Demokracia 2.500 euro!

Demokracia 2.500 euro!

Nga Agim Nesho

Deklarata e përfaqësuesit të Komisionit Europian, në mbështetje të Edi Ramës, ishte një nga deklaratat më të turpshme ndaj një lëvizjeje popullore që kërkon rivendosjen e demokracisë dhe funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

Të mbështesësh një regjim dhe të dalësh kundër intelektualëve, studentëve dhe një pjese të gjerë të opinionit publik tregon varfërinë e vlerave të atyre që drejtojnë sot Komisionin Europian.

Ne nuk e kemi besuar kurrë Marta Kos-in kur shprehej se «Edi Rama është një lider me vizion në Ballkan». Tani, sipas kësaj logjike, lind pyetja: mos vallë vizioni i tij është se çdo njeri ka një çmim për t’u blerë?

Prandaj, prej kohësh ekzistojnë akuza dhe shqetësime se BE-ja po mbyll sytë përballë problemeve të rënda në Shqipëri: lidhjeve të pretenduara mes politikës dhe krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe mbështetjes pa kushte ndaj autokracive elektorale në Ballkan.

Sot, populli shqiptar kërkon të dijë nëse edhe mbështetja politike ka një çmim dhe nëse dikush mund të përfitojë duke heshtur përballë dhunës ndaj studentëve dhe qytetarëve që janë ngritur për liri e demokraci.

Mund të na thoni, zonja Kos, cili është çmimi për të blerë ndikim në Bruksel dhe te udhëheqësit europianë?

Mbrojtja e një pushteti autoritar, e justifikuar me argumente gjeopolitike, është një arsyetim banal dhe i turpshëm.

Studentët dhe populli shqiptar nuk janë kundër Europës. Përkundrazi, ata kërkojnë demokraci, drejtësi dhe shtet ligjor, pikërisht ato vlera mbi të cilat është ndërtuar projekti europian.

Problemi nuk janë qytetarët që kërkojnë liri, por ata që, në emër të interesave gjeopolitike, rrezikojnë të bëhen mburojë për pushtetet autoritare dhe të luajnë me besimin e qytetarëve te Europa.

Shqipëria kërkon Europën e vlerave, jo Europën e standardeve të dyfishta!

Share it :