Berisha: Do të publikojmë listën e zezë të mercenarëve që kanë dhunuar protestuesit, dhunën e filloi policia
Mariglen Kume, MCN TV: Ditën e shtunë në orën 12:00, të shtunën që kaloi, Partia Demokratike thirri protestën kombëtare në mbështetje të studentëve. Në protestën e orës 12:00 nuk u regjistrua asnjë incident. Ndërkohë, në orën 14:00 kur ishte thirrur edhe protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit, nisën edhe përplasjet e para midis studentëve dhe policisë. Në cilën protestë ishte faktor dhe aktor Partia Demokratike?
Sali Berisha: Partia Demokratike ishte tek Kryeministria, Partia Demokratike ishte tek Ministria e Arsimit. Dhunën e filloi policia. Edhe te Ministria e Arsimit, e filloi policia. Nuk është e vërtetë që e filloi protesta.
Policia filloi dhunën, futi provokatorët, a e patë lokalin? Ia kishin thyer, shkojnë ia shkatërrojnë lokalin për t’i akuzuar studentët. Dhe natyrisht reagimi ndaj asaj dhunës është legjitim.
Pastaj një gjë do ta themi këtu, se tani unë e kam një eksperiencë. Guximtarë dhe trima, si këta studentë, gjer sot Shqipëria nuk ka parë.
Vajzat rrinin aty, gangsterët, mercenarët shkonin dhe ato ua kthyen siç e meritonin. Këta provokues numër një i dhunës është… mos i kurseni! E keni parasysh.
Po unë i garantoj ata se tani do publikojmë fotot dhe emrat e tyre një për një. Listën e zezë të tyre.
Pse? Studentët po protestonin. Populli i Tiranës dhe i Shqipërisë ishte me studentët. Ata tani, provë force. Por provën e forcës me sovranin e kanë humbur gjithmonë diktatorët, nuk e fitojnë.
I tha, je treguar dorëbutë, i tha padroni, je treguar dorëlehtë, i tha. Po tani çfarë do t’i thotë? Tani do t’i thotë mbathja.
Mariglen Kume, MCN TV: Edhe dy pyetje të tjera zoti Berisha. Pyetja e radhës është që kanë kaluar katër muaj e gjysmë që nga dita e parë e protestës që nisi për projektin në Zvërnec. Pas kaq muajsh, mendoni se projekti duhet të anulohet?
Sali Berisha: Sot, para katër muajsh edhe pas katër vitesh unë do them të njëjtën gjë. Mbështes plotësisht investimet e huaja me kushtin themelor që të bëhen sipas ligjit.
Pasi u ndala në problemin, gjeta se Edi Rama ka shkelur absolutisht nen për nen ligjin shqiptar dhe ligjin ndërkombëtar në rastin e dhënë në Zvërnec.
Kjo është siç ua them. Dhe ky, e faktoi vetë. E faktoi vetë se çfarë bëri? Pasi dola me këtë deklaratë dhe ia numërova, tre ditë mbrapa doli një hartim që nëpër rreshta thoshte, i kam bërë po dhe s’i kam bërë. Dhe shkoi i paraqiti në Bruksel. Në Bruksel, mikesha e tij e njohur tashmë, Marta Kos, ia pranoi. Parlamenti Europian i tha jo, paradhënie nuk i pranohet gjë Edi Ramës.
Prandaj dhe unë, dijeni, unë kurrë nuk kam shkelur ligjin dhe nuk shkel ligjin. Jo, ja ku janë të gjithë investimet e bëra brenda ligjit, cilido qoftë. Nuk më bën përshtypje, cilido qoftë. Për mua është ligji.
Absolutisht me kënaqësi jam i hapur, por brenda kuadrit ligjor, pavarësisht se kush apo cili qëndron.
Mashtrues i turpshëm. S’kam dhënë leje në një kohë kishte dhënë edhe lejen e ndërtimit, edhe lejen e zhvillimit, duke shkelur çdo nen.
Tani, për ta mbyllur pyetjen. Qeveria ime, qeveria e Partisë Demokratike, vendosi të ndërtojë aeroportin e Vlorës. Por do ndërtohej prapë në përputhje me ligjin. Dakord?
Ligji thotë që do bësh një vlerësim të thelluar strategjik. Vlerësimin e thelluar strategjik nuk e bëjnë politikanët, e bëjnë specialistët e mjedisit dhe të tjerë. E dërguam grupin atje. Grupi u kthye dhe i tha qeverisë, jo nuk mund ta ndërtoni aeroportin aty.
Dy arsye. E para flamingot, se me aeroport zhduket kolonia e flamingove.
E dyta thanë ata, aeroporti është gjithsej 1 metër mbi nivelin e detit edhe përmbytet.
Po ky grup sugjeroi tokën tek kthesa e Levanit. Pozicion më i mirë. Pozicion shumë i mirë.
Çfarë bëjnë këta? Dalim tek ligji përsëri. Këta në vitin 2017 organizuan pothuajse të njëjtin grup me disa ndryshime të vogla, të njëjtit grup ekspertësh.
Ekspertët shkruan që të gjithë përveç treve, u thanë jo nuk ndërtohet aty aeroporti. Për këto dy arsye.
Tjetër meqë flasim për ligjin. Bëmë projektin e autostradës Levan-Vlorë. Projekti i financuar nga dy bankat evropiane, BEI dhe BERZH. Në diskutimin e projektit konstatohet nga matjet se zhurma e autostradës shqetësonte habitatin e shpendëve. Dhe ekspertët kërkuan që ajo rrugë të spostohej. Ne spostuam rrugën, shpenzuam dhe nja 20 milionë euro më shumë, ndërtuam dhe një urë mbi Vjosë më shumë, dhe respektuam ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar. Kaq.
U zgjat 18 muaj ndërtimi i autostradës, por po ta mbash veten Sulltan, që të duket që ajri, uji dhe toka janë pronë e Sulltanit dhe ua jep të tjerëve për përdorim, pastaj bën siç bën ky. Ashtu ne nuk bëjmë.
Mariglen Kume, MCN TV: E fundit. Qarkullon në rrjetet sociale një video e kryeministrit Edi Rama, i cili shprehet se Shqipëria është atdhe zëvendësues për hebrenjtë. Si e kuptoni ju këtë dhe a bini dakord me të?
Sali Berisha: Në këtë drejtim, të hysh në shpirtin e tij të zi katran, absolutisht kurrë nuk mund të lexosh.
Por e theksoj se një nga trashëgimitë më të shkëlqyera morale të shqiptarëve është mbrojtja që ata ju bënë hebrenjve në periudhën kur të tjerët mbushnin trenat për t’i çuar në furrat e gazit apo të djegies.
Shqiptarët, për hir të së vërtetës duhet thënë, qeveria dhe qytetarët, jo vetëm qytetarët, por dhe qeveria, i mbrojtën. Në këtë aspekt, pa diskutim që Shqipëria ishte atdheu i tyre i dytë.
Ç’ka kuptuar ai me atë, askush nuk mund të thotë. Por ky akt i shqiptarëve në periudhën e gjenocidit, mbetet dhe do të shndrijë e do të shndrijë gjithmonë në histori, në marrëdhëniet midis dy kombeve, dy vendeve.




