Antiterrorizmi/ “Martesa”, policia italiane shkatërron familjen italo-shqiptare të xhihadistëve

 

Artan Cena

Maria Giulia Sergio kish kurorëzuar në martesë me shqiptarin 27-vjeçar Aldo KobuziNë Shqipëri është vënë në pranga Baki Çoku, ndërsa në Itali janë arrestuar pjesëtarët e familjes së asaj që njihet si “Lady Xhihad”, që është martuar me shqiptarin Aldo Kobuzi

 Një krushqi e lidhur në vitin 2014 mes familjes së një vajze të re italiane dhe një shqiptari me origjinë nga Laçi ishte shndërruar shumë shpejt në një celulë terroriste që rekrutonte luftëtarë për ISIS-in (“shtetin islamik”). Pas 8 muajve hetime, në një operacion të gjerë të shtrirë në disa qytete në Itali dhe në Lushnjë të Shqipërisë, 10 persona ranë në pranga (4 italianë, 5 shqiptarë dhe 1 kanadez). Operacioni është koduar “Martesa” në shqip, pikërisht prej dashurisë që 27-vjeçarja napolitane Maria Giulia Sergio kish kurorëzuar në martesë me shqiptarin 27-vjeçar Aldo Kobuzi në shtator të vitit 2014. Vetëm një muaj më vonë, me largimin e çiftit në Siri nisën edhe hetimet të cilat zbuluan të gjithë bazën e qe u konkretizuan me arrestime mëngjesin e djeshëm, ndërsa disa prej tyre ishin gati të niseshin për në Siri.

 

Aksioni në Itali

Në Itali u arrestuan babai i italianes, Sergio me profesion murator, me emrin e konvertuar në Islam Ibrahim, nëna e saj Assunta, motra Marianna dhe tezja e bashkëshortit të saj Aldos, Arta Kacabuni rezidente Scansano. Ndërsa në operacionin i cili u zhvillua nga policia jonë, u arrestua në Lushnjë Baki Çoku daja i të riut të martuar me xhihadisten italiane. 40-vjeçari jeton në provincën e Grossetos por ishte kthyer prej pak javësh në vendlindjen e tij, Lushnjë. Sipas hetimeve, Maria Giulia Sergio ndodhet në Siri në mbështetje të ISIS-it me burrin e saj Aldon, nënën e këtij të fundit Donikën dhe mbesën Serjola Kobuzi. Dy familjet ishin konvertuar myslimanë dhe dyshohet të kenë lidhje me shoqata apo organizata terroriste pasi kishin organizuar dhe një udhëtim ne Siri për tu bashkuar dhe luftuar me grupet e ISIS-it. 27-vjeçarja Maria Gulia Sergio u konvertua në islam në vitin 2009. Në shtator 2014 ajo u martua me shqiptarin Aldo Kobuzi, martesa e dytë për të renë italiane. Veçse vendosjes së shamisë, Maria ndryshoi edhe emrin në Fatima.

 

Përgjimet

Hetimet morën rrjedhë edhe falë gjurmimit të komunikimit me kompjuter midis vajzës italiane dhe familjarëve të saj. Gjatë ditëve të fundit familja ka tërhequr pasaportën gjatë fazës së rinovimit çka solli dhe në përshpejtimin e operacionit për t’i arrestuar këtë mëngjes. Maria eci shpejt drejt radikalizmit. Sipas hetimeve, e reja është shtyrë të niset së bashku me bashkëshortin e saj në Siri, për tu bashkuar me shtetin islamik dhe për të qenë pjesë e xhihadit. Rrugëtimi i çiftit drejt Sirisë është rindërtuar përmes përgjimit të aparatit të një prej koordinuesve të organizatës të “Foreign Fighters” të shtetit islamik. Përgjimi ka bërë të mundur rindërtimin e aktivitetit të klasifikimit të të huajve që vijnë nga vende të ndryshme të botës për tu bashkuar me milicinë e Kalifatit. Policia italiane thotë se përmes përgjimeve është zbuluar ndër të tjera se vajza italiane është shprehur disa herë se “është e gatshme të vetësakrifikohet”.

 

Babai mohoi vajzën

Në një reportazh të kryer nga mediat italiane për vajzën xhihadiste e cila lufton në Siri, babai i të resë ka mohuar para kamerave të ketë vajzë Maria Giulia Sergion. I pyetur nga gazetari nëse do të shkonte të luftonte në Siri, ai fillimisht është përgjigjur po, por më tej ka shtuar: Nuk i dihet. Por, duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarit Danilo Ëolf, babai i Marias, Sergio thotë se nuk dënon sulmin në Paris në satiriken “Charlie Ebdo”.

 

Alfano: Ditë e rëndësishme kundër terrorizmit

Ministri i Brendshëm italian Angelino Alfano ka reaguar pas operacioneve antiterrorizëm të shtrira në Itali dhe në Shqipëri. Në disa postime në Twitter, Alfano shkruan se “sot është një ditë e rëndësishme kundër terrorizmit”. Ai pohon se në 2 operacione të mëdha, u goditën celula terroriste. Ministri italian shton se operacionet demonstruan nivelin e lartë të profesionalizmit të Policisë dhe organeve hetimore.

 

 Apeli lë në qeli gjyqtaren Parashqevi Ademi, akuzohet për korrupsion

Gjykata e Apelit për krime të rënda, refuzon lirimin nga burgu të gjyqtares së Lezhës Parashqevi Ademi dhe avokatin Gjovalin Ndokaj, të akuzuar për korrupsion. Gjykata la në fuqi vendimin e “arrestit me burg” dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë dy javë më parë, duke refuzuar kërkesën e të dyshuarve për t’u liruar. Sipas akuzës, avokati Gjovalin Ndokaj i kishte marr 2 mln lekë një qytetari për ti mbyll një çështje në Gjykatën e Lezhës, tek gjyqtarja Parashqevi Ademi. Ditën e arrestimit, gjyqtares ju gjetën 500 mijë lekët e dhënë nga avokati dhe 1.5 mln lekët që i kishte mbajt për vete avokati Ndokaj. Prokuroria akuzon dy të dyshuarit për akuzën e “korrupsioni aktiv dhe pasiv” në bashkëpunim.

 

Frroku, në kërkim ndërkombëtar, u largua pa lënë shenjë në TIMS

 Tri ditë pas dënimit me burg përjetë dhënë nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, biznesmeni Arben Frroku shpallet në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana. Frroku, i dënuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në shkurt të 2013-ës, u largua nga Shqipëria më 20 qershor, 1 ditë para zgjedhjeve dhe 48 orë para vendimit të Apelit. Ky i fundit u shty për të hënën e 29 qershorit ku dhe u vendos të rrëzohet pafajësia e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në prill të këtij viti dhe me kërkesë të Prokurorisë që apeloi çështjen, Gjykata e dënoi me burg përjetë Frrokun si autorë të vrasjes së komisarit të policisë. Mbetet mister se si Arben Frroku ka mundur larguar nga Shqipëria pa lënë shenjë në sistemin TIMS. Burime të policisë thonë se ditën e largimit të Frrokut nga Shqipëria sistemi TIMS nuk punonte, por se policia pretendon se emri është shënuar në regjistrat manualë të kufirit. Gjithsesi ky fakt ende nuk është i verifikuar. Për herë të fundit Frroku është ndaluar në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë dhe është lënë i lirë pas verifikimit se nuk rezultonte në kërkim, kjo më shumë se 1 javë më parë kur ende nuk ish dhënë vendimi i Apelit. Po ashtu ai nuk rezultonte në regjistrat elektronikë të kufirit malazez, çka bëri që ai të ndalohej për mese pesë orë. Pas verifikimeve me autoritetet shqiptare u konfirmua se ai deri në atë moment nuk kishte ngarkesa penale, apo të ishte i kërkuar. Pavarësisht kësaj Frroku ishte ende në proces gjyqësor në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, ku pritej të ankimohej vendimi i pafajësisë së dhënë nga Shkalla e Parë, për akuzën e vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamajt.

 

Marrëdhënie intime në publik me një të moshuar, hetohet i riu

 Policia e Tiranës ka nisur hetim në gjendje të lirë ndaj një të riu pasi akuzohet për marrëdhënie seksuale në vende publike. Në komunikatën e policisë së kryeqytetit thuhet se A. T., 18 vjeç, dyshohet se ditën e martë, më 30 qershor, rreth orës 18:00 ka kryer marrëdhënie intime tek Kthesa e Kamzës me 64-vjeçaren Rr. M., banuese në Kamëz. Sipas nenit 107 të Kodit Penal, kryerja e marrëdhënieve seksuale në vende publike ose në ambiente të ekspozuara nga vështrimi i njerëzve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Share it :