Znj. Von der Leyen, shikojeni Shqipërinë përtej Edi Ramës

Znj. Von der Leyen, shikojeni Shqipërinë përtej Edi Ramës

Nga Ndriçim KULLA

Sot Tirana pret sërish Ursula von der Leyen, Presidenten e Komisionit Evropian, dhe kjo vizitë, si edhe vizitat e mëparshme të saj në Shqipëri, nuk mund të shihet vetëm si një ngjarje diplomatike, me flamuj, buzëqeshje, fotografi dhe fjalime për Evropën që po afrohet, sepse pas gjithë kësaj pamjeje ceremoniale ekziston një Shqipëri tjetër, ajo që prej vitesh përpiqet të bindë Evropën se rruga e saj drejt Bashkimit Evropian nuk mund të matet vetëm me shpejtësinë e hapjes së kapitujve, por me cilësinë e shtetit që do të hyjë një ditë në atë Bashkim.
Unë kam shkruar edhe më parë për vizitat e zonjës von der Leyen në Tiranë dhe, ndoshta, disa nga këshillat e mia kanë qenë tepër modeste për një zyrtare të një Europe kaq të madhe, por kanë ardhur nga një shqetësim i thjeshtë: Shqipëria ka nevojë për Evropën jo vetëm si destinacion politik, por si një standard moral dhe institucional, si një mënyrë për të dalë nga ajo mjegull e vjetër shqiptare ku pushteti dhe shteti, partia dhe administrata, interesi publik dhe interesi i qeverisë shpesh kanë prirjen të treten në njëra-tjetrën.

Prandaj sot, në prag të kësaj vizite, nuk do të doja t’i përsërisja zonjës von der Leyen ato që i kam shkruar më parë, por t’i kujtoja vetëm disa prej tyre, sepse në politikën evropiane ka momente kur një vend nuk ka më nevojë për komplimente, por për një kujtesë.

Shqipëria dëshiron të ecë më shpejt drejt Bashkimit Evropian dhe askush që e do Evropën nuk mund të jetë kundër këtij përshpejtimi. Por negociatat nuk duhet të shndërrohen në një perde pas së cilës fshihet gjendja reale e shtetit shqiptar. Evropa nuk mund të jetë vetëm destinacioni ku Shqipëria kërkon të mbërrijë; ajo duhet të jetë edhe standardi me të cilin Shqipëria mat mënyrën se si qeveriset sot.

Sepse prej kohësh mbi qeverisjen shqiptare dhe personalisht mbi kryeministrin Edi Rama janë grumbulluar një varg akuzash, hetimesh, denoncimesh dhe çështjesh të rënda që kanë prekur shumë nivele të larta të pushtetit. Disa janë ende në fazën e hetimit, disa janë bërë çështje gjyqësore, disa të tjera janë kundërshtuar nga vetë personat e përfshirë dhe për këtë arsye nuk mund të trajtohen si verdikte të dhëna përpara drejtësisë. Por pikërisht këtu qëndron thelbi i problemit: në një shtet ligjor, përgjigjja ndaj akuzës nuk është heshtja e pushtetit, as presioni politik, as delegjitimimi i hetuesve, por hetimi i plotë dhe lënia e drejtësisë të bëjë punën e saj.

Kjo është ajo që Shqipëria i detyrohet edhe Evropës.

Nëse mbi kryeministrin, mbi ministra, ish-ministra, zyrtarë të lartë apo njerëz të afërt me pushtetin rëndojnë akuza të rënda për korrupsion ose shpërdorim detyre, ajo që duhet të shohë Evropa nuk është nëse pushteti arrin t’i mbajë ato akuza larg ekranit për një ditë, një muaj apo një vit, por nëse institucionet e drejtësisë kanë lirinë t’i hetojnë deri në fund.

Kjo nuk është një çështje kundër Edi Ramës. Është një çështje për Shqipërinë.

Dhe pikërisht këtu bëhet i rëndësishëm SPAK-u.

Vetë Komisioni Evropian ka vlerësuar rezultatet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe ka evidentuar se kjo strukturë ka vepruar edhe ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të lartë. Në të njëjtën kohë, Komisioni ka shënuar shqetësimin për rritjen e presionit politik ndaj saj dhe aktualisht me realizëm ka lëshuar shqetësimin për efikasitetin e SPAK.

Megjithatë, ky është një nga ato momente kur një institucion shqiptar nuk duhet të lihet vetëm.

Sepse SPAK-u ka gabuar ,shumë madje dhe mund të gabojë, siç mund të gabojë çdo institucion njerëzor. Prokurorët mund të marrin vendime të diskutueshme dhe ato vendime mund të kundërshtohen në gjykatë. Por kjo është pikërisht demokracia: hetimi, mbrojtja, gjykimi, ankimi dhe vendimi përfundimtar. Ajo që nuk mund të bëhet normë është që një institucion i drejtësisë të vihet nën presion politik sa herë që hetimi i tij afrohet pranë kryeministrit.

Edhe Parlamenti Evropian, në vlerësimin e tij për Shqipërinë, ka kërkuar hapa urgjentë për garantimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe integritetit institucional dhe u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve të përmbahen nga veprime që dëmtojnë punën e institucioneve të pavarura si SPAK-u.

Prandaj, zonja von der Leyen, nëse sot në Tiranë do të dëgjoni sërish fjalët për reforma, për kapituj të negociatave, për integrimin dhe për shpejtimin e procesit, ndoshta do të ishte e dobishme të dëgjohej edhe një shqetësim tjetër, shumë më i thjeshtë dhe shumë më evropiane: a mund ta hetojë drejtësia shqiptare pushtetin shqiptar pa pasur frikë prej tij?

Sepse kjo është prova. Jo numri i kapitujve të hapur.As numri i takimeve në Bruksel.

Jo fotografia e radhës me flamujt shqiptarë dhe evropianë.

Prova është nëse një kryeministër, një ministër, një deputet apo një zyrtar i lartë mund të hetohet si çdo qytetar tjetër kur mbi të ngrihen dyshime serioze dhe nëse pushteti, në vend që të ndërhyjë, tërhiqet një hap pas dhe thotë: drejtësia le të flasë.

Kjo është edhe arsyeja pse çështja e imunitetit politik dhe e mbrojtjes së zyrtarëve nga pasojat e hetimit nuk mund të trajtohet si një episod teknik i politikës shqiptare. Nëse një zyrtar kërkohet të hetohet, institucionet politike duhet të krijojnë kushtet që drejtësia të veprojë, jo ta bëjnë mbrojtjen politike një mur përpara saj.

Shqipëria nuk ka nevojë për një Evropë që i thotë vetëm se po ecën përpara. Ka nevojë për një Evropë që i kujton se drejtimi i udhëtimit ka rëndësi po aq sa shpejtësia.

Sepse ekziston një paradoks i dhimbshëm në këtë histori: sa më shumë flasim për integrimin evropian, aq më shumë duhet të flasim për shtetin ligjor. Sa më shumë afrohemi me dyert e Evropës, aq më pak mund të lejojmë që pushteti politik të bëhet pronar i institucioneve. Dhe sa më shumë kërkojmë që negociatat të përshpejtohen, aq më shumë duhet të kërkojmë që standardet që i japin kuptim këtij procesi të mos përshpejtohen vetëm në letër.

Ne shqiptarët nuk duam që Shqipëria të mbahet jashtë Evropës. Përkundrazi. Ne duam të hyjmë në Evropë sa më shpejt.

Por duam të hyjmë si një shtet që ka filluar të çlirohet nga sëmundja e vjetër e pushtetit absolut, jo si një shtet ku korrupsioni i lartë mund të bëhet më pak i dukshëm vetëm sepse vendi po përparon në tabelat e integrimit.

Sepse Evropa nuk është vetëm një treg, një fond, një flamur apo një karrige në një tryezë. Evropa është, para së gjithash, një kulturë e kufizimit të pushtetit.

Dhe Shqipëria ende ka shumë punë për të bërë pikërisht këtu.

Në këto vite kemi parë se si pushteti mund të prodhojë një imazh shumë më të bukur se realiteti që mbulon. Kemi parë ceremoninë evropiane mbi një terren ku konfliktet institucionale vazhdojnë, ku drejtësia përballet me presione dhe ku korrupsioni i nivelit të lartë mbetet një nga provat më të vështira për shtetin shqiptar. Vetë raportet evropiane kanë regjistruar si përparimin e SPAK-ut, ashtu edhe problemet që lidhen me presionin mbi drejtësinë dhe nevojën për forcimin e pavarësisë së institucioneve.

Kjo është arsyeja pse sot, në vend që t’i themi zonjës von der Leyen vetëm “mirë se erdhët”, do të ishte më e ndershme t’i themi: mirë se erdhët përsëri në Shqipëri, por ju lutemi mos shikoni vetëm fasadën e saj evropiane.

Shikoni edhe hijen.

Shikoni qytetarin që kërkon një administratë që nuk i përket partisë.

Shikoni gjyqtarin dhe prokurorin që duhet të punojnë pa presion.

Shikoni institucionin që duhet të mund të hetojë edhe atë që qeveris.

Shikoni korrupsionin e nivelit të lartë jo si një statistikë në raportet e Brukselit, por si një plagë që gërryen besimin e qytetarëve te shteti.

Dhe mbi të gjitha, shikoni Shqipërinë përtej Edi Ramës.

Sepse Shqipëria nuk është qeveria e saj e radhës dhe as kryeministri i saj i radhës.

Është një vend që kërkon të bëhet Evropë.

Dhe për këtë arsye nuk mund të mjaftohemi me një Shqipëri që duket evropiane në fotografi, ndërsa brenda saj demokracia dhe shteti ligjor ende luftojnë për të fituar hapësirën që u takon.

Zonja von der Leyen, ju po vini në Tiranë në një moment kur Shqipëria dëshiron ta përshpejtojë rrugën drejt Bashkimit Evropian. Përshpejtimi është i dëshirueshëm. Por do të ishte një paradoks i madh historik nëse, në ngutjen për të mbërritur në Evropë, do të harronim të ndërtonim atë Shqipëri për të cilën Evropa është krijuar.

Share it :