Anxhela Tato
Sherri i hershëm mes 2 familje që shfrytëzonin bashkarish galerinë, zhduket autori
Muharrem Buzhiqa qëlloi me breshëri ndaj 3 personave të familjes Batushi, dyshime se është fshehur në galeri
Lufta për kromin i ka kushtuar jetën dy vëllezërve, ndërsa nipi ndodhet i plagosur në spital. Konflikti i armatosur mes dy familjeve që shfrytëzonin një galeri të vjetër, ka përfunduar ditën e djeshme, kur autori Muharrem Buzhiqa ka hapur zjarr ndaj viktimave. Sherri ordiner për pronësinë ka degraduar në dhunë fizike dhe në vrasje, ndërsa vetë autori është fshehur nga frika e arrestimit të policisë dhe gjakmarrjes. Krimi i rëndë është shënuar rreth orës 13:10 në fshatin Kalimash, kur policia është njoftuar për të shtëna dhe të plagosur. Menjëherë blutë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ku në skenën e krimit kanë gjetur tre persona të plagosur, të cilët janë transportuar për në urgjencë. Por gjatë rrugës ka humbur jetën 48-vjeçari Ermir Batushi. Hemorragjia e humbur nga plaga tejshpuese e armës kallashnikov i ka kushtuar jetën 48-vjeçarit. Ndërsa është transportuar në gjendje të rënduar dhe kritike vëllai i viktimës, Bilbil Batusha, i cili ka ndërruar jetë në Spitalit Ushtarak, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale. Jashtë rrezikut për jetën ndodhet djali i Bilbil Batushit, 16-vjeçari A.Batushi, i cili është i shtruar në spitalin e Kukësit. Nga ana e bluve pritet ekspertiza mjeko-ligjjore e viktimave, të cilët ka marrë disa plumba në organet jetike, duke iu sjellë vdekjen. Gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes janë dërguar për analizë në laborator dhe nga të dhënat e para bëhet me dije se i përkasin një arme zjarri të tipit kallashnikov, kalibri 9 mm. Ndërsa nga ana e bluve po vijojnë kërkimet intensive për kapjen e autorit, për të parandaluar edhe një hakmarrje të mundshme. Ka dyshime se 42-vjeçari Muharrem Buzhiqa mund të jetë fshehur nëpër galeritë e braktisura të kromit, për tu arratisur natën, në mënyrë që t’i shpëtojë prangosjes së bluve. Gjithë zona është rrethuar dhe policia po zhvillon patrullime të herë pas hershme për të parandaluar arratisjen e autorit.
Krimi
Autori dhe viktima u konfliktin me njëri-tjetrin për pronësinë e një galerie kromi, e cila prej kohësh ishte nën përdorimin e të dy familjeve, të cilat e shfrytëzonin për nxjerrjen dhe shitjen e mineralit të çmuar. Sipas burimeve të policisë ethja për të vjelë sa më shumë nga galeria e kromit ka futur në sherr dy familjet, që pretendonin të drejtën e uzurpimit dhe kthimin në një pronë të paluajtshme vetjake. Kromi është shndërruar në “mollën e sherrit” dhe situata ka degraduar në përdorimin e armës. Muharrem Buzhiqa ka nisur të konfliktohet me Ermirin, vëllanë e tij Bilbilin dhe nipin 16-vjeçar. Gjakrat janë nxehur dhe autori ka hapur zjarr duke qëlluar me breshëri. Plumbat i kanë kapur të tre personat, por vdekja ka marrë Ermir Batushën, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Ndërsa vëllai i tij Bilbil Batusha ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak, duke mos i mbijetuar dot plagëve të marra. Sipas bluve pista kryesor e hetimit do të jetë konflikti për pronësinë, ndërsa pritet që të merren në pyetje familjarë të të dyjave palëve. Ndërsa është prangosur një nga bashkëpunëtorët e autorit në krim, 19-vjeçari Sekret Buzhiqa. Në komisariat janë shoqëruar dëshmitarë të krimit, të cilët kanë rrëfyer me detaje atë se çfarë ka ndodhur mes dy familjeve. Përplasja dhe konkurrenca për kromin ka shkaktuar një numër shumë të lartë viktimash, kjo pasi galeritë janë uzurpuar nga grupe të ndryshme kriminale, të cilët sidomos në Bulqizë janë përleshur me njëri-tjetrin, duke shkaktuar viktima.
Ministria e Brendshme/ Padi ndaj ish-efektivëve të Gardës për shpërdorim detyre
Ministria e Brendshme bëri një kallëzim penal për dy ish-drejtuesit e Gardës Ndrea Prendi dhe Artan Hoxha si dhe për dy punonjës të tjerë. Kallëzimi erdhi pas Auditit të Ministrisë së Brendshme në këtë institucion, ku u vërtetua se dy ish-krerët e Gardës kishin firmosur pagën për një nga punonjëset e Gardës, Shqipe Spahiu, e cila kishte përfituar padrejtësisht paga dhe trajnime nga viti 2010 deri në vitin 2013. Burime pranë Ministrisë së Brendshme thanë se Spahiu mbante postin e shefes së zyrës së burimeve njerëzore dhe kishte përfituar paga pa qenë fare në Shqipëri. Për këtë ministria e brendshme kallëzoi për shpërdorim detyre dhe përfitim me anë të mashtrimit ish komandantin e Gardës Ndrea Prendi e Artan Hoxha si dhe për Vosi Bendaj specialist në pikat autonome.
Shkodër/ Sekuestrohet 5941 rrënjë bimë narkotike kanabis
Rreth 5941 rrënjë bimë kanabis sativa janë gjetur dhe asgjësuar ditën e sotme në Shkodër. Në vijim të operacioneve antikanabis, forcat e policisë së Shkodrës kanë evidentuar 25 parcela të mbjella me bimë narkotike, të llojit kanabis sativa. Sipas policisë së Shkodrës bima narkotike ishte e mbjellë në parcela të 4 fshatrave të Shkodrës. Kështu bima narkotike e asgjësuar ishte mbjellë në: Fshati Vasiaj, Komuna Shllak me 9 parcela, gjithsej 3440 bimës kanabis sativa; Fshati Mazrrek, Komuna Guri i Zi me 6 parcela, gjithsej 370, bimë kanabis sativa; Vau-Dejës, me 6 parcela, gjithsej 666, bimë kanabis sativa; Vig Mnelë, me 4 parcela, gjithsej 1465, bimë kanabis sativa.




