I jep fund jetës për shkak të borxheve në të cilat ishte zhytur. Bashkortak dhe menaxheri i një prej linjave të urbanit të kryeqytetit, ka prerë damarët, ndërsa është gjetur nga familjarët në gjendje agonie. Lulzim Saliasi është dërguar në spitalin e Traumës, por brenda pak sekondash ka gjetur vdekjen. Gjithçka ka ndodhur në banesën e tij, pranë Prokurorisë së Tiranës, aty ku familjarët e kanë gjetur të pajetë Lulzim Saliasin, 42 vjeç. Burime nga hetimi thonë se Saliasi dyshohet të ketë humbur sasi të konsiderueshme parash në lojëra fati, çka e ka zhytur në depresion. Ai kishte planifikuar të pinte një kafe në një nga lokalet afër banesës, pranë Pprokurorisë së Tiranës me nipin dhe bashkëshorten rreth orës 9:00 të mëngjesit. Pasi e kanë pritur dhe ai nuk ka mbërritur, që prej mëngjesit të djeshëm familjarit e 42-vjeçarit tentonin ta telefononin, por pa mundur të lidheshin me të. Kur kanë shkuar në banesën e tij, kanë shqyer derën dhe e kanë gjetur në agoni menaxherin. Nga të dhënat e parë të policisë, bëhet me dije se Saliasi ka lënë edhe një letër sqaruese për familjarët. Po të njëjtat burime zbardhin edhe përmbajtjen e letrës së lamtumirës që Saliasi la për familjen. Në letër ai shprehte pendesën e thellë dhe u kërkonte falje familjarëve për aktin e rëndë. 42-vjeçari i linte bashkëshortes amanet dy vajzat e tij dhe i kërkonte që të kujdesej për to, ndërsa sqaronte se shkaku i këtij akti ishin borxhet. Policia po heton për ngjarjen, ndërsa pritet që trupi i pajetë i 42-vjeçarit t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore.
Korçë/ I moshuari vdes në korridorin e Gjykatës, 30 minuta pa ndihmë mjekësore
Një 60-vjeçar ka ndërruar jetë në mjediset e Gjykatës së Korçës. I moshuari po priste të niste procesi gjyqësor kundër nipit të gruas tij, Sokol Gjuda, i cili do të gjykohej për trafik të lëndëve narkotike. Ali Jaupllari ka pësuar atak kardiak, ndërsa ndodhej i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, e cila ka tentuar të telefonojë urgjencën, por askush nuk i është përgjigjur thirrjes së saj. Më pas një nga personat që ka parë ngjarjen ka shkuar me këmbë drejt spitalit që është shumë pranë më godinën e Gjykatës dhe ka njoftuar ambulancën, e cila më pas ka ardhur. Në të gjithë këtë “peripeci”, trupi i pajetë i 60-vjeçarit ka mbetur rreth 30 minuta i shtrirë në mjediset e korridorit të Gjykatës së Korçës. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Tiranë/ Shkon të operohet, ndërron jetë në spital 65-vjeçari
Një 65-vjeçar ka ndërruar jetë në një klinikë private ditën e djeshme në kryeqytet. Viktima Petrit Tarja ka gjetur vdekjen në mënyrë misterioze. Bëhet me dije se i moshuari kishte shkuar në klinikën private për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në sy. Ai ka ndërruar jetë pak minuta para se të futej në operacion. Ndërkohë, bëhet me dije që i moshuari kishte edhe probleme të tjera shëndetësore të cilat i kishte shfaqur më herët. Trupi i pajetë po i nënshtrohet autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të cilët do përcaktojnë edhe shkakun e vdekjes. Pak minuta pas ngjarjes ka reaguar edhe klinika ku do të kryhej operacioni. Klinika sqaron se 65-vjeçari ka vdekur para se të hynte në operacion dhe se ai ka pasur probleme kardiake prej disa muajsh.




