Skandali/ Kalaja: Prokuroria zvarrit hetimet për 6.8 milionë eurot që Veliaj ia dha vëllait të drejtorit
Një kallëzim penal i depozituar në SPAK hedh dritë mbi një skemë të dyshuar korrupsioni dhe konflikti interesi në Bashkinë e Tiranës, që kap vlerën e 6.8 milionë eurove. Sipas kallëzimit, kryebashkiaku Erion Veliaj, ish-drejtori i Përgjithshëm Juridik, Alban Dokushi dhe vëllai i këtij të fundit, përmbaruesi Besnik Dokushi, janë përfshirë në një mekanizëm ku mbi 90% e ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore të bashkisë i kalonin zyrës së përmbaruesit Dokushi.
Në një deklaratë për mediat, avokatja Adriana Kalaja shpjegoi se kallëzimi penal vë nën akuzë tre persona. Konkretisht, bëhet fjalë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Alban Dokushin në cilësinë e drejtorit juridik të këtij institucioni, dhe përmbaruesin gjyqësor Besnik Dokushi. Akuzat bazohen në prova që tregojnë se zyra përmbarimore e Besnik Dokushit, vëllait të drejtorit juridik të bashkisë, ka përfituar pjesën dërrmuese të çështjeve për ekzekutim.
Vlera totale e këtyre ekzekutimeve, sipas kallëzuesve, arrin në 6.8 milionë euro, një shifër disproporcionale krahasuar me zyrat e tjera. Për kontrast, të gjitha zyrat e tjera përmbarimore së bashku kanë ekzekutuar një vlerë prej vetëm 500 mijë eurosh.
Adriana Kalaja: Në fakt, siç e kemi denoncuar dhe e kemi bërë dhe publike, bëhet fjalë për një kallëzim penal që ne kemi depozituar pranë SPAK-ut, ku subjektet e këtij kallëzimi ishin Erion Veliaj, me cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Alban Dokushi me cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm juridik pranë kësaj bashkie dhe përmbaruesi gjyqësor Besnik Dokushi, për të cilin ne kishim referuar prova dhe fakte që përveçse ishte vëllai i Alban Dokushit, pra drejtorit të Përgjithshëm juridik.
Nga ana tjetër kishim konstatuar me prova konkrete se mbi 90% të ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore, por edhe të problematikave që kishte Bashkia Tiranë, kalonin për ekzekutim tek zyra e vëllait të Alban Dokushit, shumë e cila kapte vlerën 6.8 milionë euro deri në momentin që ne kemi bërë kallëzimin penal.
Ndërkohë, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me detyrën dhe në këndvështrimin tonë edhe në shpërdorim të detyrës, duke qenë se 75A-ja e përcakton qartë se kush janë subjekte të hetimit të SPAK-ut, Altin Dumani, si duket ishte rasti kur nuk kishte marrë urdhër politik, e delegon këtë çështje për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës sërish edhe ajo në shkelje të ligjit procedural penal, por edhe të detyrës, vijon hetimet duke vendosur pushimin e çështjes. Këtë fakt ne e denoncuam në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, kur me thënë të drejtën, gjyqtari Dritan Hallunaj, në respekt të ligjit dhe detyrës, pranoi kërkesën tonë dhe shpalli moskompetencën e Gjykatës së Tiranës dhe të Prokurorisë së Tiranës dhe e ka kaluar për kompetencë në Gjykatën e Posaçme.
Sot ne kishim marrë njoftimin për këtë seancë, por unë kërkova shtyrjen sepse mu duk në fakt edhe pak e çuditshme dhe e paprecedent që në njoftimin e gjykatës unë nuk kisha asnjë të dhënë qoftë lidhur me subjektin e kallëzuar, qoftë dhe lidhur me numrin e procedimit penal.
Kështu që ndodhur në këto kushte, unë i kam kërkuar gjyqtares Elsa Ulliri shtyrjen e seancës me qëllim për t’u përgatitur për seancën e radhës dhe për të parashtruar të gjithë problematikat që ne kemi ngritur në kallëzim penal.
Kjo çështje jo vetëm nuk duhet të pushohet, por kjo çështje duhet të hetohet sepse ne çmojmë se pjesën kryesore të veprave penale në këtë çështje e ka titullari i bashkisë që është Erion Veliaj dhe nën miratimin dhe marrëveshjen e titullarit dhe drejtuesi Alban Dokushi.
Ish drejtori i përgjithshëm Alban Dokushi, ka bërë dhe këto veprime që në këndvështrimin tonë janë veprime korruptive, në shpërdorim të detyrës, në konflikt interesi dhe sipas nesh dhe në ushtrim të ndikimit të paligjshëm, pasi është absurde që të gjithë zyrat përmbarimore kanë ekzekutuar një shumë prej 500.000 eurosh, ndërsa vëllai i Alban Dokushit ekzekuton një shumë prej 6.8 milionë euro…




