Berisha, intervistë për gazetën italiane ‘Libero’: Shqipëria po humbet të ardhmen e saj

Afera Rama-Mcgonigal, stanjacioni në procesin e integrimit dhe zhvillimet në Kosovë kanë qenë kryefjalë e intervistës që lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dhënë për gazetën italiane “Libero”. Berisha vlerësoi rolin konstruktiv të Italisë në dialogun Kosovë-Serbi dhe hoqi paralele mes flukseve emigratore nga rajoni ynë dhe Libia drejt Italisë. Berisha foli edhe për vendimin e SHBA-ve për shpalljen e tij “non-grata”, për të cilën u shpreh se askush nuk ka nxjerrë prova që lidhen me të.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë një intervistë për gazetën italiane “Libero”, ku është fokusuar te situata në Shqipëri dhe zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit.

Në nisje të kësaj interviste, Berisha foli mbi rolin e Italisë në dialogun Kosovë-Serbi, si një çështje me rëndësi për të ardhmen e Ballkanit dhe hoqi paralele mes flukseve emigratore nga rajoni ynë dhe Libia drejt Italisë.

Berisha tha se për kryeministrin Rama më e rëndësishme është ruajtja e marrëdhënieve dhe afrimiteti me Rusinë dhe Turqinë se sa me Evropën.

“E kam pershendetur vullnetin e Italisë për të dërguar një përfaqësues special në Ballkan për të ndërmjetësuar dialogun Kosovë-Serbi. Dhe mendoj se bën mirë që interesohet për çështjet ballkanike, kjo edhe për faktin se, kur krijohen probleme në këtë pjesë të Adriatikut, është pikërisht Italia e para që paguan pasojat e flukseve emigratore. Ashtu sikurse me Libinë.

Por, për fat të keq, në Tiranë është një qeveri që shikon më shumë drejt Serbisë dhe Turqisë, se sa drejt Bashkimit Evropian.

Kryeministri i vendit, Edi Rama po bën gjithçka mundet për t’u afruar gjithmonë e më shumë me Ankaranë.

Madje, një muaj më parë, ka deklaruar se, roli i Turqisë në rajonin e Ballkanit, është jo vetëm i rëndësishëm, por deciziv. Duke u vendosur në këtë mënyrë në një rol vasali”.

Berisha akuzoi shefin e qeverise Edi Rama si përgjegjësin kryesor për shpopullimin e Shqipërisë.

Më shumë se 31% e popullsisë ka emigruar drejt vendeve të BE-së në 8 vitet e fundit. Mbi gjysmë milionë prej tyre janë të rinj, nën 22 vjeç. Nuk ka patur luftë që ka qenë më shkatërruese se Edi Rama. Shqipëria po humbet të ardhmen e saj.

Ai ka folur gjithashtu edhe për vendimin e SHBA-ve për shpalljen e tij “non-grata”, për të cilën u shpreh se askush nuk ka nxjerrë prova që lidhen me të.

“Janë bazuar në deklaratat e shkruara në disa gazeta kundër meje. Unë jam përpjekur gjithmonë të tregoj se jam i gatshëm të përballem me të gjitha akuzat në gjykatat ndërkombëtare, i gatshëm të tërhiqem nëse ndaj meje dalin prova që vërtetojnë këto akuza, që në të vërtetë nuk ekzistojnë”.

Po ashtu, Berisha ka folur edhe në lidhje me skandalin e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, McGonigal dhe lidhjet e këtij të fundit me kryeministrin Rama, por edhe me paraardhësin e tij, Lulzim Basha.

Berisha ndërkohë ka dhënë edhe mbështetjen e tij maksimale për kryeministren e re të vendit, Giorgia Meloni.

 

Share it :