Miliarderi kinez që humbi jetën në Shqipëri
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Librazhd-Elbasan pak ditë më parë, ku ka humbur jetën në një aksident tragjik shtetasi kinez i identifikuar si Li Jianhong. Viktima nuk ishte një emër i panjohur, por një figurë mjaft e fuqishme e botës së biznesit dhe sportit në Kinë, i njohur si themeluesi i resortit gjigant të skive “Silkroad Mountain” dhe president i grupit “Xinjiang Grand Scape”.
Li Jianhong, i lindur në dhjetor të vitit 1965 në Xinjiang, kishte një karrierë të jashtëzakonshme që nisi pas largimit nga një institut telekomunikacioni në vitin 1993 për të ndërtuar perandorinë e tij private.
Nën drejtimin e tij, “Xinjiang Grand Scape Group” u shndërrua në një korporatë me asete që kapin vlerën e rreth 205 milionë dollarëve, duke u shtrirë në fusha si turizmi, telekomunikacioni dhe menaxhimi i investimeve. Ai ishte gjithashtu mendja pas “Silkroad Mountain Resort”, një prej destinacioneve më të mëdha të skive në Kinë, i cili ka pritur edhe Lojërat Kombëtare Dimërore.
Përtej suksesit në biznes, Li ishte një sportist i përmasave botërore dhe një alpinist i pasionuar që kishte arritur të përfundonte sfidën legjendare “Explorer’s Grand Slam”.
Kjo do të thotë se ai kishte ngjitur shtatë majat më të larta të çdo kontinenti, përfshirë Everestin në moshën 53-vjeçare, si dhe kishte arritur në dy polet e tokës. Humbja e tij në rrugët e Shqipërisë shënon fundin e trishtë të një njeriu që njihej për shpirtin e tij të pamposhtur aventurier dhe kontributin e madh në industrinë e turizmit dimëror kinez.




