Aruba u vërtetua. Dhe hija e Edi Ramës është aty

Aruba u vërtetua. Dhe hija e Edi Ramës është aty

Nga Grigels Muçollari/

Gazetari italian Nello Trocchia, autor i një libri për mafian shqiptare, i kushton një kapitull Arubës: takimit të krerëve të narko-trafikut me eksponentë të lartë të qeverisë së Edi Ramës. Trocchia e ka marrë këtë informacion nga dosja e Antimafias italiane dhe, për shkak të punës së tij, është marrë në mbrojtje nga autoritetet italiane.

Tetë muaj më parë, në një intervistë për Syri TV, ai deklaroi se i ishte drejtuar Edi Ramës me pyetjet: a e kishte takuar ndonjëherë Artur Shehun? A kishte qenë ai vetë, ministra apo zyrtarë të lartë të qeverisë së tij në Aruba, në takim me eksponentë të lartë të krimit dhe trafikut të drogës? Përgjigje nuk pati.

U fol shumë për ishullin ekzotik në Antilet Hollandeze dhe për samitin qeveri-krim, ku dyshohej se ishte projektuar futja e parave të narko-trafikut në ekonomi, kryesisht në ndërtim. Qeveria nuk e pranoi kurrë. Propagandistët e saj u tallën.

Por dje, zyrtarisht nga SPAK, Aruba u pranua. Dosja hetimore tregon se takimi ka ndodhur.
Një konfirmim me dokumente dhe fashikuj i akuzave që prej kohësh i janë bërë Kryeministrit për skemën e futjes së parave të drogës në ekonomi, kryesisht në ndërtim.

Një mekanizëm i tillë kriminal nuk mund të vihej në jetë pa bekimin e arkitektit të tij politik, që në këtë rast është Edi Rama.
E vërteta jo vetëm doli në shesh, por në shesh ka çdo ditë thirrje kundër narko-shtetit dhe kërkohet largimi i bosit të madh.

Pikërisht një lojtar kyç i Arubës, Artur Shehu, rezulton i përfshirë edhe në investimin e Zvërnecit. Edhe kjo rastësi?

Ironi e fatit. Ishte Aruba, ishulli i ujërave kristal dhe flamingove, që për vite u paraqit si një teori konspirative. Sot, janë pikërisht ato ujëra të kthjellëta që duket se po nxjerrin në sipërfaqe atë që përpiqeshin të mbanin në fund: lidhjet e errëta mes krimit, parasë dhe pushtetit. Dhe hija e tyre duket se shtrihet deri në Zvërnec.
Po tani, a ka diçka për të thënë Edi Rama?

Ai është drejtpërdrejt përgjegjës politikisht dhe nën akuzë publike.

Në fillim e mbolli. Tani po korr Arubën.

Share it :