Edhe pse ka luajtur shumë pak, ka arritur që të lërë gjurmë në historinë e futbollit botëror. Zhyst Fonten është njëri prej futbollistëve që ka vendosur limite të tilla, që edhe pas plot 50 vitesh, askush nuk ka guxuar t’i kalojë. Ai në botërorin e 1958-ës ka mundur që të shënojë plot 13 gola në një edicion, duke u bërë kështu lojtari i vetëm që shënon kaq shumë në harkun e pak takimeve.
Kanë kaluar shumë vite, por emri i tij vazhdon që të përmendet. Falë 13 golave që shënoi në Kupën e Botës që u mbajt në Suedi më 1958, Zhyst Fonten është kthyer në një prej legjendave të kësaj loje. Më mirë se ai asnjë nuk ka ditur të bëjë. 13 gola në një edicion të vetëm është një arritje, që ende mban firmën e tij.
Fillimet
Zhyst Fonten lindi në Marakesh të Marokut. Familja e tij ishte disi “e çuditshme”, pasi i ati ishte nga Normandia, ndërsa e ëma vinte Spanja. Hapat e parë në futboll ai i hodhi me klubin “US Marocaine de Casablanca”. Tek këta të fundit (skuadra që zhvilloi edhe takimin e parë si profesionist bomberi), Zhysti luajti nga viti 1950 deri në 1953-in. Më pas kaloi tek Nisa, ku në tri sezone shënoi 44 gola. Në 1956 ai shkoi sërish tek Reims (në atë kohë ishte skuadra më rëndësishme e Francës) si zëvendësuesi ideal i Rajmond Kopas (kaloi tek Reali). Këtë detyrë ai e përmbushi më së miri pasi në gjashtë sezone shënoi plot 121 gola (këto numra marrin një tjetër rëndësi po të kemi parasysh se ai për një vit nuk luajti fare pasi dëmtoi rëndë njërën këmbë).
Shifra që të marrin mend
Në total ai shënoi 165 gola në 200 ndeshje që zhvilloi në Francë. Fonteni u kthye në një personazh, pasi kishte një mesatare goli për ndeshje që të tërë e kishin zili: 0.825. Ai gjithashtu përfundoi dy herë i pari në listën e golashënuesve më të mirë të Francës në 1958 dhe 1960 (në 1957 dhe 1959 mbërriti i dyti). I tërë sekreti i Fontenit qëndronte në faktin se ai përdorte mjaft mirë të dyja këmbët. Gjithashtu ishte i pagabueshëm edhe në luftën në ajër. “Unë kërcej aq lart për të goditur topin me kokë, saqë kur zbres në tokë, shoh tek flokët se kam fjollë bore”. Me këto fjalë vetë Fonteni përshkroi vetveten vite më pas. Kjo fjali mjafton për të ilustruar më së miri njërën prej cilësive që e dallonte atë nga sulmuesit “normalë”.
Pika më e lartë
Edhe pse me klubet nuk u paraqit keq, Fonteni preku majat vetëm me fanellën e kombëtares. Në Botërorin që u mbajt në 1958-ën në Suedi, “gjelat” nisën aventurën në një klimë aspak të mirë. Me të mbërritur në Skandinavi, shumë prej gazetarëve transalpinë (ushtruan trysni mbi ekipin) u kërkuan lojtarëve të Francës që të ishte skuadra e parë që kthehej në shtëpi, pra të eliminohej. Por Zhys Fonteni nuk ishte dakord. Ai vinte pas fitores së dyfishtë me Reimsin (fituan kupën dhe kampionatin në Francë) fakt ky që mund ta kishte shpërqendruar paksa. Bomberi gjatë udhëtimit nuk kishte venë re që njëra prej këpucëve të futbollit kishte shkelmuar topin për herë të fundit. “Ne në atë kohë kishim në dispozicion vetëm dy palë këpucë. Nuk kishim sponsor, – rrëfen Fonten. – Kur shkuam në Suedi, e pashë se nuk i kisha më këpucët. Por fatmirësisht një shok i skuadrës, Stefan Bryi, kishte të njëjtin numër këmbe si mua. Ai ishte sulmuesi i dytë pra ulej në bankinë kështu mi hua takat. Ndërsa unë ia ktheva pas gjashtë ndeshjesh ku kisha shënuar 13 gola. Mendoj se golat i kam shënuar duke kombinuar bashkë dy shpirtra brenda një këpuce”.
Kopa: Zhyst më lexonte në mendje
“Zhyst ishte lojtar që i shkonte tipit të lojës që bëja unë, – tha pak kohë më parë Rajmond Kopa (mori çmimin si lojtari më i mirë i Botërorit Suedi 1958). – Ai dinte se çfarë bëja unë. Në fund të kalimeve të mia e dija se do të priste në vendin e duhur asistin tim”. Sa u përket golave, Fonteni nisi të shënonte që në takimin e parë. Franca mundi 7-3 Paraguain me tre gola të bomberit. Ky i fundit nuk do të ndalej aty, pasi shënoi dy gola në humbjen 3-2 që pësoi Franca ndaj Jugosllavisë. Ndërsa në takimin e tretë në grup Fonteni shënoi një nga tre golat e Francës që mundi 3-0 Skocinë. Ndërsa në turin e dytë transalpinët shkatërruar që të eliminonin Irlandën e Veriut në një fitore bindëse 4-0. Sa i përket gjysmëfinales, Francës i doli përballë ekipi që do të fitonte në këtë kompeticion. Brazili mundi transalpinët 5-2 (një gol e shënoi Fonteni). Por bomberi nuk do të ndalej këtu. Ai shënoi një gol edhe në finalen e vogël, ku Franca mundi Gjermaninë Perëndimore 6-3.
Keqardhje e madhe
Në Suedi 1958-ës ai shënoi shtatë gola me këmbën e djathtë, pesë me të majtën dhe një me kokë. Përveç rekordit që vuri në atë edicion të Kupës së Botës, Fontenin nuk e gëzon gjë tjetër. Madje, ai shfaqet i brengosur kur kujton atë eveniment: “Ne humbëm atë takim 5-2, por duhet të dini se kemi luajtur tërë pjesën e dytë me dhjetë vetë. Sapo unë barazova shifrat në 1-1, u dëmtua Robert Zhonke dhe në atë kohë rregulloja nuk parashikonte zëvendësime gjatë takimit. Më erdhi shumë keq”. Fakti që “u rrëzuan” shumë pak metra larg objektivit i dërrmoi transalpinët. Madje, siç tregon edhe vetë Fonteni, as shënimi i 13 golave nuk “e ngushëlloi”. “Duhet ta dini se në atë kohë askush nuk interesohej për listën e golashënuesve. Unë shënova shumë, pasi merresha vesh shumë mirë me Kopën. Gjithashtu, një meritë e kishte dhe e tërë skuadra, pasi ne luanim një futboll sulmues. Në gjashtë ndeshje ne realizuam plot 23 gola”.
Profesionist
Në atë eveniment Zhysti arriti që të barazonte një rekord që e mban se bashku me “shigjetën e zezë” të Brazilit, Zharzinjo. Që të dy këta futbollistë kanë shënuar në çdo ndeshje të botërorit. Ndërsa sa i përket 13-golëshit mund të themi se shifrat do të ishin edhe më të thella. Nëse Zhyst do të ekzekutonte një penallti që mori në “finalen” e vogël” përballë Gjermanisë Perëndimore, atëherë ai do të kishte çuar në 14 numrin e golave të realizuar në një edicion të botërorit. “Kopa ishte lojtari që u zgjodh nga trajneri para takimit për të ekzekutuar penalltitë. Kështu mua as që më shkonte në mendje t’i kërkoja që ta ekzekutoja unë atë njëmbëdhjetëmetërsh”, – tregoi Fonteni.
Modest
Vite pas asaj eksperience, Zhysti është treguar shumë modest duke komentuar: “Ishim përgatitur mirë për atë eveniment. Kishim regjistruar çdo lëvizje të kundërshtarëve. Atë vit mbizotëroi skuadra”. Ditë pasi mbaroi evenimenti një gazetë suedeze hapi faqen e parë me foton e Fontenit që mbante në dorë një pushkë. Zgjedhja e gazetës në fjalë ishte e thjeshtë. Ajo donte të tregonte se “gjahtari” i vërtetë i golave ishte bomberi francez. Ndërsa pak vite më pas në rrugën 13 të Tuluzës mbërriti një këpucë e artë. Bëhet fjalë për atë që fitoi Geri Linekeri në Kupën e Botës të 1986-ës në Meksikë. Sulmuesi më i mirë i atij edicioni u shpall bomberi anglez që deshi t’i bënte një dhuratë idhullit të vet.
Të fundit
Dy vite më pas, Fonteni shënoi edhe golin e 29 dhe të 30 me fanellën e Francës në Paris, përballë kishte Kilin. Ata do të ishin edhe dy golat e fundit për Fontenin që nisi gjithçka me atë tregolësh që shënoi në takimin e parë me “gjelat” ndaj Luksemburgut më 17 dhjetor të 1953-shit. Ndërsa takimin e fundit me “Les Bleus”, Fonteni e luajti në Bullgari më 11 dhjetor të 1960-ës. Në 30 takime zyrtare që luajti për Francën, ai shënoi plot 21 herë me një mesatare rreth 1.43 golash për ndeshje .
Dëmtimet
Numrat e golave të shënuar mund të ishin edhe më të shumtë nëse ai nuk do të dëmtohej. Ai u dëmtua rëndë në këmbë në një sfidë kundër Soshosë. Aty Fonteni theu kërcirin dhe fyellin e këmbës. Dëmtimi ishte i rëndë kështu iu desh shumë punë të rikthehej edhe një herë në fushë. Gjithsesi bomberi ia doli dhe më një janar të 1961-shit, në një sfidë që luante për herë parë, që kur pësoi dëmtimin, luajti përballë Limoges. Por në atë takim të mallkuar ai dëmtua sërish, pasi këmba nuk e mbajti më, duke “e lëshuar” po në të njëjtin vend. Kështu ende pa mbushur të 27-at ai u detyrua që mbyllte karrierën (5 korrik 1962). “Më erdhi me të vërtetë shumë keq”, – shpjegoi Zhyst pak vite më pas.
Rekord negativ
Por një kampion si Fonteni ka regjistruar edhe rekorde negative. Ai qëndroi pranë futbollit, pasi merrej me Unionin Kombëtar të Futbollistëve Profesionist (UNFP). Më tej gjithçka nisi në 1967-ën kur Fonteni mori të drejtën për të drejtuar një skuadër si trajner. Atij iu dha bankina e Francës, të cilën e mbajti vetëm për dy takime miqësore. Më pas u shkarkua duke hyrë në historinë e trajnerëve më jetëshkurtër të “gjelave”. Ndryshe nga rekordi i golave të shënuar për këtë Fonteni asnjëherë nuk ka pasur dëshirë të flasë…
Marrë nga FIFA.com




