Dosja Balluku/ Çollaku: SPAK të sqarojë pse nuk kërkoi sërish heqjen e imunitetit
Gazetari Basir Çollaku ka kritikuar SPAK për mënyrën se si po heton çështjen e Belinda Ballukut, duke vënë në pikëpyetje vendimin për të mos dërguar një kërkesë të dytë në Kuvend për heqjen e imunitetit të saj.
I ftuar në SYRI TV, Çollaku u ndal edhe te deklaratat e tre prokurorëve të çështjes, duke pretenduar se mes tyre ka mospërputhje lidhur me ecurinë e hetimeve dhe dosjet e tjera që mund të jenë veçuar. Sipas tij, prokurorët duhet të dalin në një konferencë për shtyp dhe të japin shpjegime përpara opinionit publik.
Gazetari kundërshtoi argumentin se rëndimi i akuzave dhe zgjerimi i hetimeve nuk përbëjnë rrethana të reja për të kërkuar sërish autorizimin e Kuvendit për ndjekjen penale të Ballukut.
Ai pretendoi se gjatë hetimeve janë shtuar të pandehurit, akuzat dhe provat, ndërsa kërkoi që SPAK të sqarojë arsyet e mosparaqitjes së një kërkese të re.
“Ka një mospërputhje mes deklaratave të tre prokurorëve që kanë folur. Së pari, ata janë prokurorë që duhet të japin llogari para opinionit publik. Duhet të dalin në një konferencë për shtyp. Nuk ka pse të bëjnë deklarata në copëza, në mënyrë të fshehtë apo informale. E kanë dërguar çështjen në gjykatë dhe duhet t’u flasin qytetarëve
Ne e kemi bërë këtë tani. Kemi pasur sukses, kemi pasur dështime, jemi përballur me vështirësi. Nuk duhet të flasin vetëm me katër-pesë kolegë. Është e drejta e tyre, por kanë detyrim ndaj qytetarëve, jo thjesht ndaj katër-pesë apo 15 gazetarëve që ishin të pranishëm.
Kur shikon përgjigjet e prokurorëve të ndryshëm, duket sikur nuk kanë qenë pjesë e së njëjtës dosje ose sikur nuk kanë punuar bashkë. Njëri thotë: ‘Ka një degëzim’, sepse dosjet voluminoze kanë procedura të tjera, argumente të tjera dhe persona të tjerë të mundshëm të pandehur. Ndërsa tjetri thotë: ‘Ne dërguam për gjykim faktet penale për të cilat kemi argument. Çështjet e tjera që janë në hetim nuk mund të flas’.
Pra, njëri thotë se ka degëzim, ndërsa tjetri se kjo çështje është në hetim. Dhe kur vjen momenti për të sqaruar mungesën absurde të dërgimit të një kërkese të dytë në Kuvend për heqjen e imunitetit të Ballukut, ndërkohë që fakti penal është rënduar, të pandehurit janë shtuar, akuzat janë shtuar, ka prova, dëshmi, kanosje, kërcënime – vetëm kumbulla mungon aty – përgjigjja është: ‘Na e ka thënë një herë Kuvendi: Mos e ndiqni këtë rrugë, sepse unë nuk ju lë të kaloni’.
Mosdërgimi i kësaj kërkese, sipas juristëve që nuk kanë lidhje apo konflikt interesi me këtë çështje, përbën mosveprim, i cili është element i veprës penale dhe ngarkon me përgjegjësi oficerë, prokurorë, gjyqtarë, kushdo që merret me këtë histori”,- u shpreh Çollaku ndër të tjera.




