Gjyqi ‘Partizani’/ Edi Rama do thirret si dëshmitar
Kryeministri Edi Rama do të thirret si dëshmitar në gjyqin që po zhvillohet mbi dosjen ‘Partizani’.
GJKKO është shprehur mbi provat shkresore që do jenë objekt i shqyrtimit gjyqësor dhe dëshmitarët, ku ka pranuar kërkesën e disa prej të pandehurve për tu pyetur dhe Edi Rama si dëshmitar.
Rama do pyetet si dëshmitar në cilësinë e ish- kryetarit të bashkisë së Tiranës.
Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, kanë pretenduar se ka qenë Edi Rama që ka firmosur ndyshimin e destinacionit të truallit nga terren sportiv për ndërtim, në kohën kur ka qënë Kryetar i Bashkisë Tiranë.
Gjithashtu bëhet me dije se GJKK nuk ka pranuar të thirret si dëshmitarë edhe oficeri i BKH, Besmir Karanxha, i kërkuar nga mbrojtja e Berishës dhe Malltezit.
Ndërkohë, GJKKO rezervon të drejtën të shprehet mbi aktet e ekspertimit apo kërkesat për riekspertim të kërkuara nga Malltezi, pasi të pyeten ekspertët, si dhe lidhur me aktet e ekspertimit privat të depozituara nga Malltezi do të shpehet në vijim.
Burimet për gazetarin e SYRI-t, Fatjon Gjinaj, bëjnë me dije se fillimisht do pyeten dëshmitarët e kërkuar nga SPAK, duke nisur nga Taulant Balla në cilësinë e kallëzuesit.
Po ashtu Spak kërkon të pyeten si dëshmitar Albert Xhani dhe Isa Tare.




