Rama kërkoi përjashtimin e Spiropalit, Xhafaj kundër. Asambleja e PS nuk merr vendim

Rama kërkoi përjashtimin e Spiropalit, Xhafaj kundër. Asambleja e PS nuk merr vendim

Mbledhja me dyer të mbyllura e Asamblesë së Partisë Socialiste është shoqëruar me përplasje mes Edi Ramës dhe disa prej figurave të kësaj force politike. Pas kritikave të Elisa Spiropalit ndaj kryeministrit dhe mënyrës së drejtimit të partisë, Rama ka propozuar përjashtimin e saj nga PS, si dhe marrjen e së njëjtës masë ndaj Plarent Ndrecës, avokatit të Erion Veliajt.

Sipas burimeve ekskluzive të Lapsi.al nga mbledhja, Spiropali ka mbajtur një fjalë të gjatë, gjatë së cilës ka adresuar akuza ndaj Ramës për mënyrën se si qeveriset vendi dhe si po drejtohet Partia Socialiste. Menjëherë pas kësaj ndërhyrjeje, kryetari i PS-së ka propozuar përjashtimin e saj nga partia.

Por propozimi i Ramës nuk ka kaluar pa kundërshtime. Ish-ministri Fatmir Xhafaj ka dalë kundër masës ekstreme, duke kërkuar që ndaj Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës të mos merret vendimi për përjashtimin nga partia. “Të jetë ditë e parë për të gjithë. Të marrin masa, por jo të përjashtohen”, është shprehur Xhafaj gjatë fjalës së tij.

Ndërkohë, Rama ka përjashtuar nga kjo kërkesë Erion Veliajn, i cili ndodhet në burg. “Për atë jo, se i ka duart e lidhura”, mësohet të jetë shprehur kryetari i PS-së, duke argumentuar se nuk mund të merret e njëjta masë ndaj kryebashkiakut të Tiranës në kushtet në të cilat ndodhet.

Asambleja e Partisë Socialiste i ka mbyllur punimet. Në përfundim të saj pati vetëm një komunikim të shkurtër të Sekretarit të Përgjithshëm, Blendi Klosi, i cili shmangu pyetjen përse nuk u hodh në votim propozimi i Edi Ramës për përjashtim të Elisa Spiropalit.

Klosi tha në fund të deklaratës së tij se Elisa Spiropali vijon të jetë anëtare e Partisë Socialiste.

Share it :