Berisha: U ktheva! Nuk kam qenë kurrë non-grata në SHBA, ka pasur vetëm një ndalim hyrje. Kam pasur komunikim zyrtar
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, ku është pyetur mbi statusin e tij të mëparshëm të ndalimit të hyrjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe komunikimet e tij zyrtare.
Berisha u shpreh se nuk ka qenë “non-grata” në SHBA, por sipas tij ka pasur vetëm një ndalim hyrjeje. Ai theksoi gjithashtu se ka pasur komunikim zyrtar lidhur me çështjen.
I pyetur nëse ky vendim prek vetëm atë apo edhe familjarët e tij, Berisha përsëriti se sipas tij nuk ka pasur status “non-grata” dhe se bëhet fjalë për një masë ndalimi hyrjeje.
Në lidhje me njoftimet e mëparshme nga autoritetet amerikane, përfshirë deklaratat e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, Berisha u shpreh se situata ka qenë një ndalim hyrjeje për arsye të përmendura më herët.
Ai përfundoi deklaratën e tij duke theksuar: “Sot unë them u ktheva.”
FJALA E BERISHËS:
Çdo shqiptari unë i thashë në parlamentin e Shqipërisë, u ktheva.
Zoti Berisha a mund të na thoni me kë keni komunikuar?
Sali Berisha: Përderisa jam këtu, unë kam pasur komunikim zyrtar. E gjitha çfarë mund t’u them: unë u ktheva.
Është vetëm për ju apo për të gjithë familjarët tuaj?
Sali Berisha: Sali Berisha nuk ka qenë kurrë non-grata. Të jeni të sigurtë.
Ka qenë se kemi njoftimin e Blinkenit?
Sali Berisha: Nëse do tani, po të them, Sali Berisha nuk ka qenë kurrë non-grata. Ka pasur një sanksion, vizën.
Pra, nga sot ju mund të lëvizni i lirë?
Sali Berisha: Tani edhe njëherë, se ti nuk e ke gabim që pyet, sepse kundërshtarët e mi e quajtën non-grata dhe unë nuk është se e kundërshtova.
Ka qenë një sanksionim për ju dhe familjarët tuaj për minim demokracie dhe korrupsion.
Sali Berisha: Edhe njëherë, ka qenë një ndalim hyrje për ato arsye që thua ti në SHBA.
Sot është hequr për ju dhe për familjen tuaj apo vetëm për ju?
Sali Berisha: Sot unë them u ktheva. U ktheva!




