fillonte. De Biasin e riktheva, e largova dhe e rimora sërish, prandaj përfitoj nga kjo intervistë për t’i kërkuar falje. Mendoja se kuptoja gjithçka nga futbolli, por kisha dalë nga kontrolli, sepse futbolli është një fushë shumë e vështirë”. Një rrëfim që shkon si një mesazh për trajnerin e kombëtares shqiptare në prag të një sfide delikate si ajo e Danimarkës. Puna që po bën trajneri italian me kuqezinjtë është treguesi më i qartë se 59-vjeçari mbetet një emër i vlerësuar në vendlindjen e tij, ku ka punuar për shumë vite edhe me Karpin, Modenën, Breshian dhe Udinezen.
Box
De Biasi hap dyert, Olsen lejon vetëm 15 minuta
Kombëtarja shqiptare është pritur nga qindra tifozë në stërvitjen e të martës në Trevizo, ku po vazhdon përgatitjet për ndeshjen e radhës eliminatore të Euro 2016-ës ndaj Danimarkës. Grupi i tifozëve me flamuj dhe fanella të përfaqësueses kanë pritur lojtarët që në hyrjen e stadiumit, ndërsa më pas kanë ndjekur seancën stërvitore. Gianni De Biasi ka hapur dyert për tifozët dhe mediat ndërkohë homologu i tij në Danimarkë, Martin Olsen, ka izoluar gjithçka. Ai i ka lejuar vetëm 15 minuta mediat në stërvitje dhe më pas i ka larguar. “Kam qenë në shumë skuadra të tjera dhe kështu veprohet”, – ka thënë Olsen media vendase, për sa i përket këtij veprimi i cili ka mërzitur shumë mediat daneze. Gjithsesi ai dukej i nervozuar dhe i shqetësuar në stërvitjen e fundit. Marrja e tri pikëve të Shqipërisë nga CAS dhe pozicioni i barabartë e bëjnë një ndeshje tejet të vështirë. Trajneri Olsen mendohet ta mbyllë aventurën e tij deri Euro 2016, po për të vajtur atje duhet më parë të sfidojë kuqezinjtë. Për sa i përket formës sportive në kampin kundërshtar, kemi tri mungesa të sigurta. I pari është sulmuesi i Totenhemit, Eriksen, i cili ka lënë grumbullimin dhe është kthyer në Angli për t’u mjekuar. Në të njëjtën gjendje qëndrojnë edhe mbrojtësi Bojlesen dhe Simon Poulsen.
Box
Skocezi Collum arbitron sfidën
Takimi mes Danimarkës dhe Shqipërisë, i cili do të luhet të premten në orën 20:45 në “Telia Parken” të Kopenhagenit, do të përcaktojë shumë në rrugën e të dyja përfaqësueseve drejt finaleve të Kampionatit Evropian. Për këtë arsye edhe UEFA i ka kushtuar një rëndësi të veçantë kësaj sfide, duke caktuar një prej gjyqtarëve të saj më të mirë për të vendosur drejtësi. Danimarkë-Shqipëri do të gjykohet nga William Collum. Skocezi është një prej arbitrave më në formë që aktualisht ka institucioni drejtues i futbollit evropian. 36-vjeçari shquhet si një njeri që nuk e ka problem ndëshkimin me kartonë dhe këtë e ka treguar edhe në finalen e Superkupës së Evropës mes Barcelonës dhe Seviljes, ku akordoi plot 9 të tillë. Por ky gjyqtar nuk është krejtësisht i panjohur edhe për Shqipërinë, pasi ka qenë pikërisht skocezi ai që ka vendosur drejtësi në takimin e zhvilluar 7 qershorin e vitit 2013 mes Shqipërisë dhe Norvegjisë, i vlefshëm për eliminatoret e Botërorit të Brazilit, një ndeshje e cila përfundoi 1-1 me gola të Valdet Ramës dhe Hoglit. Në sezonin e shkuar ai ka gjykuar edhe ndeshje mjaft të rëndësishme në Ligën e Kampioneve si Monako-Juventus apo Bajern i Mynihut-Shakhtar Donetsk. Collum është bërë pjesë e Kolegjiumit të Gjyqtarëve në Skoci në vitin 2000, ndërsa stemën e FIFA-s e ka përvetësuar në vitin 2006, duke iu njohur meritat për aftësitë e tij në mbarëvajtjen e një takimi futbolli. Skocezi në përditshmërinë e tij punon si mësues religjioni, ndërkohë që në “Telia Parken” do të ketë edhe ndihmën e asistentëve të tij Damian McGraith dhe Francis Coonor, ndërsa gjyqtari i katërt do të jetë Alastair Matter.
Shkurte
Marotta: Pogba vlen më shumë se 100 milionë euro
Drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Giuseppe Marotta, thotë se 100 milionë euro nuk do të mjaftojnë për Paul Pogbanë nëse ai vazhdon të luajë në të njëjtin nivel si në edicionin e kaluar. Bardhezinjtë refuzuan 80 milionë euro nga Barcelona për mesfushorin francez, ndërkohë që është spekuluar se Çelsi po përgatit një mega-ofertë për të. “Kemi investuar shumë, sidomos për faktin se kanë ekzistuar hapësira në skuadër. Largimet e Pirlos dhe Tevezit, nuk kanë gjeneruar të ardhura ose shumë pak, duke pasur parasysh moshën e tyre. E kam vërejtur se Liga Premier është bërë akoma më e pasur dhe kemi parë klube duke blerë lojtarë me shuma që janë konsideruar të çmendura deri së fundmi, por ato janë normale sot. Në vitin e ardhshëm po parashikoj marrëveshje akoma më të mëdha. Nëse Pogba ruan këtë nivel të paraqitjes nga sezoni i kaluar, atëherë 100 milionë euro do të jenë pak për ta blerë atë”, – ka deklaruar Marotta.
Lemina: Ngjasoj me Vidalin
Lojtari i ri i Juventusit, Mario Lemina, ka thënë se ai është si Arturo Vidal. Kiliani u largua nga torinezët për t’u bashkuar me Bajernin, ndërsa për ta zëvendësuar atë është marrë mesfushori 22-vjeçar. “Ne të dy kemi dëshirë të mbrohemi, por edhe të sulmojmë. Nuk e di se a do të mund të bëj atë që ka bërë ai, pasi Vidal mbetet Vidal, një lojtar i madh. Shpresoj që me eksperiencën që do ta marr do të arrij të jem lojtar i rëndësishëm këtu. Kam zgjedhur Juventusin, pasi është një skuadër e shkëlqyeshme, me shumë trofe dhe doja të isha pjesë e këtij projekti”, – ka pohuar Lemina në prezantimin e tij te “Zonja e Vjetër”, ku do të mbajë numrin 18. Lemina ka shtuar se ka folur me Paul Pogbanë pas arritjes në Torino dhe i ka treguar se si funksionon klubi.
Reali këshillon De Gean të prishë kontratën
Reali i Madridit është duke u angazhuar që David De Gea të mos e rinovojë kontratën me Mançester Junajtidin. Sipas një pike në marrëveshjen mes portierit dhe “Los Blancos”, klubi mbretëror duhet t’i paguajë kompensim spanjollit për të mos e vazhduar kontratën me “Djajtë e kuq”. Mbretërit duhet t’i paguajnë De Geas një shumë ekuivalente me pagën që do të marrë ai në sezonin e parë në “Santiago Bernabeu”. Kjo shumë besohet të jetë rreth pesë milionë euro e që është më shumë se paga që ai merr aktualisht te Junajtid. De Gea do ta fitojë të drejtën të bisedojë me Realin nga muaji janar, por për t’i qëndruar besnik, klubi spanjoll duhet t’ia paguajë pesë milionë eurot e përshirë në marrëveshjen paraprak
Modena rikthen interesin për Lilën
Modena ka rikthyer interesimin për mbrojtësin shqiptar, Andi Lila. 29-vjeçari ishte huazuar te Parma nga PAS Janina në janarin e kaluar, por klubi italian ka falimentuar dhe kështu mbrojtësi i krahut është momentalisht pa ekip. Gjithsesi, Modena ka kërkuar të mbyllë marrëveshjen në orët e fundit, por për shkak të situatës së komplikuar, ky transferim ende nuk ka marrë formë të prerë. Agjenti i lojtarit është duke bërë përpjekje ta bindë federatën greke dhe italiane që lojtari të jetë edhe zyrtarisht i lirë, në mënyrë që ai të regjistrohet si lojtar i ekipit nga Serinë B.




