Sherri i biznesmenëve për pronën/ Çfarë kërkon të groposë Rama nën ullinjtë e Palasës
Reagimi i Luan Muçës ngre dyshimin se pas përplasjes së armatosur në Palasë nuk qëndron një “sherr banal”, siç e quajti Rama, por një konflikt pronësie i prodhuar nga institucionet shtetërore, gjurmët e të cilit kryeministri tenton t’i mbyllë përmes shpronësimit të tokës.
Sapo ka dalë nga burgu, biznesmeni Luan Muça, që pak ditë më parë u përfshi në një përplasje me armë në resortin Regina Palm, ka shpërndarë versionin e tij për sherrin me biznesmenin tjetër, Vasil Bedinaj. Sipas asaj që tregon Luan Muça shkak i përplasjes me armë është prona në Palasë.
Nga ky version i ngjarjeve del se përpjekja e Ramës për ta mbyllur sherrin duke sekuestruar pronën, ishte në fakt një përpjekje për të mbuluar paligjshmërinë.
Jo më kot, Rama u përpoq ta shuajë konfliktin me një akt të pazakontë. Kryeministri vendosi konfiskimin e pronës, me shpjegimin se tokën do ta marrë shteti dhe aty do të mbillen ullinj. Kryeministri e quajti atë që ndodhi një “konflikt banal dhe brutal mes dy ndërtuesve” dhe njoftoi se qeveria kishte vendosur “ta shpronësojmë për interes publik të gjithë zonën” dhe ta kthente në një park kushtuar ullirit.
Ndërhyrja e Ramës në konflikt ishte e çuditshme. Pse duhej shteti të ndërhyjë në një mosmarrëveshje pronash, kur dihet se në Shqipëri gëlojnë me qindra apo me mijëra mosmarrëveshje të tilla? Aq më tepër kur, siç rezulton nga dokumentacioni i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, në këtë rast çështja e pronësisë dhe mundësia e mbivendosjeve kishin mbërritur tashmë në institucionet shtetërore.
Versioni i Luan Muçës për sherrin me Vasil Bedinajn
Shpjegimi që jep Luan Muça e kompromenton seriozisht pozicionin e kryeministrit në këtë ngjarje. Nëse pretendimet e Muçës janë të vërteta, problemi është se çfarë ka ndodhur në institucionet e shtetit me dokumentat e pronësisë së tokës.
Muça pretendon se konflikti nisi pikërisht pasi zbuloi se mbi një pronë që ai thotë se e kishte blerë, po promovohej një projekt tjetër.
“Në mënyrë rastësore, nga rrjetet sociale, kam parë se ishte dhënë një leje në tokën që unë kam blerë dhe mbi të cilën ishte dhënë statusi i investitorit”, deklaroi Muça.
Madje, sipas tij, mbi këtë pronë “po reklamohej për shitjen e njësive, apartamenteve apo vilave të ndryshme”.
Nga përgjigjja zyrtare që AZHT i ka dhënë Lapsi.al rezulton se pretendimi i Muçës se ishte dhënë një leje tjetër ndërtimi nuk përputhet me statusin administrativ të dosjeve. Projekti “Regina Collection Palasë” nuk rezulton të ketë marrë leje përfundimtare ndërtimi.
Por kur ka parë se mbi tokën që ai pretendon pronësinë po bëhej gati ndërtimi i resortit Regina Palasë, nga Vasil Bedinaj, Muça thotë se iu drejtua Agjencisë së Zhvillimit të Territorit për të kërkuar shpjegime.
“Pas kësaj, i jam drejtuar AZHT-së për të marrë më shumë informacion rreth kësaj çështjeje. Pas komunikimit që pata, më njoftuan se do të verifikoheshin të gjitha dokumentet e palëve dhe se, deri në momentin e përfundimit të verifikimit të dokumenteve, nuk do të kishte zbardhje të lejes së ndërtimit” thotë Muça.
Paralelisht më këtë, punonjës të AZHT njoftuan biznesmenin tjetër, Vasil Bedinajn se Muça po ankohej për projektin e tij dhe gjithçka po verifikohej.
Për këtë arsye Luan Muça thotë se mori një telefonatë nga Vasil Bedinajn për ankesën e tij. “Pas rreth një ore, jam telefonuar nga shtetasi Vasil Bedinaj, i cili më kërkoi të mos i ekspozoja në AZHT pretendimet e mia mbi pronën time”, thotë Muça.
Pas kësaj telefonate, sipas tij, u la takimi në hotelin e Bedinajt në Orikum. Aty ndodhi përplasja që më pas përfundoi me të shtëna armësh. Muça thotës e Vasil Bedinaj kishte vendosur njerëz të armatosur në hotel dhe ata e kanë qëlluar me të shtëna armësh
Sqarimi i AZHT-së e rrëzon pretendimin se janë dhënë dy leje ndërtimi mbi të njëjtën pronë, por nuk e mbyll historinë. Përkundrazi, dokumentet tregojnë se institucionet kishin përpara një problem real pronësie dhe kishin ngritur vetë pikëpyetje për mbivendosjet.
Në këtë situatë, në vend se të propozojë mbjelljen e disa rrënjëve ullinj, Rama duhet të jepte shpjegime, se çfatë ka ndodhur në kadastër me dokumentat mbi të njëjtën pronë për dy biznesmenë të ndryshëm?
Më shumë se sa “pajtimtari” i dy biznesmenëve që përplasen me armë, Rama tani duket si zyrtari që tenton të fshehë gjurmët e një afere me mbivendosje pronash në Palasë. Kësisoj, kryeministri nuk mund të fshihet pas versionit të një “konflikti banal” mes dy biznesmenësh, por duhet të shpjegojë se cili nga dy resortet i kishte dokumentat të rregullta dhe cili me dokumenta të falsifikuara, veprime që duhet të hetohen, para se mafia e pronave të groposet nën rrënjët e ullinjve të Palasës./Lapsi.al




