Një tjetër tender me hije të rënda dyshimi për korrupsion dhe paracaktim fituesi ka dalë në dritë nga dokumentet zyrtare të Bashkisë Tiranë.
Bëhet fjalë për procedurën e hapur për projektin Ndërtimi i Rrugës Pjetër Arbnori”, ku institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj i cili ndodhet në burg ka shpallur fitues operatorin “Shpresa-Al” SHPK me mbi 1 MILIARDË LEKË për 200 metra rrugë.
Ajo që e shndërron këtë procedurë në një skenar tipik të korrupsionit me tenderat publikë nuk është vetëm vlera, por skualifikimi masiv dhe industrial i konkurrencës përmes teknikave të “qepjes” së kritereve.
Sipas dokumenteve të siguruara, në garë kanë marrë pjesë një numër rekord prej 31 operatorësh ekonomikë (përfshirë bashkime operatorësh). Nga një listë kaq e gjatë kompanish ndërtimi, logjika e tregut do të diktonte një garë të ashpër çmimi dhe kursim të fondeve publike.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) ka spastruar të gjithë operatorët e tjerë konkurrues, duke lënë në garë efektive vetëm kompaninë fituese, duke përdorur skualifikimin skandaloz të ofertave shumë më të ulëta.
Në dokument qartësohet se operatorët janë skualifikuar për argumente të çmendura të mospërmbushjes së Kritereve të Veçanta të Kualifikimit, si për shembull për pika që lidhen me kapacitetet teknike dhe “përvojën e suksesshme”.
Kompanitë janë nxjerrë jashtë loje sepse nuk dispononin çertifikata specifike të lëshuara nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT), një kusht që shpesh përdoret në mënyrë selektive për tenderat e kryeqytetit, duke ditur se cilat firma i zotërojnë ato paraprakisht.
Po ashtu kompanive u është kërkuar të vërtetojnë me dokumentacion të ndërlikuar dhe pothuajse të pamundur që stafi i tyre teknik (inxhinierët) nuk janë të angazhuar në asnjë projekt tjetër paralelisht në Republikën e Shqipërisë në momentin e dorëzimit.
Ky kriter, i zbatuar me thikë prerëse, shërben vetëm për copëtuar çdo konkurrent që guxon të futet në zonën e “fituesit të paracaktuar”./ JOQ





