Xherdan Shaqiri është padyshim lojtari më i mirë që ka pasur Kombëtarja e Zvicrës në dekadën e fundit. Ai po kalon formë të shkëlqyer me ‘helvetikët’, duke qenë edhe lojtari kryesor i saj me golat e shënuar dhe asistimet e dhëna.
Në 46 ndeshje, Shaqiri, ka shënuar 17 gola, ndërsa është në ndjekje të rekordit të Alexander Freit, që ka shënuar 42 gola në 84 ndeshje.
“Do të më duhet pak kohë para se të kap Frein, por jam akoma i ri. Sigurisht, është gjithmonë e bukur të shënosh dhe të japësh asistime. Jam i lumtur kur kam mundësi të ndihmoj skuadrën. Jam i lumtur për besimin që më jep trajneri i kombëtares dhe për mbështetjen e shokëve të skuadrës. Kemi një shpirt skuadre dhe kjo duket qartë në fushën e lojës. Te kombëtarja ndihem shumë mirë dhe për këtë arsye mund të jap një rendiment më të lartë”, ka thënë futbollisti ng Gjilani.




