Çfarë fshihet pas puthjes së Ndrenikës
Nga Armand Shkullaku
Pas shfaqjes së fundit të Erion Velisë, ata që vuajtën më shumë emocionalisht nga sulmet kundër Robert Ndrenikës, ishin pak a shumë ata që po vuajnë materialisht nga mungesa e kryetarit dorëlëshuar të bashkisë. Duke shmangur thelbin e atij inskenimi, që la pas një shije të thartuar, një grusht mbështetësish nga halli të Velisë, u përpoqën t’i japin atij trajtat e viktimës nëpërmjet ndjeshmërisë që ngjallte një burrë në moshë të thyer, për më tepër një personazh i dashur i kinemasë e teatrit, i vënë menjëherë nën breshërinë e rrjetit.
Dhe kjo tentativë nuk është se nuk ia arriti qëllimit. Regjisori i pjesës teatrale, “Puthja në ballë” u la mënjanë dhe thuajse të gjithë u morën me atë që gjithë jetën e ka shkuar duke luajtur rolet që i kanë caktuar. Prirja jonë popullore për të ndëshkuar pasojën dhe jo shkakun, shkëlqeu edhe një herë në shkronja e ekrane. Fama e Ndrenikës, mu për këtë i përzgjedhur për të “puthur atë burrë”, tërhoqi mbi vete gjithë polemikat post festival. Eshtë i njëjti mentalitet që dënon më fort bashkëpunëtorin e sigurimit dhe jo atë që e detyron të bëhet i tillë, që denigron atë që shitet dhe veneron atë që e blen, që sulmon atë që përulet dhe respekton atë që e godet. Në këtë kompleks popullor nënshtrimi ndaj pushtetit dhe histerie ndaj dobësisë njerëzore, u godit edhe Ndrenika duke lënë mënjanë autorin e shfaqjes së shëmtuar.
Në sfidën mes pushtetit dhe intelektualit, sigurisht që duhen treguar me gisht edhe ata që keqpërdoren, shiten apo shërbejnë me vetëdije, për dëmin që i shkaktojnë shoqërisë. Por në rastin konkret, ata që u morën me Ndrenikën ranë pikërisht në kurthin e projektuar për të amnistuar atë që kishte shpërndarë rolet. Si ata që u revoltuan me aktin publik të aktorit 83 vjeçar si ata që u shtirën se u vinte keq për të, në fund shmangën thelbin e atij teatri në sallën e gjyqit
Pavarësisht trajtave karikaturale të vënies në skenë, debati që do duhej të prodhonte ajo ngjarje është ai i raportit mes pushtetit dhe asaj pjese të shoqërisë që prezumohet në antagonizëm me të, si avangardë e progresit, e lirive më të mëdha dhe e të drejtave më të shumta. Ata që morën në mbrojtje Ndrenikën nuk thanë asnjë fjalë për deformimin e vazhdueshëm që Veliaj me pushtetin e tij u ka bërë artistëve, gazetarëve, sportistëve, e në përgjithësi krijuesve, që pikërisht për shkak të sistemit të korruptuar të vlerave që ka instaluar soji i erionveliajve, nuk ia dalin të jetojnë me punën e tyre apo të pleqërojnë me dinjitet nga djersa e shpërblyer. Nuk u përmendën emra të tjerë të mirënjohur që për shkak të varësisë nga ky pushtet i kalbur janë detyruar të shpërndajnë supë, të ngulin pemë. Të bëjnë deklarata publike kundër opozitës e të rreshtohen në fondacionet medemek kulturore të Ajola Xoxës.
Zërat publikë që u mallëngjyen nga puthja në ballë e u revoltuan për sulmet ndaj Ndrenikës, nuk bënë asnjë ditë vetme llogarinë e thjeshtë se sa krijues do të jetonin me dinjitet sikur në vend të supës të ndanin qindra mijëra eurot që zonja e parë e bashkisë i kishte investuar në garderobën personale. Apo sikur paratë e ndara me zarfe në shërbim të propagandës, të shpërndaheshin me garë e transparencë për të mbështetur pikërisht pavarësinë e artistëve ndaj trysnisë së pushtetit.
Shfaqja “Puthja në ballë” nuk duhet analizuar për dobësinë njerëzore të Ndrenikës por duhet parë si një metaforë ulëritëse i kapjes që një pushtet i korruptuar i ka bërë asaj që do duhej të ishte pjesa më progresive e shoqërisë. Jo thjesht për aktin e një aktori të mirënjohur, por për mënyrën se si u trajtua ky akt në sferën e debatit publik. Njësoj si në rastin e dosjes së Veliajt, ku anashkalohet krimi për t’u kapur personalisht me një prokuror, edhe në këtë rast amnistohet regjisori për t’u marrë me një aktor. /Lapsi/




