Kemi frikë se na zë shtëpia brenda’/ Banorët e Ishmit ende pa zgjidhje pas tërmetit të nëntorit të 2019
Në lagjen Lalëz, njësia administrative Durrës, 49 banesa të ndërtuara pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019 vijojnë të mbeten bosh, ndërsa familjet përfituese hezitojnë të futen në to për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe pasigurive për terrenin.
Banesat njëkatëshe, të ndërtuara me të njëjtën arkitekturë dhe të vendosura në distancë të barabartë nga njëra-tjetra, u ngritën si pjesë e programit të rindërtimit për familjet që humbën ose pësuan dëmtime të rënda në banesat e tyre pas tërmetit.
Megjithatë, edhe pse kanë kaluar vite nga ndërtimi i tyre, lagjja e re ende nuk është populluar.
Në zonë mungon energjia elektrike dhe sistemi i kanalizimeve, ndërsa shumë banorë shprehen të pasigurt për stabilitetin e terrenit ku janë ndërtuar banesat.
Për banorët e Ishmit, plagët e tërmetit vijojnë të mbeten të hapura edhe pas shtatë vitesh. Shumë familje jetojnë ende në banesa të amortizuara dhe të rrezikshme, duke përballuar çdo ditë frikën e një tjetër shembjeje.
Altin Xherai, një prej banorëve të zonës, tregon se shtëpia e tij u dëmtua rëndë nga tërmeti dhe sot vijon të jetojë mes pasigurisë. Ai shprehet se çdo ditë ka frikë se banesa mund t’i shembet mbi kokë.
Banorët kërkojnë ndërhyrje dhe zgjidhje konkrete nga institucionet, në mënyrë që banesat e ndërtuara të bëhen funksionale dhe familjet të mund të jetojnë në kushte të sigurta.




