Çuditë e rindërtimit/ Suvatim sipër pllakave, lagështirë, dyer që s’hapen!

Emisioni “Fiks Fare” denoncoi gjendjen e një shtëpie të rindërtuar nga tërmeti, në fshatin Fagë në Njësinë Administrative Shëngjergj në Tiranë.

Banesa filloi së ndërtuari në vitin 2020, por megjithëse kanë kaluar 4 vite, ende s’ka përfunduar. Pllakat e tualetit ishin të suvatuara sipër, dritarja më e vogël sesa vendi, dera më e madhe sesa vendi i lënë dhe nuk hapej.

“Shtëpia e vjetër m’u prish në viti 2019, do na strehonin te shkolla po nuk pranova. Qëndrova te banesa e vëllait. Erdhën dhe më thanë se do të ndërtojmë shtëpi të re. E filluan në 2020 dhe ende s’ka përfunduar. Punimet i kanë lënë në mes dhe nuk duket asnjë këmbë punëtori. Po bëjnë 1 vit që kanë ndërprerë këto punime. Nuk më kanë dhënë asnjë letër, nuk e di se cila firmë i bëri punimet”, thotë i zoti i shtëpisë Mustafa Çedja.

Më tej thotë se familja e tij përfitonte banesë 1 + 1.

“I kanë bërë muret, ccatinë po shtëpia është gjithë lagështirë, s’kanë bërë izolim të mirë. Dritarja e vendosur është më e vogël sesa vendi i dritares. Dera e emergjencës nuk hapet, e kanë bërë hapjen nga brenda, po dera është më ulët sesa dyshemeja e korridorit dhe s’hapet. Pllakat e tualetit janë vendosur, po sipër janë suvatuar. Dua që shtëpia të përfundoj, pasi më mirë te ajo e prishura sesa te kjo” thotë Mustafai.

Pas ankesës, gazetarët e Fiksit telefonojnë administratorin e Njësisë Administrative Shëngjergj, Shpëtim Sina. Ai thotë se e di këtë problematikë, pasi janë lënë disa punë pa bërë. Ka kontaktuar me familjen se i njeh shumë mirë, dhe e ka parë gjendjen.

“Punët s’janë bërë mirë. Kam biseduar edhe me firmën që i ka bërë ato punime. Firma është ‘Tila Construction’, duhet të jetë nënkontraktor” thotë Administratori.

“Do e marr dhe tani këta të firmës që të bëjnë ato punimet e mbetura. I kemi thënë edhe familjet që ti përfundojë vetë ato punë, por s’kanë pranuar” shton ai, teksa gazetarët i bëjnë me dije se familja është me ndihmë ekonomike dhe s’mund t’i bëjnë vetë punimet.

Fiksi bisedon edhe me z. Lefter Tila, i cili ka bërë edhe punimet në atë banesë. Ai thotë se ai vetë është dora e tretë apo e katërt, “pasi janë firma të tjera që kanë fituar tenderin”. Thotë se s’është likuiduar nga ato firma ndaj s’i ka përfunduar punimet. Gazetarët e pyesin për gabimet, teksa përgjigjet se janë disa punë të lëna përgjysmë, por do të dërgoj punëtorët që t’i bëjnë.

Më pas thotë se ai vetë ka dalë me humbje nga këto shtëpi, pasi kostoja e ndërtimit ka qenë më e madhe sesa vlera prej 22 milionë lekë (të vjetra) që u tenderua. Gazetarët i bëjnë me dije se përse e pranoi si punë, kur ka humbje. Ai përgjigjet se atëherë i mori dhe më vonë u rritën kostot, plus transporti i materialeve në atë fshat./ TCH

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.