Violeta Murati
Për herë të parë, “standard” ka publikuar dy poezi, që përkthyesi Robert Shvarc ia kushtoi shkrimtarit, mikut të tij, Amik Kasoruho, kur u largua nga Shqipëria në vitin 1991; dhe një përgjigje poetike për miqësinë shkruan Kasoruho. Dedikimet poetike të shkrimtarëve për njëri-tjetrin, ku gjurmë lë shpirtërorja e miqësisë, njihen shumë në letërsi – Shvarc&Kasoruho janë përtej kësaj poezie, një grup miqsh në Tiranën e viteve të diktaturës, që nuk njohën ndarje për 60 vjet, duke na dhënë epigramin thjesht; një shpirt i madh për miqësinë
Robert Shvarc, Amik Kasoruho dhe katër shokë të tjerë që iu “fshehën” diktaturës në rininë e tyre, duke protestuar me miqësi, në një vlerë shpirtërore që i ngjan unikes, është e vështirë të besohet nëse nuk rrëfehet. Se si ndodh ky rrëfim është i dëshmuar në shumë shkrimtarë edhe të huaj, ku shenja e vlerës së madhe të një miqësie shpesh ka qenë në vargje poetike. Kështu ndodhi kur në 1991, Amik Kasoruho u largua nga Shqipëria. I pari që ndjeu largimin e mikut ishte përkthyesi Robert Shvarc, duke e kthyer menjëherë në poezi, jo thjesht ndjesinë, por vendin që lë një njeri në miqësi. Sinqeriteti i Shvarcit është krejt i dukshëm, ku lirizmi rrjedh natyrshëm si në vargjet eseniane me një lamtumirë të dhimbshme, por edhe entuziaste për kohën, njeriun dhe sidomos në një metaforë të padukshme, rinie. Ndalet Shvarc në këtë kujtesë, për të na lënë një simbiozë emocionesh se si rrjedh koha përkundër, kur miqësia kalon edhe caqet e vjetëve.
Një poezi e ndjerë, që padyshim i ka rënë të presë gjatë miku i tij, Amik Kasoruho, deri në një rikthim të shenjës – ç’ndodh jo vetëm në një botë shkrimtarësh, por edhe në ekzistencën e qenies, çfarë përmasash merr njeriu kur dëshmohet si thesar.
Këtë tejkaluan të dy miqtë. Dhe për këtë arsye, Shvarc ka marrë përgjigjen poetike nga Amik Kasoruho në poezinë “Mall”.
Se çfarë ka qenë kjo miqësi për ta, në albumin fotografik “Një kalvados me Robert Shvarcin” të realizuar nga fotografi Roland Tasho, në hyrje shkrimtari Amik Kasoruho ka shkruar ndër të rrallat reflektime me përkthyesin që u nda nga jeta në prill 2003. “Jemi njohur, Roberti dhe unë, në vitin e largët 1944, në klasë të parë të gjimnazit të Tiranës. Jemi ndarë tri herë nga njëri-tjetri: kur mua më futën në burg, kur ika nga Shqipëria dhe kur u nda ai nga kjo botë. Pak, po të mendosh se kjo miqësi zgjati gjashtëdhjetë vjet dhe shumë për ne, që nuk bënin dot pa njëri-tjetrin”.
Sinqeriteti i Kasoruhos, siç shihet nga citimi i mësipërm, por edhe sinqeriteti i poezisë së Shvarcit të zhysin në një botë që të ndjell perceptime të kundërta. Sigurisht që mes këtyre dy miqve, poezia, letërsia nuk është fillestarja pse janë tok, në të njëjtin sinqeritet, në të njëjtën trajtë jete për shoqërinë. Të dyja poezitë zbulojnë hyjnoren e një miqësie të madhe, si vazhdimësi e një kulture që ndodh në të rrallë njerëz. Miq të afërt të Kasoruhos dhe Shvarcit na kanë treguar se grupi i tyre ka qenë një rastësi e madhe, për jetët e tyre, duke e ruajtur miqësinë për gjashtëdhjetë vjet, në të njëjtin intensitet, me të njëjtat emocione rinie, ndonëse fati i ka shpërndarë dhe fatkeqësia i ka ndarë nga njëri-tjetri.
Në veçanti, midis Shvarcit dhe Kasoruhos rivjen ky simbol miqësie duke u konsideruar nga të dy si vlerë, respekt ndaj vetes dhe të tjerëve, një dashuri për të vërtetën, një vetëdije e të qenit i lirë brenda tyre, “miqësi e dëlirë, që i ka duruar të gjitha provat e kohës”, thotë Kasoruho. “Por miqësia me një njeri të veçantë përmbyll një të mirë dhe një të keqe: e mira është se ndoshta edhe pa u kujtuar, fillojmë e jetojmë në simbiozë me vlerat që nuk i gjen rëndom ndër njerëzit e tjerë; e keqja është se kur ai nuk jeton më, nis e krijohet një përshtypje pafuqie, një ndjesi zbrazëtie, gati-gati një vetëdije e çuditshme se, edhe në bëfshim përpara, do të na mungojë siguria që ndienim pranë njeriut të veçantë. Siguria që rrezatohet nga personaliteti i tij”, – ka shkruar Kasoruho për Shvarcin.
Vetëdija e tyre ka qenë në një thellësi psikologjike, si nevojë jete për të qenë pranë njerëzve për të marrë të bukurën e saj. “E bukur, sepse pranë tyre mund të zbulosh vlera që ndryshe do të mbeteshin të panjohura dhe që i japin vetë jetës një kthesë të vlertë, sepse na edukojnë ndjeshmërinë ndaj të bukurës dhe të ndertës, dëshirën për ta pasuruar jetën gjithmonë e më shumë, aftësinë për të dalluar të natyrshmen nga shtirja. Dhe këto krejt natyrshëm, thjesht me shembullin e jetës së tyre. Këtë dinte ta bënte Shvarci”, është një filozofi e gjallë, e jetuar, kjo fjalë hyrje e Kasoruhos në krye të albumit të Tashos pas vdekjes së Shvarcit. Kasoruho dhe Shvarc kishin kuptuar botë, njerëzit dhe jetën e tyre duke marrë nga njëri-tjetri dhe duke na dhënë neve në një simbolikë dashurie miqësinë e tyre në vargjet e mëposhtme; dy njerëz që rrëfejnë miqësinë me shpirt të madh.
Vargje lamtumire për një shok rinie
(për A.K.)
Robert Schwartz (Shvarc)
Ne vetëm ëndrra kishim – asgjë tjetër!
Ende të shkurtra i mbanim pantollat,
Dhe na pëlqente ai kushtrimi i vjetër:
Si shqipet lart – e jo rrëshqan si bollat.
Na i copëtuan ëndrrat, na i vranë.
S’e hidhnim këmbën dot mes gjarpërinjsh.
Dhe vanë ditët, vitet… e na lanë:
Temjan mortor e flakërim qirinjsh.
Tashti sikur dhe botën të na e falin,
S’na duhet më – ja kthejmë prapë Mizorisë!
Asgjë, asgjë s’na e shuan dot më mallin
Për të pafajmet ëndrra të rinisë.
Ne vetëm ato kishim – asgjë tjetër!
Ende të shkurtra i mbanin pantallonat,
Hovet dhe shpresat dhe besën e vjetër
Drejt qiellit i lëshonim si balonat…
Tashti po ikën… Më ti s’do të kthehesh!
(As ty s’t’i kthyen vitet e kaushve!)
Me vlagën e atdheut më s’do të dehesh –
As kaq s’të la ty trilli i “Perëndive”!
“Drita”, maj 1991
Mall
(Për Robert Shvarc)
Amik Kasoruho
…I lodhur endem sot në vend të huaj,
nuk ma kuptojnë fjalën ndaj dhe vuaj
dhe nis të shkruaj, siç kam bërë kahmot.
Zërat e jetës lashë aty te ty:
heshtjen kam marrë. Më ngjajnë të tjerë yj
që lodhen t’më ndrijnë shtegun. E kanë kot…”





