Zgjedhjet vendore/ PD, dyshime për manipulime, Paloka: Po sjellin votues në Tiranë, s’kanë shanse me Veliajn

Kreu i grupit parlamentar: S’ka qytetar që kur gjendet përballë zgjedhjes mes Kosovës dhe Erion Veliajt, të votojë Veliajn, Erionin nuk e duan as socialistët e tij

edi palokaOpozita hedh dyshime se mazhoranca po tenton të manipulojë zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, deklaroi dje se Partia Demokratike ka informacione për zhvendosje të votuesve drejt Tiranës për të mbështetur kandidatin Erjon Veliaj. “Qoftë me sjelljen edhe të kohëve të fundit, gjë që do të vërtetohet të votuesve nga zona të tjera në Tiranë për të votuar Erion Veliajn, por edhe me ndarjen territoriale që u bë, duke përjashtuar zona që njihen që janë djathtas dhe që janë ngjitur me Tiranën dhe duke futur komuna që janë në distancë me Tiranën, por votojnë majtas qëllimi është ky”, – tha ai për “Ora News”. Ndërkaq, nënkryetari i PD-së theksoi se pavarësisht tentativave të së majtës, gara e Tiranës do të sjellë fitoren e Halim Kosovës, pasi, sipas Palokës, në të gjitha sondazhet dihet qartazi që kandidati i PD-së është përpara. “Unë mendoj që nuk ka qytetar në këtë vend, qytetar i Tiranës, qytetar i ndershëm që i do të mirën në radhë të parë vetes dhe është i ndershëm në radhë të parë me veten që kur gjendet përballë zgjedhjes mes Halim Kosovës dhe Erion Veliaj, të votojë Veliajn. Erion Veliajn nuk e duan as socialistët e tij. Nuk mund të pranojnë as ata vetë që në krye të Bashkisë të vihet sozia i Ramës, i cili nuk do bënte gjë tjetër, nëse fitonte, por të fuste në xhepat e tij dhe të Ramës, paratë e qytetarëve”, – u shpreh ai.

 

Vota e 21 qershorit

Ndërkaq, sipas demokratëve, vota e qytetarëve në zgjedhjet vendore të 21 qershorit do të jetë një rrugë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. “Vota e shqiptarëve do të jetë jo vetëm një alarm për këtë qeveri, por edhe një tregues i qartë se me këtë mënyrë qeverisje nuk mund të vazhdohet. Pas 21 qershorit në mbështetje të shqiptarëve do të kërkojmë që në Shqipëri të bëhen ndryshimet e duhura”, – tha Paloka. Më parë në takimet e zhvilluara në qytetet e ndryshme ku ka prezantuar kandidatët për bashkim, kryedemokrati Basha ka theksuar se përmes votës së tyre qytetarët do të ndëshkojnë qeverinë e majtë e cila, sipas tij, ka sjellë vetëm mjerim dhe varfëri për shqiptarët. PD i ka cilësuar si një referendum popullor zgjedhjet lokale duke theksuar se qytetarë shqiptarë do t’i përgjigjen arrogancës së ekzekutivit të drejtuar nga Kryeministri Rama. PD ka kontestuar fort masat e ashpra dhe selektive sipas saj të marra nga qeveria në aksionin për energjinë elektrike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, duke theksuar gjithashtu se vendi po vuan nga korrupsioni dhe klientelizmi.

 

Debati në takimin e njësisë 8/ Qytetari e pyet për dasmën, Veliaj: Nuk kompleksohem që kam shitur fiq te Pazari i Ri

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, vijoi dje dëgjesat me qytetarët e kryeqytetit, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Veliaj u ndal në njësinë numër 8 në Tiranë, ku ka dëgjuar shqetësimet e banorëve të kësaj njësie dhe ku akuzoi kreun aktual të Bashkisë, Lulëzim Basha, se nuk mbajti asnjë premtim. “Çuni i kësaj lagjeje para 4 viteve dha shumë premtime, por nuk bëri asgjë, nuk bëri tramin, nuk ndërtoi çerdhet e premtuara, nuk bëri asnjë park. Djali i kësaj lagjeje që, në fakt, është i Holandës, duhet të vijë e të japë llogari për gjendjen në të cilën e ka lënë Tiranën”, – tha ai. Ndërkohë, i pyetur nga një nga qytetarët pjesëmarrës në takim lidhur me dasmën e tij dhe kritikat e ngritura për shpenzimet e saj, Veliaj nuk ngurroi ta cilësonte banorin si të dërguarin e kryedemokratit Basha në takim. Në këtë kontekst, ai madje pohoi se krahas punëve si fadromist dhe në emigracion që ka folur edhe në takimet e mëparshme, ka pasë punuar edhe si shitës fiqsh te Pazari i Ri. “Të ka çuar Luli me uniformë, por do të përgjigjem. Takimi është i vërtetë dhe jo me kaseta, zotëria militant e provoi këtë. S’kam kompleks nga jeta ime, as nga varfëria me të cilën jam rritur, as nga familja dhe as nuk kam vrarë njeri. Nuk kam kompleks që kam shitur fiq në Pazarin e Ri dhe as që kam ikur në këmbë në emigracion. Se çdo shqiptar i ndershëm, në kushte të vështira ka shkuar në emigracion. Të tallesh me ta është pafytyrësi. Familja ime s’ka dalë në jetë duke shitur predha. S’ka lënë njeri jetim si familja e atij. Koha e atyre që e mbajnë familjen me bukë duke vrarë njerëz në Gërdec”, – tha Veliaj.

 

Bojaxhi: Veliaj emrin s’ma përmend, por projektet m’i vjedh

Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi, akuzoi dje kundërshtarin socialist, Erion Veliaj, se vjedh idetë e bërë publike më parë prej tij. Sipas Bojaxhi, Veliaj nuk ia përmend kurrë emrin në daljet publike, megjithatë nuk e ka problem të vjedhë idetë e tij. “Erion Veliaj, megjithëse nuk ia përmend kurrë emrin Gjergj Bojaxhiut, nuk e ka problem të vjedhë idetë e tij. Sot, premtoi referendume lokale – një nga propozimet kryesore të Gjergj Bojaxhi që prej një muaji”, – shkruante kandidati Gjergj Bojaxhi në rrjetin social “FB”.

 

Berisha: Falsiteti i Veliajt, taksisti dhe vajza që i qanin hall, miq të tij në G-99

Ish-kryeministri Berisha publikoi dje disa foto në rrjetin social “FB”, përmes të cilave vërtetohet, sipas tij, fushata false e kandidatit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. “Dy ditë më parë, në një takim me FRESH-istë, ai stisi falsitetin e radhës me një vajzë e cila merr fjalën dhe i kërkon Veliajt të punësohet në Bashki dhe zemërmiri Erion, pasi e pyet nëse ajo ishte me 10-ta dhe merr përgjigjen që priste, e garanton se do ta punësonte. Mirëpo mediat kishin gjetur një foto plot dashamirësi të bërë më parë të kësaj “të panjohure” me Veliajn. “Mister Fallci” dje si rastësisht ndalon ne rruge një taksist dhe ai menjëherë nisi e po i qante hallin atij. Por sapo u nda prej tij na doli se taksisti “i panjohur” ishte thjesht kallp apo falsiteti i ditës së Erionit”, – shkruante Berisha.

 

Ftesa/ PD, Veliajt: Për çfarë e fton në debat Kosovën? Bën takime me pyetje të stafit elektoral

Partia Demokratike reagoi dje ndaj ftesës së kandidatit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, për rivalin e tij të opozitës, Halim Kosova, për një debat publik. Përmes deputetes Jorida Tabaku, PD pyeti se cila ishte arsyeja e kësaj ftese, duke e akuzuar Veliajn si një njeri të show-t propagandistik. “E fton në debat për 20 mijë familjet që hoqi nga ndihma ekonomike për të futur miq dhe familjarë të tij dhe deputetëve të tjerë të mazhorancës? E fton në debat për rritjen e çmimit të energjisë apo për faktin se ende nuk ka dhënë asnjë kompensim për familjet në nevojë? E fton në debat për mijëra vende pune të mbyllura?E fton në debat për mijëra familje që kanë marrë rrugët e emigrimit?”, – pyeti Tabaku. Ndërkaq, ajo theksoi se kandidati i së djathtës vijon të dëgjojë qytetarët e Tiranës pa dallime politike, të majtë e të djathtë, sepse kryetari i baskisë sipas Tabakut është i të gjithë qytetarëve. “Z. Kosova ka prioritet interesat e qytetarëve dhe të qytetit, jo propagandën mediatike me pyetje që i bën stafi dhe përgjigje të parapërgatitura, pa vizion, pa platformë dhe vetëm demagogji”, – u shpreh deputetja demokrate.

 

Share it :