Të burgosurit festë me dr@gë, alk@l dhe telefona, Këlliçi: Kur Gogu fajëson Lamallarin!
Nga Belind Këlliçi/
Një video e publikuar nga gazetari Flamur Vezaj, tregon se si në shkelje të çdo rregulli, një bandë e lidhur me qeverinë bënte aheng në burg dhe posedonte çdo gjë që është e ndaluar dhe e paligjshme.
Çdo gjë që ata e kanë zakonisht kur janë jashtë dhe në liri, e kishin dhe në atë qeli. Telefona, alkool, lëndë narkotike dhe ushtarë.
Ky denoncim është në fakt konfirmim i asaj që njihet dhe ne e themi vazhdimisht, se grupet kriminale janë të lidhura me qeverinë dhe nuk i humbasin privilegjet edhe kur përfundojnë brenda. Brenda përfundojnë kryesisht për shkak të provave që sjellin agjencitë e vendeve partnere.
Por ka diçka që të bën përshtypje në reagimin e Drejtorisë së Burgjeve, pra të Ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, pas këtij skandali. Kujdesi i tij për të vënë theksin se kjo ngjarje ka ndodhur para Janarit. Pra ka ndodhur, përpara se ai të bëhej Ministër…
Ai tregon me gisht se fajin e ka Lamallari, i cili, pas Ministrisë së Drejtësisë u gradua në Ministër i Brendshëm.
Po të pyetet Lamallari, ai me gjasë do të thotë se ka ndodhur në kohën e Ulsiut. Ndërsa Ulsiu do ja pasonte paraardhësit.
Duke shkuar tek deviza e Edi Ramës, se dhe kjo ishte një tenxhere, dhe në fund si gjithmonë, fajin e ka Saliu!
Mosmbajtja e përgjegjësisë, mohimi i realitetit dhe mungesa e reflektimit nuk i bën qeveritarët të duken as engjëj, as të pafajshëm.
Por i bën edhe më qesharakë, përpos se figurantë në një skemë të madhe, kur krimi që kishte koordinator në paradhomën e kryeministrit, patjetër se do të ketë privilegje edhe në burg, si pjesë e ndarjes dhe ushtrimit të pushtetit me Edi Ramën.




