Çështja e drogës/ Bylykbashi: S’kemi të bëjmë me dështim të qeverisë, por përfshirje në trafik

Deputeti i PD-së: Qeveria po vë në pikëpyetje të gjitha standardet e sigurisë dhe integrimin në BE

Bylykbashi oerd Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, deklaron se qeveria nuk ka dështuar në luftën kundër trafikut të drogës, por përkundrazi ajo, sipas tij, është e përfshirë në këtë proces. Duke komentuar konfliktin politik mes palëve për këtë çështje, ligjvënësi demokrat theksoi se nëse qeveria kapet nga narkotrafiku ç’bëhet demokracia dhe shteti bie në duart e oligarkisë. “Kjo ndjenjë vetëbesimi e narkotrafikantëve, ky guxim i madh, tregon qartazi, jo se kemi një shtet të dështuar, por se kemi një shtet që është pjesë e kësaj. Segmente të caktuara janë pjesë e narkotrafikut dhe i japin mundësi që të hyjë edhe nga dera anësore. Kjo është shumë e rëndë dhe ne pikërisht këtë kërkojmë që t’i shkohet deri në fund, jo vetëm përmes hetimit të Prokurorisë, jo vetëm përmes një hetimi parlamentar, por nga ana tjetër tashmë ndaj një kryeministri që reagon në këtë mënyrë duke u tallur jo vetëm ndaj opozitës, por me të gjithë shqetësimet e qytetarëve shqiptarë, atëherë ne mendojmë se zgjidhja më e mirë është protesta qytetare ndaj kësaj qeverie dhe se ky ekzekutiv duhet të largohet. Nuk mundet që një qeveri ti sfidojë shqiptarët në këtë mënyrë, duke vënë në pikëpyetje të gjitha standardet e sigurisë dhe integrimin në BE”, – tha Bylykbashi për “ABC News”.

 

Trafiku i drogës

Për deputetin e PD-së, mbështetja e qeverisë ndaj trafikut të drogës vë në diskutim sigurinë e përditshme dhe të ardhmen jo vetëm të ekzekutivit, por të gjithë Shqipërisë. “Shtete të dështuara për shkak të narkotrafikut ka plot. Në Shqipëri kjo rrugë nuk mund ta ketë luksin, jo vetëm se në jemi në rrugën e integrimit evropian, dhe kjo do të na frenojë në mënyrë të frikshme në këtë rrugë tonë, por kjo mund të në ve një damkë të tillë që do të jetë shumë e vështirë që t’ia heqësh shqiptarëve. Një qeveria e cila për kaq kohë, jo vetëm që nuk doli që në ditën e parë që të thoshte se ka një problem ne do të marrim ta hetojmë deri në fund dhe do të bëjmë çmos për ta zgjidhur, por kemi të paktën për një muaj rresht një qeveri e cila u përpoq ta bllokojë, ta bënte qesharak argumentin, i krijoi alibi narkotrafikut dhe nga ana tjetër u përpoq të ngriheshin argumente për ta vrarë këtë çështje”, – pohoi Bylykbashi. Më tej ai e cilësoi komisionin hetimor të ngritur nga mazhoranca si manekin, i cili kishte për detyrë të hetonte denoncuesit dhe të ishte një garanci për përgënjeshtrimin e akuzave dhe jo për hetimin e tyre. “Nga ana tjetër, ne kemi raportime nga dëshmitarë okularë si në Divjakë ashtu edhe në Gjadër, të cilët janë ndjerë të presionuar si edhe rasti ndaj gazetarit, që mund të cilësohet haptazi mafioz. Pra, nuk kemi shtet që i del për zot situatës dhe merr përsipër ta zgjidhë. Nga ana tjetër kemi një shpërthim të narkotrafikut, kemi drogë që po kapërcen detin përmes trageteve dhe gomoneve. Raportimet e policisë në vite ishin në rënie për situatën e drogës tani jo që kemi rritje por e kemi edhe nga ajri”, – deklaroi ligjvënësi i PD-së.

 

 Berisha për ngjarjen e Divjakës/ “U faktua se Bajrami ndërroi mbiemrin dhe se Riformato nuk u regjistrua në sistemin TIMS”

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, theksoi dje se deklaratat e tij të mëparshme për ngjarjen e Divjakës u vërtetuan, pasi si drejtuesi i mjetit të kapur me drogë pranë avionit kishte ndërruar mbiemrin ashtu edhe piloti italian nuk ishte regjistruar në sistemin TIMS. “Dje (dy ditë më parë) në Gjykatën e Tiranës u faktua se: rilindasi ajror i Ramës, narko-piloti Riformato, ka hyrë dhe dalë nga Rinasi pa u regjistruar emri i tij në sistemin TIMS, madje ai nuk është regjistruar as në regjistrin e kontrollit fizik nëpër të cilin ka kaluar; Sajmir Bajrami është Sajmir Bega, mbiemrin e ka ndërruar pasi ka bërë 6 vite burg për trafik droge”. Më tej Berisha pohoi se në përgjigje të informimit publik të këtyre fakteve të shkruara në një status të mëparshëm në rrjetin social “Facebook”, qeveria nëpërmjet përfaqësuesve të lartë të saj deklaroi se ato janë të pavërteta. “Por në Gjykate i ra maska! Qeveria donte që hyrje-daljet në Shqipëri të rilindasit Riformato të ishin top sekret. Por dje në seancën e gjyqit doli se gjatë muajit prill, ortaku i Riformatos, Sajmir Bega, ka ardhur në Shqipëri tri herë. Nëse ka bërë fluturime këto dite me Riformaton vetëm Rama e di, pasi ai nuk regjistrohej në sistemin TIMS. Përgjigja është vetëm një: Rama IK! IK!!”, – bëri thirrje ish-kreu i qeverisë.

 

Mbështetje për statusin/ Basha takon Fischerin: Si opozitë kemi detyrë të mos heshtim kur qeveria shkel ligjin

 Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti dje Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer, në një takim ku u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Mësohet se Basha i kërkoi edhe një herë Presidentit Fischer, mbështetjen e Austrisë në mbledhjen e qershorit kur do të vendoset për statusin si edhe nxitje që Vjena zyrtare mund të bëjë tek vendet e tjera të BE-së, ku ajo ka ndikim, që Shqipëria ta marrë një përgjigje pozitive për statusin e vendit kandidat. Kreu i PD-së e njohu presidentin austriak me mbështetjen e pakushtëzuar dhe me lobimin që Partia Demokratike, si e vetmja opozitë në Ballkan, po i bën integrimit evropian të vendit dhe marrjes së statusit të vendit kandidat. “Ne realizuam shumë reforma dhe jemi krenarë për punën e bërë gjatë qeverisjes. Edhe sot në opozitë, Partia Demokratike po punon me mundësitë e saj, me partitë aleate evropiane që Shqipëria ta marrë në qershor statusin e vendit kandidat”, – tha Basha. Nga ana tjetër në këtë takim, kryeopozitari theksoi se qeveria ka krijuar shqetësime serioze duke vënë demokracinë dhe institucionet në sfida ekzistenciale. “Si opozitë e kemi për detyrë të mos heshtim, dhe të qëndrojmë, në rastet kur qeveria cenon institucionet e pavarura, kur merr kompetencat e Presidentit, kur nuk zbaton vendimin e gjykatave, kur shkarkon mijëra profesionistë të administratës duke shkelur në mënyrë të njëanshme një ligj të miratuar me konsensus, kur rendi është në pikë kritike dhe kur trafiku i drogës po cenon sigurinë tonë dhe të vendeve të BE-së”, – theksoi Basha.

Share it :