Ilir Meta: Shqipëria në krizë të thellë, korrupsioni dhe censura rrëzojnë standardet
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas publikimit të raporteve ndërkombëtare që evidentojnë përkeqësimin e situatës në Shqipëri, si për sa i përket korrupsionit ashtu edhe lirisë së medias. Ai thekson se këto zhvillime përbëjnë një alarm serioz për standardet demokratike në vend.
Duke vënë theksin tek nevoja për transparencë dhe luftë reale kundër korrupsionit, Meta kërkon gjithashtu një proces gjyqësor të hapur ndaj tij, duke e konsideruar atë çështje me interes të lartë publik dhe një test për funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri
Postimi
Pas raportit të “Transparency International” ku Shqipëria shënoi një rritje skandaloze të korrupsionit duke përkeqësuar renditjen e saj me 11 vende, natyrisht që do të dilte dhe raporti i “Reporterëve pa Kufij” për përkeqësimin e lirisë së medias.
Është e rëndësishme të evidentohet se në këtë raport theksohet se edhe për shkak të disa vendimeve gjyqësore, mediave u është ndaluar të raportojnë për çështje të ndjeshme me interes publik.
Sot nuk ka prioritet më të rëndësishëm për Shqipërinë se sa lufta kundër korrupsionit dhe transparenca në llogaridhënie.
Ndaj inisistoj edhe njëherë për domosdoshmërinë e transparencës maksimale për procesin e gjykimit ndaj meje sepse e vlerësoj me interes të lartë për publikun.
Si mund të bësh hapa para drejt Bashkimit Europian kur të gjitha standardet, jo vetëm të shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit, por edhe të lirisë së mediave dhe shprehjes shkojnë pikiadë.




