Vrasja natën/ Parcela me kanabis, qëllon me armë 3 të rinj, një i vdekur e 2 të plagosur

 

Artan Cena

qëllon me armëAlfons Dautaj, 23 vjeç, ka humbur jetën, ndërsa shtetasi Mariglen Luari, 24 vjeç, u dërgua në gjendje të rëndë në Tiranë. Ndërkohë, Riza F., 22 vjeç, ndodhet në spitalin rajonal të Fierit

Një 23-vjeçar ka mbetur i vdekur, ndërsa dy bashkëmoshatarë të tij janë plagosur rëndë në fshatin Ninësh të Mallakastrës. Alfons Dautaj, 23 vjeç, ka humbur jetën, ndërsa shtetasi Mariglen Luari, 24 vjeç, u dërgua në gjendje të rëndë në Tiranë. Ndërkohë, Riza F., 22 vjeç, ndodhet në spitalin rajonal të Fierit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01.00 pas mesnate, në pyllin e fshatit Ninësh, pranë një parcele të mbjellë me bimë narkotike (kanabis). Nuk dihet nëse të rinjtë janë qëlluar nga persona të tjerë apo kanë patur konflikt me njëri-tjetrin. Policia tha se po punon për identifikimin, kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

 

Vrasja në parcelë 

Tre të rinj që kishin kultivuar lëndë narkotike kanabis sativa në një parcelë janë bërë objekt i një sulmi me armë zjarri mesnatën e së dielës në fshatin Ninësh të Fratarit në Mallakastër. Njëri prej tyre ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa dy të tjerët ndodhen në gjendje kritike për jetën.  23-vjeçari Alfons Dautaj nga Ninëshi nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra, pasi të shtënat kanë qenë fatale. Ndërsa të plagosur mbetën Mariglen Luari 24 vjeç nga Patos Fshati dhe Riza Fejzo 22 vjeç, të dy jashtë rrezikut për jetën. Tre të rinjtë ishin në pyllin e fshatit Ninësh të Fratarit, kur rreth orës 00:45 të ditës së djeshme në rrethana misterioze janë qëlluar me armë zjarri automatik nga persona ende të paidentifikuar. Këta të fundit janë larguar në drejtim të paditur dhe në ndihmë të tre djemve kanë shkuar banorët e fshatit, të cilët u kanë dhënë ndihmën e parë. Ngjarja ndodhi jo shumë larg parcelës ku ishin mbjellë të paktën rreth 900 bimë të lëndës narkotike kanabis sativa. Të rinjtë ruanin parcelat me lëndë narkotike dhe dyshohet se edhe baza e konfliktit që solli sulmin me armë zjarri ndaj tyre janë pikërisht parcelat me kanabis. Kjo është pista ku policia e Fierit ka përqendruar punën për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes, ndërsa deri me tani janë shoqëruar rreth 20 persona.

 

Dëshmia e babait

I tronditur, babai Alfonsit dhe i 5 djemve dhe 3 vajzave të tjera, ende nuk di të shpjegojë arsyen që i mori jetën të birit. “Në orën 1 më telefonuan. Nuk i kam rënë njeriu në qafë, se po t’i bija në qafë e di që kam për të shlyer një gabim. Nuk jam i qartë fare se si shkoi kjo punë, më duket sikur e kam gjallë”. 23-vjeçari jetonte në kushte ekstreme varfërie në një familje të madhe, ku në dy dhoma banonin rreth 15 persona. Nga bashkëfshatarët Alfonsi njihej si person jo problematik. Të plagosuri Riza Feizaj edhe  Mariglen Luari,tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa nga ana e policies janë shoqëruar rreth 20 persona dhe po punohet për saktësimin e motiveve të kësaj ngjarje të rëndë dhe kapjen e autorëve.

 

Adoleshenti qëllon me çifte në kokë kushëririn, nga pakujdesia

Një 14-vjeçar në Gjocaj të Kavajës është vrarë me armë gjahu nga pakujdesia e kushëririt të tij 17-vjeçar. Policia e Tiranës bëri të mundur arrestimin e 17-vjeçarit Z.Sh., i cili në pyllin e fshatit Gjocaj, ka qëlluar në kokë kushëririn e tij me iniciale Sh.Sh. Pasi ka tentuar të fshihet në pyll nga trauma, është ndaluar nga policia.

 

“Lazarati”, Krimet e Rënda lënë në qeli 3 të dyshuar për vrasjen e Bashës

I qetë dhe me bluzën në markën e njohur “Luois Vuitton” 19-vjeçari nga Lazarati Klodian Selimi doli para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tij. Para gjykatës Selimi dha gjeneralitetet dhe shkëmbeu vetëm një batutë me gjyqtaren Flora Haradinajt, teksa u pyet për shtetësinë. I riu akuzohet se në bashkëpunim me shokët e tij Dervish Gaba, Elvis Boçi dhe Xhuliano Malo të drejtuar nga vëllezërit Arbjon e Alban Aliko qëlluan mbi policinë duke lënë të vrarë efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha më 24 qershor, por këtë akuzë ai e ka mohuar para gjykatës. Selimi mësohet të ketë dhënë informacione për armët e përdorura nga grupi i zjarrit në Lazarat një pjesë e tyre e sekuestruar mëngjesin e djeshëm në një kanal në zonën që lidh fshatin me malin e Sopotit, por paçka bashkëpunimit me drejtësinë ai sëbashku me Gabën dhe Boçin do të qëndrojnë në burg pa afat. Për avokatin e Elvis Boçit, gjykata gabon me masën e arrestit pasi klienti i tij nuk ka lidhje me grupin e zjarrit. “Gjykata vendosi arrest me burg megjithëse ndaj tij nuk kishte dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova. Elvis Boçi nuk ka lidhje me akuzat, qëndrimi i tij është mohues, ka qenë në banesën e tij me nënën edhe në kohën e ngjarjes edhe kur është shoqëruar ne do të kërkojmë ekspertimet mjeko ligjore”, – tha avokati i Elvis Boçit.

 

Kapen 20 kg heroinë në doganën e Morinës, erdhën nga Kosova

Një sasi prej 20 kg heroinë është kapur ditën e djeshme nga policia kufitare në Kukës. Droga u sekuestruar në pikën kufitare në Morinë, e cila ishte fshehur në një kamion.  Në kamionin me targë AA 090 IS, i cili drejtohej nga Arben Prendi, 43 vjeç nga Lezha, droga ishte fshehur në kabinën e shoferit. Poshtë krevatit, oficerët konstatuan një valixhe ku fshihej droga. Sasia prej 20 kg heroinë po trafikohej nga Kosova për në Shqipëri. Grupi hetimor po kryen veprimet dhe po vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti trafiku.

 

Arrestohet shoku i Ilir Kupës, ishin arratisur së bashku nga burgu i Trikallasë

 Një 27-vjeçar i arratisur nga burgu i Trikallasë në Greqi, së bashku me Ilir Kupën, u arrestua këtë të hënë nga policia e Vlorës në kuadër të operacionit të koduar “Streha e Fundit”. I arrestuari është Klement Çala, lindur dhe banues në Elbasan. 27-vjeçari është prangosur dje në lagjen “24 Maji” të qytetit të Vlorës, teksa ishte duke udhëtuar me mjetin e tij. Në momentin kur ka parë policinë, i riu ka braktisur makinën dhe është përpjekur t’u shmanget uniformave blu, por pa ja dalë mbanë. Në këto kushte ai është munduar t’i shpëtojë arrestimit duke pretenduar se ishte një qytetar nga Kosova, me emër Semir Koça. Për këtë ai zotëronte edhe një pasaportë dhe kartë identiteti kosovare. Por pas verifikimeve u mësua se që të dyja këto dokumente ishin të falsifikuara. Çala është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Greqia për një sërë veprash penale, që nga mbajtje dhe përdorim lëndësh shpërthyese, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, tentativë vrasjeje, trafik droge e të tjera. Ndërkohë, në banesën e marrë me qira nga Klement Çala u prangos një tjetër person. Alkond Bengasi, po nga Elbasani, u prangos pasi ishte shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit. Një vit më parë ai është i dënuar 3 vjet e 4 muaj burg për veprën penale “prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”. Në cilësinë e provave materiale, policia sekuestroi një pistoletë tip “TT”, dy krehra të mbushur me fishekë, një pasaportë dhe një kartë identiteti të Kosovës, që të dyja të falsifikuara, lëndë narkotike hashash dhe automjetin “Mercedes-Benz” me targa AA 447 KO, që të gjitha të Klement Çala.

Share it :