Çim Peka: Ja pse nuk shkoi Rama sot në Vjenë? Po e prisnin
Gazetari Çim Peka, i ftuar në studion e SYRI TV, gjatë një interviste me moderatoren Armela Ferko, ka deklaruar se Edi Rama ka zgjedhur përplasjen në vend të tërheqjes politike, duke deklaruar se, ai ka refuzuar një takim negociues në Vjenë, ku, sipas informacioneve që ai thotë se ka marrë nga kolegë të huaj, po diskutohej largimi i tij pa kushte.
Sipas gazetarit, Shqipëria po përballet me një përplasje mes shoqërisë dhe narkoshteti të Edi Rama, ndërsa u shpreh se, Rama ka humbur kontrollin mbi një pjesë të strukturave të pushtetit dhe po përballet me pakënaqësi brenda Partisë Socialiste.
Peka ka paralajmëruar përshkallëzim të situatës, duke u bërë thirrje qytetarëve të vijojnë protestat dhe duke deklaruar se dhuna policore nuk do ta shuajë kundërshtimin, por do ta thellojë më tej përplasjen politike.
Armela Ferko: Ndërsa shohim pamjet live, në studio kam edhe gazetarin Çim Peka. Çimi, çfarë është kjo polici? Përshëndetje, mirë se vjen. Kam direkt pyetjen unë. Çfarë është kjo polici që po shohim sot? Çfarë është kjo që po shohim sot?
Çim Peka: Ka qenë ndërmjet dy zgjedhjesh Edi Rama. Sot do të udhëtonte në Vjenë në mëngjes. Kisha prerë dhe unë biletën, sepse kolegë perëndimorë, kolegë të huaj, na informuan se në orën 14:00 duhej të ishte një takim në një hotel në periferi të Vjenës, ku do të ishte dhe kryeministri shqiptar. Ka negociatorë të huaj, se kush janë nuk e di. Nuk i di emrat. Di që ka pasur para një jave një tentativë për të negociuar edhe Giorgia Meloni, që ky njeri të tërhiqet. Dhe Rama duket se ka bërë zgjedhjen: dhunën. Nuk ikën. Sot, në orën 14:00, delegacioni shqiptar nuk është paraqitur. Unë dhe disa kolegë të huaj, unë të paktën, kam anuluar fluturimin, sepse u informova që ky nuk po shkon. Nuk po i japin garanci. Kjo është e vërteta, nuk po i japin garanci. Duket qartë që nuk po i japin garanci, po i kërkojnë thjesht të largohet. Ka tentuar dhe ka dështuar me këtë kukullën që ka në presidencë, Bajram Begajn. Ka tentuar t’i përdorë këta, Namik Hotët e kohës moderne…
Armela Ferko: Po e ke fjalën për këta përfaqësuesit e… Ta bëjmë me dije për publikun.
Çim Peka: Po, domethënë, ose nga naiviteti, ose nga blerja, nuk mund ta them, por pak a shumë brezi i ri nuk e kupton kush është Namik Hoti. Është një njeri që dilte në vitet ’90-’91 dhe bënte lojën e Ramiz Alisë dhe thoshte: ‘Shiko, policët tanë, ushtarët tanë me rrobat e bukura, mos i thyeni xhamat’, gjëra të tilla. Duhet liri mendimi, duhet alternativë përballë Ramizit, në kohën që ai kishte gjithë shtetin në dorë. Siç e ka ky sot, e pamë te Asambleja e Partisë Socialiste. Pra, pasi ka dështuar për t’i përdorur me naivitet ose me blerje këta disa individë… Po e rithem, Namik Hotët e vitit 2026. Ai njeri ka dështuar, jo prej atyre; këta janë përdorur, por e kanë parë që nuk është te zgjidhja. Rama ka anuluar vizitën në Vjenë. Nuk e ka anuluar se nuk ka dashur të takojë kancelarin austriak, po si duket ka pasur një parakusht që ky duhej të ishte në orën 14:00 në këtë hotel që unë po të them sot, ku shumë kolegë nga e gjithë bota…
Armela Ferko: Edhe një herë, në orën 14:00, në cilin hotel? Në Vjenë?
Çim Peka: Në Vjenë, në orën 2 sot. Në një hotel në periferi të Vjenës.
Armela Ferko: Pra, Rama ka qenë sot në 14:00 aty?
Çim Peka: Jo, duhej të shkonte.
Armela Ferko: Duhej të shkonte, po se të jam e qartë.
Çim Peka: Dhe për të mos shkuar aty, sepse nuk donte të ulej, se Rama e dinte çfarë po i propozohej. Po i propozohej vetëm largimi pa kushte. Dhe Rama ka anuluar takimin për të shkuar nesër te kancelari, sepse para kancelarit duhej të parakalonte para këtij hoteli, ku nuk e di kush janë negociatorët.
Armela Ferko: E qartë.
Çim Peka: Nuk e di kush janë negociatorët ndërkombëtarë. Di që po negociohet, di që ky ka refuzuar udhëtimin për në Vjenë, për vizitën zyrtare, sepse duhej të kalonte nga takimi i orës 14:00 sot. Këtë po ta them, ky është informacion i kolegëve të huaj. Kisha prerë dhe unë biletën, që po e ndiqja, dhe e dija hotelin se ku do të shkonte, por ky ka refuzuar. Fakti që Rama nuk udhëtoi për Vjenë do të thotë që ky ka zgjedhur përplasjen.
Armela Ferko: Një moment. Pra, sikurse të dielën do të ketë zhvillime, referoheshe kësaj, se po bëj dhe një…
Çim Peka: Po e tentoi ai, domethënë, nëpërmjet Bajram Begajt, ofroi zgjedhje të parakohshme…
Armela Ferko: E kuptova këtë.
Çim Peka: E ofroi. Ajo nuk iu pranua. Tentoi të përdorte edhe disa naivë politikë… ose naivë, se nuk janë as politikë, disa naivë që kanë qenë pjesë e protestave. Kur dështoi me këtë, nuk udhëtoi për Vjenë. Se e ka menduar që do ta qetësonte situatën, se do të ofronte zgjedhje të parakohshme, e përdori këtë kukullën, presidencën. E kuptoi që nuk do t’i pranohet kjo me Ramën kryeministër. Refuzoi të shkonte në Austri, sepse po e prisnin nga aeroporti për ta çuar te hoteli ku do të negociohej. E di që ishte në Vjenë, është bërë dhe një negociatë në Bruksel, është tentuar të futet në lojë edhe Meloni për të negociuar, nuk e di nëse është arritur apo jo. Por ky, në fund, zgjodhi: ndërmjet largimit që po i kërkohej nga miqtë ndërkombëtarë dhe dhunës, zgjodhi dhunën. Tani, bëhuni gati për përplasje, sepse ky njeri nuk ikën ndryshe.
Armela Ferko: Pra, prandaj ka ndryshuar që sot. Foli në mëngjes, u duk ajo një lloj…
Çim Peka: Ky ka zgjedhur dhunën. Dhe kjo do të përfundojë fatkeqësisht për këtë vend shumë keq, por në radhë të parë shumë keq për këtë sjellim të tij. Ka filluar të mashtrojë bizneset e mëdha që ‘do ta kalojë dhe këtë fazë’. Një pjesë e mirë brenda Partisë Socialiste i janë rebeluar. Treshja e vetme që i thotë ‘vazhdo, shef, me dhunë’, se ata kanë për ta shitur më keq se kushdo tjetër, është Belinda Balluku, Oltion Bistri, që ka zëvendësuar Ergys Agasin… E mban te Vila Kuqe, mban dhe këtë biznesmenin që i ka marrë telefonin SPAK-u, Ulsi Manja edhe Taulant Balla. Këta janë personat që i thonë: ‘Vazhdo, shef, me dhunë, se do t’i shtypim’. Ndërkohë që në ambasada shkon Taulanti, shkon dhe e shet nga mëngjesi deri në darkë. Kurse pjesa tjetër nuk e qasin dhe nuk po i binden më. I është shkërmoqur.
Armela Ferko: Pse po e lë krimin e organizuar të ikë nga pushteti? Çfarë do të thotë fakti që këtë sot po e drejton Oltion Bistri?
Çim Peka: Ky njeri nuk po e lë krimin të ikë nga pushteti. Përveç… ky u ka dhënë garanci atyre. Do të dalë një dokumentar këto ditë, është ky gazetari amerikan që ia la intervistën në mes Ramës. Do t’i shikoni kullat me emra trafikantësh. Do ta shikoni. Kjo është arsyeja që ky s’ikën dot. Përveç se nuk po i jep kush garanci për imunitetin e tij, janë dhe këta që s’e lënë. Janë miliarda dollarë që janë sjellë këtu nga trafiku i drogës me garant Ramën. Ky është garanti i tyre. Do të shikoni bandat dhe po i shikoni. Kanë dalë jo të mbrojnë Ramën, kanë dalë të mbrojnë milionat e eurove të trafikut të tyre. Kjo situatë që po shikoni është ekzakt përplasja mes shoqërisë dhe narkoshtetit.
Armela Ferko: Është kështu, është policia sot…
Çim Peka: Është përplasje ndërmjet shoqërisë dhe narkoshtetit.
Armela Ferko: Skënder Hitaj, e ka ky i policisë?
Çim Peka: Tjetër bandit. I ka ardhur dosja nga Brukseli. SPAK-u nuk vepron. I ka ardhur dosja nga Brukseli në SPAK. Pse kemi ardhur në këtë lloj përplasjesh? Ndërkombëtarët përfundimisht kanë arritur në konkluzionin që ne kemi vite që e themi. SPAK-u kontrollohet tërësisht nga Rama. Pra, investimi i tyre për të bërë rotacione politike nëpërmjet SPAK-ut ka dështuar. Ata e kanë të qartë se ato që mendonin se do të ishin aleatët kryesorë të tyre për ta pasur Ramën nën kontroll kur ky e tepronte, kanë dështuar.
Armela Ferko: Janë të bindur, kur thua ndërkombëtarët, thua më shumë se SHBA-të?
Çim Peka: Të gjithë faktorët. Janë gjermanët, është Brukseli, janë evropianët, janë donatorë kryesorë. Ata kanë menduar se të paktën, në mos të gjithë SPAK-un, elementë brenda tyre do të kishim që në një finale do të vepronin kundër Ramës kur ky e tepron. Zero, dhe janë dorëzuar.
Armela Ferko: Po si e kanë thënë këtë, në presione të sipërme…
Çim Peka: Zero, zero. Ata nuk e thonë me zë, sepse e kanë shumë të vështirë të pranojnë dështimin e tyre. Por tashmë po sillen me Shqipërinë si një vend i tillë. Kemi të bëjmë tërësisht me një narkoshtet. Sot kemi policë me uniforma që nuk i kanë parë numrat, të jeni të sigurt që janë trafikantë droge dhe kanë ardhur të mbrojnë investimin e tyre dhe janë vendosur përballë shoqërisë. Sot ata e komandojnë Ramën. Bistri, Belinda Balluku e komandon Ramën. Ky sot nuk ka leje, nuk ikën dot.
Armela Ferko: Po si ikën nga përplasja?
Çim Peka: Po në këtë formë do të ikë. Çdo diktator deri pesë minuta para se të marrë avionin duket i fortë. Tani ne jemi në një moment që kemi një kryeministër që në kryeqytetin e tij nuk dihet se ku është. Në momentet që gjendja është bosh, del, regjistron një intervistë dhe zhduket. Ky nuk lëviz më në qytetin e tij normalisht.
Armela Ferko: Po, kështu duket në fakt…
Çim Peka: Kjo i ka ndodhur Asadit derisa iku. Në qoftë se ai kontrollonte Damaskun, ky nuk kontrollon më Tiranën. Edhe zyrën e vet nuk e kontrollon më.
Armela Ferko: Nuk kam dëgjuar, tha ‘nga zyra ime’, nga dritarja e zyrës kur e dëgjoj aty…
Çim Peka: As këtë nuk e ke dëgjuar kurrë, sepse ai shkon fshehtas dhe shumica e strukturave të qeverisë nuk e dinë se ku është. Pra, kemi një kryeministër që operon në ilegalitet.
Armela Ferko: Pra, ka mbaruar punë me të gjithë pjesën tjetër…
Çim Peka: Nuk ka lidhje fare, është në ilegalitet.
Armela Ferko: E pamë sot çfarë ndodhi te selia e Partisë Socialiste. Tani të ndalemi pak aty, se është shumë e rëndë. Sipas teje, në çfarë mase kemi arritur?
Çim Peka: Shiko, sot kjo ndodhi para syve, dëshmoi partia-shtet. Policinë… që një pjesë e mirë e tyre janë të lidhur me grupe kriminale. Dolën sot me fytyrë para kamerave duke dhunuar protestuesit në mbrojtje të Partisë Socialiste. Do të vijë momenti, do t’i hiqet maska ndonjë polici, do ta shikoni që do të jetë ndonjëri prej këtyre eksponentëve të grupeve kriminale që është në kërkim. Kjo gjë nuk ndalon. Është shumë më e strukturuar. Kush e ka nisur këtë gjë, do ta çojë deri në fund.
Armela Ferko: Të ndalemi edhe pak te ky fenomeni që ndodhi sot te Partia Socialiste. A na erdhi e konfirmuar live që minimalisht Policia e Shtetit ishte në dijeni çfarë po ndodhte dhe kush ishte brenda?
Çim Peka: Shiko, tani ma nis njeri, nuk e kam të verifikuar, më vonë do të nxjerr dhe emrin. Në kohën kur bëhej përplasja te Partia Socialiste, vëllai i Skënder Hitajt ndodhej brenda në selinë e Partisë Socialiste me huliganët. Ne themi që këtu kemi narkoshtet. Sot nuk ka më polici, ka policë të pafajshëm, të cilët kanë frikë ta hedhin kapelen, sepse ata që janë në rresht të parë e dinë që maskat mbrapa nuk i lejojnë të tërhiqen. Aty ka policë të marrë peng nga bandat në uniformë.
Armela Ferko: Kemi thënë narkoshtet…
Çim Peka: Narkoshtet. Nuk e besonin, i kishin mbyllur sytë me mediat që merrnin miliona nga paratë e inceneratorëve, nga paratë e krimit. Kur i kapi frika dhe kur iu thyen bizneset, e nxorën gjithë stafin në protestë. Përplasja civile e ka dhënë efektin e vet.
Armela Ferko: E qartë.
Çim Peka: Përplasja do të jetë shumë e fortë, sepse ai ka vendosur të mos tërhiqet. Nuk kemi më shoqëri përballë qeverisë, kemi shoqërinë përballë narkoshtetit. Ramës nuk i kanë dhënë garanci. Miqtë e tij më të ngushtë po i thonë: ‘Dil’, por jo dalje me garanci.
Armela Ferko: A është kjo një rrugë që zgjat…
Çim Peka: Kjo është një rrugë e dhunshme me kosto, por koston më të madhe do ta mbajë ai njeri. Këto grupe kriminale nesër do ta shesin, sapo të shikojnë që po i rrëshqet këmba.
Armela Ferko: Ke ti një mesazh për qytetarët, se ka pasur një përpjekje për t’i trembur…
Çim Peka: Është thyer paqja civile, është e kotë. Nuk trembet njeri. Do t’i trembësh një orë, dy orë, do të dalin nesër. Ata njerëz nuk e pranojnë më, ka ndodhur thyerja.
Armela Ferko: Pra, kjo mënyrë se si po vepron policia sot…
Çim Peka: Absolutisht, agravon, nuk ndalon.
Armela Ferko: Po, për të dhënë kontribut…
Çim Peka: Çdo shqiptar që akoma vazhdon dhe është me dy mendje… bëni llogaritë gabim. Dilni tani, sepse qetësi dhe paqe sociale me narkoshtet nuk ka më. Do ta lini për pas një jave, do të vazhdoni në këtë lloj stresi, terrori. Është thyer gjëja, ky ka hequr maskën dhe u ka dalë shqiptarëve para syve. Më mban narkoshteti, këtë situatë do ta kemi. Por në fund do ta shesin si Asadin.




