PD në Pisa: Bashkëpunim më i ngushtë me diasporën për përballjen me narkoshtetin!

Në kuadër të procesit të ripërtëritjes dhe organizimit të Partisë Demokratike në diasporë, është zhvilluar një takim në degën e PD-së në Pisa të Italisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të strukturave drejtuese të PD-së dhe përfaqësuesve politikë italianë.

Në takim morën pjesë Erisa Bajaziti, nënkryetare e Partisë Demokratike, dhe Ethem Aga, sekretar për Diasporën. Takimi u organizua nga kryetari i degës së PD në Pisa, Ermal Domi, me praninë e anëtarëve të kësaj dege.

Të pranishëm ishin gjithashtu koordinatori provincial i Forza Italia-s, Lorenzo Paladini, një këshilltare e Bashkisë së Pisës, si dhe kryetarë të degëve të PD-së nga disa qytete të Italisë.

Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e strukturave të Partisë Demokratike në diasporë, rritjen e bashkëpunimit mes degëve dhe koordinimin e angazhimit politik të shqiptarëve që jetojnë dhe kontribuojnë në Itali, me synimin për të mbështetur ardhjen e PD-së në pushtet.

Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutimeve ishte situata politike në Shqipëri dhe pasojat që, sipas përfaqësuesve të PD-së, po shkaktohen te qytetarët shqiptarë nga politikat e qeverisë, të cilën opozita e cilëson si narkoqeveri.

Takimi në Pisa u fokusua në rritjen e organizimit dhe bashkërendimit të strukturave të PD-së në diasporë, duke synuar një angazhim më të madh të shqiptarëve jashtë vendit në zhvillimet politike në Shqipëri.

Share it :