Artan Hoxha: Kemi liderin, është Sali Berisha; tani duhet të ripërtërihemi për fitoret e ardhshme

Artan Hoxha: Kemi liderin, është Sali Berisha; tani duhet të ripërtërihemi për fitoret e ardhshme

Eksperti i ekonomisë dhe analisti Artan Hoxha mbajti një fjalim në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, ku bëri një analizë të zhvillimeve politike të viteve të fundit dhe sfidave me të cilat është përballur opozita.

Hoxha vlerësoi qëndresën e demokratëve gjatë periudhës që e cilësoi si më të vështirën në historinë e pluralizmit shqiptar, ndërsa akuzoi qeverinë dhe aleatët e saj për përpjekje të vazhdueshme për të dobësuar opozitën.

Hoxha: Përshëndetje demokratë dhe demokrate. Kam kënaqësi që rikthehem në këtë Kuvend pas 4 vitesh, por kujtoj që 5 vite më parë ju iu përgjigjët thirrjes së Sali Berishës. Shumë nga ju e dinin që do të fillonte një fazë shumë e vështirë, të tjerët e mësuan shumë shpejt. Dhe këto vite kanë qenë vitet më të vështira në historinë e Partisë Demokratike dhe pluralizmit shqiptar, të paktën në 20 vitet e fundit.

E them këtë sepse sot duket e qartë që ka 20 vite që ka një konspiracion mes një pjese të elitës shqiptare dhe një pjese të elitës neoliberale amerikane dhe europiane, për ta sjellë në pushtet Edi Ramën dhe për ta mbajtur atë me çdo kusht në pushtet. Dhe ky konspiracion përbëhet nga tre shtylla kryesore. E para, inkurajim dhe tolerim i bashkëpunimit me krimin e drogës. E dyta, përdorimi i shtetit për të rimarrë pushtetin me çdo mjet. Dhe e treta, ajo që hoqëm më së shumti këto vitet e fundit, është ose vasalizimi, ose asgjësimi i Partisë Demokratike dhe opozitës reale të vendit. Ju nuk i latë ta realizonin këtë objektiv dhe ja ku jemi sot. Plani i tyre ishte asgjësimi, plani ynë ishte mbijetesa. Çfarë nuk të vret të forcon.

Tashmë duhet të ripërtërihemi për betejat e ardhshme, por për të ardhmen do të duhet të reflektojmë për të shkuarën edhe mbi gabimet tona. Dhe unë dalloj tre gabime të qenësishme, të forta. Më së pari, regjimi i Ramës dhe “Rilindja” e tij janë e keqja më e madhe, po a e kemi pasur kaq fort këtë mendim në historinë tonë të viteve të fundit? 2017-a nuk e tregon këtë dhe na ka kushtëzuar marrëdhëniet me kundërshtarin dhe marrëdhëniet me aleatët. Por edhe 2013-a ishte një lloj shkrepje dhe 2021-shi ishte një marrëzi. Ndaj është një gabim që nuk duhet bërë.

E dyta, ne kemi tentuar të bëjmë lider dikë që s’e kishte atë stof. Kemi dashur me zor ta bëjmë. Aq sa largimi nga parlamenti dhe mosmarrja në zgjedhjet lokale, ndonëse unë jam përpjekur të mos ndodhin, i kam parë jo si në padije, por si një nevojë për të krijuar beteja radikale që lideri që humbi moralin të fitonte atë në beteja radikale. Fatmirësisht e kemi liderin, ai është Sali Berisha, është bio me certifikatë të plotë.

E treta, kam vënë re një lloj sëmundjeje në Partinë Demokratike. Është një lloj pritshmërie: çfarë mendon doktori, çfarë do bëjë doktori, lëre atë punë se e ka gjetur një zgjidhje doktori. Jo, ripërtëritja duhet të jetë një angazhim në çdo qelizë të Partisë Demokratike; çdo demokrat ka vend për vetëangazhim, për ide, për objektiv personal, për objektiv në grupe të vogla, drejt arritjes pjesë-pjesë të fitores së madhe.

Unë, nga ajo pjesë e vogël e frontit, aq i gjerë sa shpatullat e mia, do të vazhdoj ta bëj siç e kam bërë. Unë besoj që secili nga ju, demokratë dhe demokrate në gjithë Shqipërinë, në këtë sallë dhe ata që po na ndiqni, opozitarët e vërtetë që nuk i bën kush opozitarë — janë të tillë pa shfaqje, llozhë sa të duash nuk bëhen po qe se nuk janë — do të bëjnë secili detyrën e tyre dhe të gjithë tok do të shkojmë drejt fitoreve të ardhshme për t’i rrëzuar edhe dy shtyllat e mbetura të këtij konspiracioni që mban në këmbë këtë regjim.

Ju faleminderit, ju dua shumë, suksese.

Share it :