Albanian Files ose Edi Rama si arkitekti i puçit të betonit

Albanian Files ose Edi Rama si arkitekti i puçit të betonit

Nga Genc Burimi

Kurrë më parë shqiptarët s’kishin dëgjuar se Kryeministri i tyre kishte qenë autori i parathënies së një libri arkitektësh ndërkombëtarë me 800 faqe dhe 500 projekte betoni për Shqipërinë. Aq më pak s’kishin dëgjuar ata për ekzistencën e vetë këtij libri me kopertinë rozë dhe me kryearkitekt Edi Ramën.

Sot, kur e vërteta u bë publike nga mediat dhe u shndërrua në një motiv më shumë skandali për protestuesit për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit, ky i fundit, i kapur në flagrancë, vendosi më në fund të shpjegohet mbi Albanian Files. Por në podkastin e tij, në vend të transparencës sesi janë miratuar prapa kurrizit të shqiptarëve plot 525 projekte faraonike betoni, ndër të cilat edhe ai në Zvërnec, Rama llomotiti në mikrofonin e tij vetëm justifikime pa vend shoqëruar me mashtrime publike dhe harresa lebetitëse. Kryeministri e filloi narrativën e tij mbrojtëse me taktikën “mbrojtja më e mirë është sulmi”. Për të, kërkimi i llogarisë se ç’janë këto dosje shqiptare projektesh betoni ka vetëm një emër: “inkuizicion

Këtë fjalë e përsërit tre herë: protesta e pyet ç’janë këto qindra e qindra projekte që na i kishe mbajtur sekret, ky e fillon podkastin me përgjigjen më surrealiste që mund të ekzistonte: çfarë është ky inkuizicion! Për Kryeministrin ata që guxojnë të pengojnë modernitetin e vizionit të tij betonues për Shqipërinë janë si ata inkuizitorët e Kishës Katolike që kërkonin të pengonin vizionin modern të Galileit mbi sistemin diellor!

Që në hyrje të podkastit Kryeministri shkon shumë larg në delir, por kjo metodë e mirëkalkuluar kundërsulmi nuk përbën më surprizë për askënd. Më tej, për të evituar të japë llogari dhe për të justifikuar “Albanian Files”, shkon dhe krahason vizionin e tij largpamës arkitekturor për Shqipërinë me epokën e arkitekturës së grataçelave të Nju Jorkut në vitet ’30. Në këtë krahasim, po aq të marrë sa me atë të inkuizicionit të Kishës Katolike ndaj largpamësve, Rama harroi tinëz të shtonte se shpikja e grataçelave nga shkolla arkitekturore e Çikagos në fund të shekullit të 19-të u refuzua në shumë pjesë të Amerikës. Pas një debati transparent publik, qytete të mëdha amerikane si Boston, Filadelfia, Los Angeles, Washington D.C. etj., nën presionin e votuesve ndaluan ndërtesa mbi 37 metra të larta. Në Shqipëri, tragjikja me Edi Ramën nuk është debati mbi estetikën e urbanizmit, sepse në këtë pikë secili mund të ketë një opinion të vetin, por mungesa e çdo debati. Çdo gjë me vlerë publike në territorin e Shqipërisë vendoset nga Edi Rama, që nga ligjet, nga shpronësimet, tek caktimi i arkitektit e deri siç po e shohim sot, tek parathënia e librit të 60 arkitektëve me famë botërore kushtuar Eldorados shqiptare ku ata po fitojnë kontrata e para si në asnjë cep tjetër të botës. Normalisht, parathënien e një libri profesionistësh botërorë e bën një kryeekspert po me aq famë botërore. Në rastin shqiptar, kryeeksperti i arkitekturës dhe i urbanizimit të territorit të Shqipërisë është Edi Rama. Me një të rënë të lapsit, ai hap siparin e jo pak, por mbi 500 projekteve pa minimumin e një konsultimi publik. Edhe Emiri i Katarit do ta kishte zili…

Në vazhdën e justifikimeve surrealiste që shfaqi në podkast në lidhje me librin Albanian Files, dhe si për t’u vetëmbrojtur pikërisht nga kjo akuzë sesi një njeri i vetëm vendos për 500 e ca projekte jo bujtinash, por kullash dhe resortesh, ja sesi u justifikua Rama: nuk isha në dijeni të gjithçkaje që përmbante libri të cilit i kisha shkruajtur parathënien! Të qeshësh apo të qash? Apo të dyja bashkë? Vetëm në botën e një iluzionisti si Edi Rama një gjë e tillë është e mundur, që trajneri i skuadrës bën 11-shin, por nuk e di planin e lojës së lojtarëve. Kur Rama shprehet se “as nuk e kisha parë se çfarë përmbante libri përpara se të botohej”, ai kujton se i flet nga podkasti deputetes Zeqine që kjo ta shpërndajë lajm të mirë se Rama nuk ishte në dijeni se çfarë kanë shkruar arkitektët që ai vetë ka sjellë në Shqipëri, se nga qielli s’ranë. Vetëmbrojtje interesante, sepse duke deklaruar se e injoron çfarë kanë hartuar arkitektët për shqiptarët pa dijeninë e shqiptarëve, Rama kujton se eviton kështu të japë edhe ca shpjegime se nga dalin burimet për të financuar 500 projektet, 60 studio arkitekture luksi që kushtojnë sipas vetë shprehjes së Ramës “sa qimet e kokës”. Shqipëria e Ramës nuk ka 500 projekte as takat financiar në fusha vitale si bujqësia, arsimi, shëndetësia, pensionet etj., por për kullat dhe resortet ka një libër 800 faqesh, ka 500 projekte si dhe beton e para që derdhen pafundësisht.

Mospaja se çfarë përmban libri të cilit i ofroi me shumë kompetencë parathënien i shërbeu në fund të podkastit Ramës të dalë edhe nga një situatë tjetër e komplikuar që i ka shkaktuar rënia e këtij libri në duart e opinionit publik. Në mes të këtyre faqeve të shumta ndodhet aty me bekimin e Edi Ramës si parathënës letra e arkitektit Reiner de Graaf, mik dhe nënkontraktor kryesor i Ramës, ku ai shprehet se Shqipëria nuk ka nevojë për demokraci, por vetëm për Edi Ramën të cilit i uron pushtet të përjetshëm.

Sigurisht, edhe në këtë pikë Rama i kapur në flagrancë çmendurish e përmbys situatën duke i trajtuar si të çmendur apo inkuizitorë ata shqiptarë që s’e paskan kuptuar mirë “auto-ironi” e arkitektit të famshëm! Auto-ironia është kur bën ironi me veten. Por De Graaf nuk i drejtohet me atë letër vetes, por popullit shqiptar duke i thënë se s’keni nevojë për zgjedhje për aq kohë sa të keni Edi Ramën. Le ta provojë arkitekti komik holandez ta bëjë këtë “auto” ironi me popullin e tij dhe t’u rekomandojë holandezëve se familja mbretërore mjafton për të drejtuar vendin, pa parlament, pa gjykata, pa zgjedhje. Pa dyshim, Reiner de Graaf-it iu duk më pak e rrezikshme të bëjë një “auto” ironi të tillë me shqiptarët, përderisa vetë shefi i shqiptarëve i jep dritën jeshile të shkruajë shaka të tilla pa kripë duke i ofruar edhe parathënien e librit si forma më e lartë e bekimit për gjithçka që përmban libri Albanian Files.

Ky libër do të mbetet në historinë e brezave të ardhshëm si një nga çmenduritë më të çmendura të Edi Ramës. Por tani që falë ngulmit të protestuesve ky libër Rama nuk e përmendi kurrë më parë derisa u detyrua nga “turma”, duhet shkuar edhe më larg: duhet kërkuar burimi i financimeve të këtyre 500 projekteve.

Pas shakasë së neveritshme të holandezit fluturonjës nga një kontratë të majme në tjetrën pavarësisht formës së regjimit, pas puçit të betonit, ky libër me volumin opak të projekteve të pajustifikuara si nga lloji për një vend kaq të vogël sa Shqipëria dhe nga kostot, duhet ta çojë drejtësinë shqiptare të hulumtojë tek një puç edhe më të rrezikshëm për fatin e shqiptarëve, puçi i mafias. Me para të afta për të financuar studio dhe projekte të tilla, mafia është e aftë të blejë edhe heshtjen e atyre që e kanë në dorë t’i japin fund kësaj maskarade.

Paraja korrupton gjithçka, por një popull të tërë kurrë, i cili ditën kur s’ka drejtësi do të kërkojë vetëdrejtësi. Ky është dhe sensi i vërtetë i thirrjes së atyre heronjve në bulevardin e Tiranës “Shqipëria nuk është në shitje”, që përkthehet: dinjiteti nuk shitet.

Share it :