A do pyesin më gazetarët pse iku Ahmetaj?

A do pyesin më gazetarët pse iku Ahmetaj?

Nga Petrit Vasili/

Gazetarë dhe analistë pyesnin me shumë pasion nëpër studio kohë më parë: Pse iku Ahmetaj? Pse nuk kthehet që të përballet me drejtësinë?

Tashmë, pas ngjarjeve dramatiko-mafioze që po shohim me Veliajn, besoj se një detyrim që t’i kërkojnë ndjesë Ahmetajt për këto pyetje këta gazetarë e kanë apo jo?

Sigurisht, fjalën e kam për ata gazetarë që në mënyrë naive e bënin këtë pyetje, se që të jemi të sinqertë, shumica e atyre që pyesnin në këtë mënyrë ishin gazetarë të borderosë së Ramës.

Por që ta shtyjmë edhe pak më tej arsyetimin, le të kthehemi pak edhe tek krahasimi Ahmetaj versus Veliaj.

Veliajt po i bëhet një trajtim në shkelje të normave bazike ligjore, që garantojnë të drejtat e tij si i paraburgosur.

Kjo ka ardhur si pasojë e disa deklaratave politike të tij, por edhe imponimit të tij për vendime që lidhen me drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

Deri më sot Veliaj nuk ka thënë asgjë për aferat e Edi Ramës, nuk ka bërë publik asnjë fakt për rolin e Ramës në afera si ajo e inceneratorëve apo edhe plot të tjera, që lidhen me Kryeministrin, ndonëse të gjithë e dinë që Veliaj di dhe mund të thotë shumë.

E megjithatë Rama nuk e kurseu dhe u shndërrua edhe në Drejtor Burgjesh për ta kërcënuar e shantazhuar Veliajn për kaq pak, megjithëse në fillim Rama e kishte mbrojtur, bile mbushi edhe sheshin Skënderbej në miting për mbrojtjen e Veliajt, bile bëri protestë edhe para SPAK-ut, ku u sulmuan edhe prokurorët specialë, që kishin akuzuar Veliajn.

Po me Ahmetajn si qëndronte puna?

Që në fillim Rama kundër tij u tregua agresiv në ekstrem, bile arriti të thoshte që shyqyr që nuk e kishte ai në dorë, se do t’ia bënte keq e më keq Ahmetajt.

Ndërkohë Ahmetaj ka denoncuar afera tepër të rënda që kanë tronditur nga themelet Ramën, duke filluar me Inceneratorët, AKSHI, Ergys Agasin, Ekoparkun në Durrës, Kayo dhe Ron Yeffet, Duranën, Tunelin e Llogarasë etj.

Pas Veliajt, që u trajtua kriminalisht pa thënë asgjë, sigurisht përgjigjen për Ahmetajn tashmë e kanë marrë të gjithë.

Sepse Rama, që ka kapur gjithçka, Drejtësinë dhe Burgjet, do t’i rezervonte Ahmetajt një fund tepër të zi për t’u imagjinuar.

Këta gazetarët e famshëm që bënin pyetjen: Pse iku Ahmetaj ose Pse nuk vjen Ahmetaj të përballet me drejtësinë këtu, a kanë kurajë sot ta bëjnë më këtë pyetje?

Ndaj sot të gjithë e kuptojnë arsyen e largimit dhe të moskthimit të Ahmetajt.

Por sot të gjithë kuptojnë edhe pse Veliaj, i burgosur dhe i shantazhuar, flet vetëm politikisht, flet vetëm për të drejtat e tij të cenuara, por nuk guxon të denoncojë faktet që groposin Ramën, sepse kuptohet që në lojë është edhe zhdukja fizike e tij.

Share it :