Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit
Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit
Nuk ka mënyrë më të mirë për të matur efektin e një proteste qytetare sesa ta shikosh atë përmes reagimit të atij kundër të cilit ajo adresohet. Revolucioni i flamingove e ka hutuar, shfazuar, çorientuar Edi Ramën.
fillim, kur në shesh ishin ende pak njerëz, ai bëri tolerantin duke pyetur nëse duhet ta tërhiqte projektin, apo nëse ndoshta duhej të dorëhiqej edhe vetë, për t’u mbyllur në Surrel. Pastaj i sfidoi protestuesit duke thënë, se edhe gjysëm milioni po të bëheshin, Sazani dhe Zvërnesi i takonte Ivanka Trump-it dhge Jared Kushnerit. Në ditët e para të javës, ai kërkoi një përfaqësi nga manifestuesit me të cilën të dialogonte. Por pasi u refuzua me përbuzje tha se s’kishte ndërmend të negocionte me askënd, pasi ai ishte mandatari i votave të 800 mijë socialistëve me të cilat bënte ç‘të donte.
Këto pirueta, lëkundje humori dhe kjo mungesë qetësie shkëlqeu në gjithë mjerimin e saj pasi kryeministri u ul përpara laptopit të vet, për të hartuar një status të gjatë, në të cilin akuzonte CNN, mediat liberale botërore, një sërë TV dhe gazetash të mëdha, se po manipulonin realitetin e asaj që po ndodh në Shqipëri.
Po ti rikthehesh atij teksti të llahtarshëm dallon me lehtësi se shkruesi i tij vuan nga paranoja, se pas shpinës së vet dikush po i organizon një puç. Prandaj Rama bën thirrje se ky konspiracion, që synon të shembë “demokracinë” aktuale, për ta zëvendësuar atë me “demagogë, sharlatanë dhe tregtarët profesionistë të zemërimit”, të cilët bëjnë thirrje për hakmarrje e deri për vdekjen e tij, duhet ndalur sa më shpejt. Nëse kjo nuk ndodh – paralajmëron ai – ky do të ishte shembulli i një shoqërie të mposhtur nga fashizmi.
Po çfarë e detyron një burrë që i ka kapërcyer të gjashtëdhjetat të përdorë këtë gjuhë kundër një brezi 20 vjeçarësh të cilëve u duket përveçse i korruptuar edhe demode dhe “i marrum”? Çfarë e ysht atë të fajësojë mediat më prestigjoze të botës, CNN, New York Times, The Guardian, Der Spiegel, Le Monde për ‘fake news-e” që përmbysin një rend demokratik? A mos vallë u çmend deri në atë pikë sa kazanin e famshëm të Shqipërisë ta eksportojë në Atlanta?
Nga ky bashkim u prodhua festa e bukur për “Shqipërinë e re”. E kjo shpjegon edhe faktin se pse kjo protestë me njerëz dinjitozë, me slogane të gjetura dhe me muzikë joshëse u përkrah kaq masivisht nga TV dhe gazetat më të mëdha të botës, ndryshe nga ato në Rijoll, te unaza e re, apo tek 5 maji. Në këtë bashkim nuk ka asnjë konspiracion. Rinia e revoltuar shqiptare e ka me Ramën. Ata që mbështesin lëvizjen e saj kundër futjes së Jaredit dhe Ivankës në Zvërnec, e kanë me Trumpin.
Por edhe këtu Edi Rama është treguar i paaftë edhe dritëshkurtër. Atë që mund të ndodhte ai duhet ta kishte parashikuar me kohë, që atëhere kur bëri provën gjenerale të një lobimi të madh, duke dashur ti falë sovranitet shqiptar Italisë, për të përkëdhelur Giorgia Melonin. Ashtu si tani edhe në atë rast ai vërtet fitoi afërsinë dhe mbështetjen e kryeministres italiane, por bashkë me të ai u përball edhe me gjithë furinë e kundërshtarëve të saj. Përkëledhja me Giorgian i kushtoi Ramës një valë kritikash nga e majta e kontinentit, një seri artikujsh e reportazhesh kritike si ato të RAI 3 dhe etiketimin për herë të parë të mbretërimit të tij si narkoregjim. Pra kostoja e kësaj tentative për lobim ishte shumë e lartë. Por Edi Rama e shpërfilli, apo s’ deshi ta dëgjojë këtë alarm. Dhe kur ai synoi më lart, për të vajtur deri afër Shtëpisë së Bardhë, pëmes vajzës dhe dhëndrit të Trump, goditja do kishte të njejtin kah por përmasat do të qenë të tjera. Ekuilibri i forcave në një shoqëri të lirë është pikërisht ky: sa më i madh makinacioni dhe tentativa për manipulim, aq më të vrullshme bëhen forcat që i kundërshtojnë ato.




