Fjalimi/ Pse Rama e kurseu Veliajn në asamblenë e PS-së

Fjalimi/ Pse Rama e kurseu Veliajn në asamblenë e PS-së

Përballë akuzave të Veliajt, Rama zgjodhi butësinë, por precedenti i arrestimit e bën këtë qetësi të ngjajë më shumë me paralajmërim sesa me mbrojtje

Mbaji miqtë afër, por armiqtë akoma më afër”, kjo është një shprehje që mori popullaritet global nga filmi “Kumbari”, si një këshillë e luftës mes mafiozësh duket se shpjegon më së miri sjelljen e Edi Ramës përkundrejt Erion Veliajt, kryebashkiakut të arrestuar i Tiranës që ka nisur rebelimin kundër numrit 1 të Partisë Socialiste.

Në mbledhjen e asamblesë në Lalëz u pa një fytyrë tjetër e kryeministrit, që nuk përputhet aspak me atë që përshkruajnë letrat e shkruara në qelitë e Fierit, ku i paraburgosuri VIP e ulëret zemërimin e tij ndaj Ramës

Në ato letra përshkruhet një Edi Ramë që përdor metodat e kreut të një familjeje mafioze: luan fijet në prapaskenë, nëpërmjet shantazheve dhe kërcënimeve që i burojnë nga kontrolli i organeve të drejtësisë. Sipas Veliajt, ishte Rama që urdhëroi transferimin e befasishëm të tij nga Durrësi në qelitë e Fierit, duke e futur në karantinë. Është po Rama, thotë ai, që negocion me prokurorët e SPAK-ut për vitet e tij të burgut dhe që e ka shantazhuar, nëpërmjet korrierit Toni Gogu, me 100 vjet burg nëse nuk dorëzon bashkinë e Tiranës.

Veliaj thotë se linçimi provohet edhe tek refuzimi për një ndërhyrje kirurgjikale në këmbën e thyer. Ai vazhdon më tej me akuzat se Rama i sundon socialistët nëpërmjet frikës dhe se, pikërisht për këtë, duhet shkarkuar me një mocion mosbesimi në asamble

Por si iu përgjigj Rama kësaj stuhie që po i gatuan Veliaj? Në asamble, ndryshe nga sa thotë kryebashkiaku në letrat e tij, u pa një lider i vetëpërmbajtur në raport me Veliajn.

Rama nuk e kurseu ndëshkimin kur erdhi çështja për fjalimin që mbajti Spiropali në asamble, apo për rolin që ka luajtur avokati Plarent Ndreca. Ai kaloi në ekstrem dhe kërkoi përjashtimin e tyre.

Kurse për Veliajn, që e ka akuzuar për shumë më tepër, u tregua i butë. Qëndrimin e moderuar e shpjegoi me shprehjen: ““Për atë jo, sepse i ka duart e lidhura”.

Kjo butësi u pa edhe në fjalimin që mbajti publikisht. Çuditërisht, e mbrojti kryebashkiakun kur tha se paraburgimi i tij ishte absurd. Ndërsa kërkesa për shkarkimin e tij, sipas kryeministrit, motivohej thjesht nga nevoja për mbarëvajtjen e punëve në administrimin e qytetit.

“Do gjeni fjalë të miat për paraburgimin e kreut të Bashkisë së Tiranës. Është absurd dhe mbetet një çështje që është një çështje e demokracisë” tha ai.
Çfarë do të thotë kjo? Përse e ka zgjedhur Rama këtë strategji përballë akuzave kaq të rënda që artikulon kryebashkiaku nga burgu? Arsyet janë disa.

E para lidhet me vetë rrëfimin e Veliajt, faktin se një përgjigje flakë për flakë është ajo që i duhet edhe kryebashkiakut. Duke iu përgjigjur me përjashtim nga partia dhe duke iu kthyer me të njëjtën monedhë, kryeministri do të konfirmonte çdo pretendim për linçim. Bëhet fjalë për të gjithë zinxhirin që tregon Veliaj: që tek mbështetja e SPAK-ut nën rrogoz për ta arrestuar, transferimi, tek shantazhi me burg e deri te refuzimi për mjekim.

Arsyeja e dytë është se, në kushtet ku është, Erion Veliaj ka shumë më pak për të humbur sesa Edi Rama dhe mundësia që të rrëfejë mbi aferat e përbashkëta, edhe duke rënduar më tej veten, mbetet ende një opsion. Ai gjendet i izoluar në një birucë burgu, me 13 akuza të ngarkuara nga SPAK dhe me 2 vite burg në shpinë. Ka humbur karrierën politike dhe miqtë, është larg familjes dhe për çdo ditë bindet se do të kalojnë shumë vite para se të jetë i lirë. Në këto kushte, nëse provokohet më tej, mund të kthehet në një kokëçarje akoma më të madhe për Ramën.

Arsyeja e tretë lidhet me atë që ka ndodhur në të kaluarën: kjo qetësi sa për sy e faqe, ky solidaritet i rremë ka funksionuar në të shkuarën. Pak para se ta arrestonin, Veliaj u “vu në gjumë” me disa dalje përkrah Edi Ramës që iu pëgjigj pozitivisht ftesave të kryebashkiakut në disa aktivitete publike. Ulja e të dyve krah njëri-tjetrit para kamerave u lexua si një mburojë e mazhorancës për akuzat e SPAK. Por kaluan disa ditë dhe në zyrën e bashkisë së Tiranës u shfaqën policët që arrestuan kryebashkiakun.

Kjo qetësi e Ramës në këto momente është e ngjashme. Edhe tani, që e quan paraburgimin e Veliajt “absurd”, Rama po i tregon Veliajt fytyrën e një ati politik, që gjithsesi mund të të falë për gabimet që bën. Siç rezultoi para dy vitesh, kjo është fytyra më e rrezikshme: ajo që, pas qetësisë së shfaqur, paralajmëron një furtunë të re për kryebashkiakun./ Lapsi.al

Share it :