Gjatë hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda mësohet se është identifikuar pikërisht mitralozin model “Gulinov” si armën që dyshohet t’i ketë marrë jetën oficerit të RENEA-s
Efektivi i RENEA-s Ibrahim Basha i cili humbi jetën në Lazarat mund të jetë vrarë me armë të rëndë mitraloz. Është ky përfundimi i arritur deri në këtë fazë të hetimeve nga prokurorët e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit të cilët në grupin e armëve të sekuestruara më 3 korrik të këtij viti (9 ditë pas vrasjes nga grupi i armatosur), kanë identifikuar pikërisht mitralozin model “Gulinov” si armën që dyshohet t’i ketë marrë jetën specialit. Burime nga grupi hetimor thanë se me këtë armë janë bërë një sërë eksperimentesh dhe ka rezultuar se dëmtimet që plumbi i saj lë, janë të njëjtat me ato që ka pësuar dhe efektivi i RENEA-s Basha më 24 qershor. Deri në këtë fazë të hetimeve dyshimet ishin për një armë snajper, por ekzaminimet laboratorike dhe ato shkencore me anë të qitjes kanë provuar ngjashmërinë e gjurmëve të lënë në trupin e Bashës me ato të mitralozit të rëndë.
Vrasja e Bashës
Oficeri i forcave speciale RENEA, Ibrahim Basha u ekzekutua më 24 qershor teksa futej në Lazarat për një operacion policor ndërsa të plagosur mbetën dy kolegët e tij Perlat Hamitaj dhe Jetmir Isaj. Personi i dyshuar që ka përdorur këtë armë është Arbjon Aliko, paçka se ai vetë ka mohuar të ketë qëlluar mbi policinë. Një tjetër e dhënë që ka krijuar bindjen tek hetuesit se është kjo arma që ekzekutoi Bashën është dhe fakti se me këtë mitraloz janë bërë vetëm dy qitje, një mbi furgonin Volksvagen dhe një mbi blindin e RENEA-s mbi të cilin ka krijuar një vrimë. Hetuesit bënë me dije se brenda pak ditësh pritet që në një batalion qitje të bëhet dhe një eksperiment me Arbjon e Alban Alikon dy vëllezërit e dyshuar për përdorimin e kësaj arme, çka do të hidhte drite mbi përfshirjen apo jo të tyre në vrasjen e policit.
Armët e grupit
Një sasi tjetër arsenali armësh që sipas policisë dyshohet se janë përdorur në sulmin mbi efektivët e policisë në Lazarat, ku u vra efektivi i forcave RENEA, Ibrahim Basha dhe u plagosën dy efektivë të tjerë. Policia pas një kontrolli të imtësishëm ka zbuluar vendin ku autorët e sulmit mbi policinë kanë fshehur arsenalin e armëve. Sipas policisë, arsenali i armëve u gjet në afërsi të shkollës së mesme të fshatit, rreth 50 metra larg vendit nga u sulmua policia, në një pusetë uji. Blutë thonë se brenda pusetës janë evidentuar armë të rënda e të lehta dhe municione luftarake. Ky është arsenali i dytë i armëve i gjetur në Lazarat, pas atij të gjetur në banesën në pronësi të shtetasit Edmond Bocit, e cila ishte e pabanueshme. Sipas policisë dyshohet se ky arsenal është përdorur në sulmin e datës 24.06.2015, ku mbeti i vrarë efektivi i Reneas, Ibrahim Basha dhe u plagosën dy efektivë të tjerë. Pritet të gjitha armët në ditët në vijim ti nënshtrohen ekspertizës balistike në laboratorin shkencor. Mes armëve të gjetura kanë qenë dy mitrolozë të rëndë, automatikë, granat hedhës kundërtank dhe shumë municione të tjera.
1 dekadë arrati në Shqipëri, Gjykata OK ekstradimit në SHBA
Nën akuzë për 29 vepra penale mes tyre dhe grabitje me dhunë, Gjykata e Tiranës vendos të ekstradojë në Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës 25-vjeçarin shqiptar Indrit Shehi. Shehi kish mundur të vinte në Shqipëri pas krimeve të kryera në Amerikë për t’iu fshehur drejtësisë, por është prangosur për llogari të drejtësisë amerikane dhe tashmë me vendim gjykate ai do të ekstradohet. Sipas vendimit të gjykatës krimet janë kryer për një periudhë 3 mujore në mars-qershor 2005, për të cilat i riu ende nuk ka shlyer dënimin. Vendimi për ekstradimin e Shehit të lindur në Durrës dhe banues në Tiranë është miratuar nga gjykatësi Bujar Krasniqi pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës.
Krimet e Rënda kërkojnë ekstradimin e Baftjar Brukës
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e Baftjar Brukës, i cili dyshohet bashkë me Vladimir Gjutajn si autorët e vendosjes së tritolit që shpërtheu në farmacinë e babait të Saimir Tahirit. Baftjar Bruka u largua nga Shqipëria pak ditë pas ngjarjes duke u arrestuar më pas në veri të Evropës në Suedi. Pas kërkesës zyrtare për ekstradim tashmë pritet nëse do të miratohet apo jo kërkesa për ekstradimin e Brukës dërguar autoritetet suedeze. Baftjar Bruka u arrestua më 26 qershor nga policia suedeze pasi verifikuan se shqiptari rezultonte të ishte në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë.
13-vjeçari terrorizon me armë Alliasin, ndalohet dhe lirohet
Një i mitur ka terrorizuar lagjen e tij në Allias të Tiranës duke qëlluar disa herë në ajër me armë automatike, në krehërin e të cilit kishte 30 fishekë. Policia e kryeqytetit arrestoi dje në flagrancë 13-vjeçarin me inicialet K.C por për shkak të moshës së mitur dhe për shkak të ligjit, disa orë më vonë e liroi për të nisur ndaj tij procedimin në gjendje të lirë. Banorët e lagjes kishin bërë më parë dhe denoncim në polici për 13-vjeçarin pasi ishte problematik në zonë. Katër muajt e fundit i mituri është ndaluar disa herë nga policia, por edhe në këto raste për shkak të moshës është proceduar në gjendje të lirë. Gjatë arrestimit policia ka mundur t’i sekuestrojë armën automatik model 56 si dhe një krëhër me 30 fishekë.
Dy turistë francezë humbin në malet e Thethit, policia i gjen me helikopter
Policia e Shtetit ka ndihmuar dhe shpëtuar një çift turistesh francezë, të cilët kishin humbur rrugën në zonën e Valbonës në Tropojë. Mësohet se rreth orës 16:40 të ditës së djeshme është njoftuar salla operative e Policisë së Malësisë së Madhe se një çift turistësh francezë kishin humbur rrugës, nga Thethi për në Valbonë dhe kërkuan ndihmën e Policisë pasi nuk orientoheshim dot për drejtimin e lëvizjes dhe nuk dinin vendndodhjen. Pas sinjalizimit menjëherë në drejtim të tyre është nisur një grup punonjësish të policisë të Malësisë së Madhe, si dhe drejt maleve të Valbonës për të kërkuar nga ajri, u nis një helikopter me punonjës policie të Shkodrës. Pas dy orë kërkimi nga toka dhe nga ajri, me helikopter dhe në këmbë nga punonjësit e policisë, u bë e mundur gjetja e tyre poshtë Qafës së Valbonës. Të dy turistët A. M., 28 vjeç dhe M. M., 24 vjeçe, ndodhen ne gjendje te mire dhe janë transportuar në drejtim të Shkodrës me helikopter për të vazhduar itinerarin e tyre turistik.




