BIRN: Pas shembjes së rrugëve të Shqipërisë fshihet “klientelizmi dhe korrupsioni’

BIRN: Pas shembjes së rrugëve të Shqipërisë fshihet “klientelizmi dhe korrupsioni’

Nën tingujt e daulles dhe ritmit të valleve popullore, kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku ecën disa metra në këmbë mbi asfaltin e sapohedhur në segmentin rrugor Qukës-Qafë Plloçë më 5 shtator, për të përuruar përfundimin e punimeve.

Investimi në segmentin 43 kilometra, që etiketohet edhe si ‘rruga e florinjtë,’ nisi 15 vite më parë dhe besohet se u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë afro 260 milionë dollarë për të bërë të mundur lidhjen e fshatit Qukës në Librazhd me Qafën e Plloçës në Pogradec.

Por investimi shumëvjeçar dhe shumëmilionësh u bllokua vetëm dy muaj pas inagurimit, pasi një masiv gurësh ra nga skarpatat anësore në fund të nëntorit dhe pak javë më vonë pësoi shembje të plotë të bankinës dhe trotuarit në një aks të saj pranë fshatit Gështenjas.

Autoriteti Rrugor ‘fajësoi’ shiun e dendur për dëmet, por ky nuk ishte një incident i veçuar.

Aksi panoramik i rrugës Shëngjin-Velipojë, unaza e poshtme e qytetit të Burrelit apo tuneli I Murrizit në rrugën e Arbrit shfaqën gjithashtu defekte dhe probleme gjatë sezonit të dimrit, pavarësisht kostove dhe inaugurimeve të bujshme. Me alarm u përcoll në publik edhe një video e bërë nga kalimtarët në fillim të janarit në Tunelin e Llogarasë, ku shihej uji që rridhte nga tavani i tunelit.

Tuneli I Llogarasë bashkë me projekte të tjera të infrastrukturës janë vënë seriozisht në pikëpyetje, pasi një hetim i Prokurorisë së Posaçme ka zbuluar manipulimin e garës dhe paracaktimin e kompanive fituese përmes ndërhyrjes së ministres Belinda Balluku, njëherëzi numri 2 i qeverisë.

Por një kërkesë e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut mbahet peng në Kuvend nga mazhoranca socialiste prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar.

Për ekspertët e infrastrukturës dhe ekonomisë, incidentet e muajve të fundit me rrugët nuk duhen parë si të shkëputura, por si pjesë të papërgjegjshmërisë institucionale dhe lidhjeve korruptive dhe klienteliste në shpërndarjen e fondeve publike.

“Ndërtimi i këtyre rrugëve nuk bëhet për të vjedhur, por për të grabitur,” thotë inxhinieri Xhevahir Ngjeqari, i cili e lidh problemet e sigurisë së tyre që me mënyrën si janë projektuar, pa studime teknike të mirëfillta dhe me synimin për “përfitime ekonomike”.

Sipas tij, çdo vepër infrastrukturore si rregull duhet të kalojë në konsultim në disa këshilla teknikë dhe të bëhen studime gjeologjike të mirëfillta apo studime për interesin publik, procedura që sipas tij janë anashkaluar ose janë bërë në mënyrë fiktive.

“Këtu janë jashtë kontrollit, janë projekte të bëra me nxitim, pa studime teknike,” shton Ngjeqari.

Edhe sipas Zef Preçit, drejtor i Qendrës për Studime Ekonomike, pasojat që shihen me sy janë të lidhura me klientelizmin e të gjithë procesit të ideimit, projektimit, ndërtimit, supervizimit dhe deri në marrjen e këtyre veprave në dorëzim.

“Përgjithësisht projektimi i veprave infrastrukturore publike kryhet me cilësi të dobët, në mjaft raste pa shkelur fare terrenin fizik, por vetëm mbi bazën e hartave që merren në Google Maps, mungojnë studimet gjeologjike, injorohen master-planet zhvillimore të sektorit…,” tha Preçi për BIRN.

“Edhe në rastet kur në projektim përfshihen kompani të huaja me emra të mëdhenj, puna konkrete bëhet nga projektues vendas, shumë herë të nënpaguar dhe thjesht për të justifikuar formalisht dobinë e një vepre publike të caktuar,” shtoi ai.

Klientelizimi, sipas Preçit, vijon në gjithë hallkat e zinxhirit, pasi kompanitë apo inxhinierët që kanë për detyrë të merren me supervizionin gjatë kryerjes së punimeve, në mjaft raste përzgjidhen në kushtet e konfliktit të interesit. Kështu, raportimet për volume dhe cilësinë e punimeve që raportohen në situacionet e kompanive janë të fryra, fiktive dhe jo në përputhje me projektet përkatëse.

Preçi sugjeron se punimet në veprat infastrukturore kryhen përgjithësisht me cilësi të ulët dhe duke shkelur rëndë parametrat teknike të projektuar, sepse sipas tij, “ndërtuesit synojnë të maksimizojnë fitimet e veta dhe në shumë raste fondet përdoren për të ushqyer korrupsionin qeveritar”.

Ekspertët i konsiderojnë një pjesë të projekteve të kushtueshme pa interes publik dhe ekonomik për vendin, por që marrin jetë për shkak të interesave financiare që fshihen pas tyre.

“Tuneli i Llogarasë është vepër antikombëtare,” thotë Ngjeqari, duke sqaruar nga pikëpamja teknike nuk është marrë parasysh përbërja e malit me gur gëlqeror dhe rrjedhja e ujërave. Një tjetër shembull i mungesës së leverdisë ekonomike është sipas tij rruga Qukës-Qafë Plloçë, për të cilën thotë se kanë munguar studimet në fazën e projektit.

Zef Preçi flet për një model model klientelist të dhënies së tenderave në infrastrukturë të shpërndarë në gjithë vendin, ku bizneset fituese janë të regjistruar për llogari të personave të ekspozuar politikisht.

“Studimet dëshmojnë për rritje eksponenciale të tenderave që këto kompani fitojnë duke cënuar kështu, jo thjesht barazinë para ligjit, por edhe duke përkeqësuar dukshëm klimën e biznesit në vend,” thotë ai.

Preçi beson se të paktën gjysma e fondeve të dedikuara për projekte infrastrukturore, “nuk janë investuar realisht në ekonominë e vendit, por kanë shërbyer për të fuqizuar kompani të caktuara kliente të qeverisë”.

“…kanë ushqyer pasurimin e paligjshëm të segmenteve vendimmarrëse dhe ligjbërëse të elitës politike të vendit,” përfundoi ai.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :
Më keq se Vuçiçi’/ Berisha: Rama vuri sanksione ndaj Kosovës, çfarë duhet të bëjë tjetër të quhet kryetradhtar Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Foltoren në qytetin e Dibrës ka krahasuar qëndrimin e kryeministrit Rama ndaj Kosovës si “më të rëndë se ai i presidentit serb Aleksandar Vuçiç”. Berisha tha se qeveria shqiptare ka mbajtur qëndrime që dëmtojnë interesin e Kosovës dhe të shqiptarëve në rajon, duke përmendur takime dhe iniciativa rajonale që kanë synuar rishikimin e kufijve të Kosovës. Ai akuzoi Ramën për qëndrime politike në samite rajonale dhe për përdorim simbolikash, të cilat kanë përçuar mesazhe të gabuara për statusin e Kosovës. Berisha tha gjithashtu se Shqipëria ka mbajtur qëndrime të paprecedenta ndaj Kosovës, duke përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve, të cilat i cilësoi si të dëmshme për marrëdhëniet mes dy vendeve. Sipas tij, veprime të tilla nuk kanë ndodhur më parë nga asnjë qeveri shqiptare dhe përbëjnë, siç u shpreh, devijim nga interesat kombëtare. Deklarata e plotë: Dibrane dhe dibranë, shqiptare dhe shqiptarë, mendoni pak. Mendoni pak çfarë i bëri Kosovës. Më tepër se Vuçiçi. Absolutisht më keq. Ja të ndalemi. Erdhi në pushtet, drejt e në Beograd. Nuk ishte me katër sy. Ishte me gjashtë sy, aty ishte dhe Batoni, ish-agjenti personal i Stankoviçit. Çfarë ra dakord aty? Çfarë u bë? Doli që Kosova duhet të dorëzojë territore. Doli që duhet të ndryshojnë kufijtë e Kosovës. Paçka se Kosova kishte fituar gjyqin ndërkombëtar. Paçka se në gjykatë ndërkombëtare nuk kishte paditur Kosova, kishte paditur Serbia, Kosovën. Dhe Kosova kishte, dhe Serbia kishte humbur gjyqin. Dhe gjykata i kishte njohur kufijtë ekzistues si kufi ndërkombëtar të Kosovës. Gjykata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Po ato nuk i njihte Vuçiçi. Dhe tani duhet t’i vinte në diskutim edhe argati i tij. Dështoi me këtë. Shkoi në Novi Sad. Mos harroni kurrë atë hartë të vendosur në katedrën ku po flisnin, e cila tregonte Kosovën pjesë të Serbisë. Në qoftë se simbolet flasin, ai ishte simboli më i urryer ndaj shqiptarëve. Edi Rama fliste aty duke patur përpara një hartë në të cilën Kosova ishte shkrirë, s’ekzistonte më. Dhe këtë hartë e postoi në Facebook-un e tij. Cili ishte kuptimi? Kosova duhej të ndahej. Projekti i parë që thoshin, ja po ti kalojmë ca fshatra të të, aty Preshevës vijnë këtej, këto shkojnë andej e këto me radhë, absolutisht s’ishte asgjë tjetër, vetëm Serbia gjer tek Patrikana në Pejë, i merrte të gjitha ato territore. Ky projekt ishte i Slobodan Millosheviçit dhe e ka sjellë në zyrën time nëpërmjet ndërmjetësve nga Greqia dhe Turqia disa herë. Por natyrisht s’më shkonte mendja kurrë të pranohej. Dështoi dhe me këtë. Vuri sanksione, i pari në Evropë që vuri sanksione ndaj Kosovës. A mund të ndodhë kjo mor miq? Po çfarë duhet të bëjë tjetër më shumë të quhet kryetradhtar? Si moj i vure sanksione? Çfarë të bëri Kosova ty që i vure sanksione? Përveç respektit. Ju e dini çfarë respekti dhe adhurimi kanë për Shqipërinë. Paditi kryeministrin e Kosovës në gjyq, s’ka ndodhur kurrë. Një kryeministër të padisë kryeministrin tjetër. Ky po, e paditi. E paditi sepse natyrisht nuk mund të pranonte kurrë aktet e tij të copëtimit të Kosovës. Do hartonte ky, Paniç i ri, statutin e Asociacionit të komunave serbe si një shtrirje të shtetit serb në Kosovë. Po si mundet? Si mundet një shqiptar? Po se mori përsipër këtë as kryeministri i Maqedonisë, as i Bullgarisë, as i Rumanisë, asnjë! Si mundet ti të jetë një argat i verbër i Vuçiçit? Dhe Veriu i Kosovës tokë e askujt. Ta marrin në dorë KFOR-i. Do kthehet në kohën e bronzit. Se sipas tij Putini do hidhte armë bërthamore në Kosovë.