Vonon, por nuk harron/ “De jure” fitimtarë, CAS i jep 3 pikët Shqipërisë, Serbia në fund

 

serbi shqiperiVendimi i Gjykatës në Lozanë u ka dhënë tri pikët kuqezinjve, duke e rikthyer të drejtën që na u mohua nga UEFA në vend

E kush mund ta mendonte në fillim të kompeticionit të eliminatoreve të Euro 2016-ës që do të siguronim play off-in dhe jemi në pozita për t’u kualifikuar direkt për në Evropian. E vështirë, por që tashmë ëndrra për të shkuar në Francë mund të shihet nga afër. Kjo, pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv i ka dhënë tri pikët në tavolinë Shqipërisë për sfidën e Beogradit. Një ekzaltim për të gjithë kuqezinjtë anembanë, që lumturohen, pasi drejtësia u vu në vend. Aktet e shëmtuara në Beograd tashmë duken shumë larg, ndërsa Parisi shumë afër, edhe pse fizikisht është ndryshe. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) i njohu Shqipërisë fitoren për ndeshjen e ndërprerë kundër Serbisë në Beograd. Por, e konfirmoi një ndëshkim për ekipin kuqezi.

 

Vendimi i plotë

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) jep vendimin për dy procedurat apeluese të ardhura nga Grupi i i ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Evropian, për ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë, e luajtur në Beograd më 14 tetor 2014. Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata Serbe e Futbollit kanë paraqitur ankesa në CAS kundër vendimeve të dhëna nga organi i Apelit të UEFA-s, në të cilën të dy federatat janë proceduar për incidentet që kanë ndodhur gjatë ndeshjes. Çështja u dëgjua në seancat që u zhvilluan në Lozanë, Zvicër, më 16-17 prill 2015. Palët, mbrojtësit e tyre ligjorë, ekspertët dhe dëshmitarët u dëgjuan nga paneli i arbitrave të CAS. CAS-i ka pranuar pjesërisht ankesën e paraqitur nga FSHF kundër vendimit të Komisionit të Apelit të UEFA-s, marrë më 2 dhjetor 2014, në të cilin u konfirmua vendimi i marrë nga Komisioni i Etikës së UEFA-s më 23 tetor 2014. Sipas vendimeve të UEFA-s, dhënia e masës kundër FSHF-së u bazua në refuzimin e pretenduar nga skuadra shqiptare për të rinisur ndeshjen pasi ajo u ndal nga arbitri në minutën e 41-të kur disa fishekzjarre (ndriçuese) u hodhën në fushë nga fansat serbë. Gjatë këtij ndalimi të lojës, disa incidente ndodhen, si p.sh. pushtimi i fushës nga 15 fansa serbë të cilët sulmuan dhunshëm lojtarët shqiptarë. Megjithatë, Paneli i CAS nuk gjeti provat që tregojnë se FSHF ka refuzuar për të luajtur pas një urdhri të nxjerrë nga arbitri. Paneli i CAS nuk ishte në gjendje për të konstatuar se arbitri ka lëshuar një urdhër të qartë, të drejtpërdrejtë dhe të pakushtëzuar ndaj lojtarëve për të rifilluar ndeshjen në bazë të një vendimi të caktuar se siguria ishte vendosur. Paneli konstatoi se ndërprerja e ndeshjes dhe braktisja eventuale e ndeshjes janë shkaktuar nga gabime të sigurisë së organizatorëve dhe aktet e dhunës ushtruar mbi lojtarët shqiptarë nga ana e tifozëve serbë. Si i tillë, Paneli konsideron se Federata e Futbollit e Serbisë (FAS) dhe jo FSHF duhet të konsiderohet si përgjegjës që ndeshja nuk u luajt në mënyrë të plotë, në shkelje të nenit 27.01 të Rregullores së Kampionatit Evropian të Futbollit UEFA 2014-2016. Në dritën e këtij konstatimi, Paneli i CAS ka vendosur se ndeshja kualifikuese e Grupit i mes Serbisë dhe Shqipërisë të konsiderohet si e humbur nga Serbia me rezultat 0-3. CAS vijoi për të gjetur, në përputhje me UEFA-n, se FSHF ka qenë përgjegjëse për një dron të hedhur gjatë ndeshjes, që mbante një flamur me simbole nacionaliste dhe patriotike shqiptare, si dhe konfirmoi gjobë prej 100.000 euro të vendosura për FSHF-në. Për më tepër, në lidhje me ankesën e paraqitur nga Federata Serbe, CAS e ka hedhur poshtë ankesën dhe ka konfirmuar vendimin e marrë nga organi i Apelit i UEFA-s më 2 dhjetor 2014. Prandaj, sanksionet urdhëruar nga UEFA në vendimin e saj të datës 23 tetor 2014 janë konfirmuar, përkatësisht: (i) Federatës serbe i janë zbritur tre pikë për ndeshjet kualifikuese të Kampionatin Evropian; (I) Serbia do të luajë dy ndeshje pa tifozë (iii) Federata serbe gjobitet 100,000 euro. Një vendim ky i pritur prej kohësh, që natyrisht i entuziazmon të gjithë shqiptarët anekënd globit. Drejtësia e mohuar nga komisionet disiplinore të UEFA-s për ngjarje e dhunshme të Beogradit, më së fundi u vu në vend. Dhënia e tri pikëve në tavolinë nga CAS, pas akteve të dhunshme dhe raciste të tifozëve serbë që provokuan ndërprerjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd, tashmë i ka ngjitur kuqezinjtë e Shqipërisë në vendin e dytë në Grupin i me 10 pikët e grumbulluara, po aq sa edhe Danimarka, shkruan “sportal”. Tani ëndrra e të gjithë shqiptarëve për të shkuar në finalet e Francës bëhet akoma më reale dhe të prekshme. Pas këtij vendimi, futbollistët tanë kuqezinj të Kombëtares do të shkojnë me tjetër moral dhe përgjegjësi më 4 shtator në Kopenhagen, në sfidën e tyre të radhës ndaj kombëtares daneze, një ndeshje e cila do të përcaktojë shumë fatet e Shqipërisë, që ndjek ëndërrën për të qenë në Francë.

 

Xhaka: Kemi gjasa për kualifikim

Futbollisti i kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka, i cili qe ndër më aktivët në mbrojtje të “Authochtonous” në stadiumin “Partizani” të Beogradit, u është gëzuar tri pikëve, të cilat “kuqezinjve” iu kthyen me vendim të Gjykatës së Arbitrazhit. “Sot mora një lajm shumë të gëzueshëm për ne, por edhe për shqiptarët kudo që janë”, – ka thënë Xhaka. “Kemi marrë pikë të vlefshme dhe tashmë kemi gjasa shumë më reale për kualifikim”, – ka thënë më tej Xhaka.

 

Etrit Berisha: Tashmë kemi 4 finale

Portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, është shprehur tejet i emocionuar me fitoren 3:0 të Shqipërisë në tavolinë ndaj Serbisë. Në një postim të tijin në “Facebook”, Etriti zbulon se lajmin e madh e mori nga familja e tij. “Për mua ishte një kënaqësi kur dëgjova nga familja ime, mirëpo më e mira ishte ndjenja e drejtësisë, vendim i pritur dhe mundësi edhe më e mirë për ne në ndeshjet e radhës”, – ka shkruar Etriti në “Facebook”. “Nuk duhet të kemi eufori, janë katër finale që na presin dhe ne do të vazhdojmë ta ndjekim ëndrrën tonë bashkë me ju dhe të tregojmë se jemi një ekip dhe kombëtare e pandarë që japim shpirtin në fushë”, – shtoi tutje, Berisha.

 

Grupet e tifozëve në festë

Grupi i tifozëve “Plisat” dhe Tifozat Kuqezinj kanë ftuar të gjithë tifozët që të dalin të festojnë për tri pikët e fituara nga Shqipëria ndaj Serbisë pas vendimit pozitiv të CAS-it. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, tifozët kanë bërë thirrje që dje duke filluar nga ora 21:00 të dalin të festojnë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë dhe në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. “Shqiptarë të nderuar, festa nuk përfundon në Facebook. 3 pikët e fituara, qe na afrojnë shumë afër Parisit sonte do t’i festojmë të gjithë shqiptarët së bashku në mes të Tiranës dhe Prishtinës”, – thuhej në postimin e tyre.

 

Duka: I lumtur për fitoren, gjyqin e paguajnë serbët

Nuk ka mbetur pa dhënë deklaratën e tij për edhe presidenti i FSHF-së, Armando Duka. Në një dalje për mediat, numri një i futbollit shqiptar shprehu kënaqësinë për këtë vendim. “Natyrisht jam mjaft i lumtur ashtu si çdo shqiptar tjetër për marrjen e tre pikëve. Më në fund u gjend drejtësia që ne meritonim. Është një vendim mjaft i rëndësishëm, pasi sot triumfoi drejtësia, dhe fitoi futbolli. Drejtësia vërtetoi atë gjë që thamë ne, se e meritonim padyshim këtë gjë. Sot fitoi futbolli shqiptar, por edhe ai serb, pasi çdokush duhet të mësojë si të sillet në fushën e blertë, dhe e përsëris që nga ky vendim nuk ka të humbur, por vetëm të fituar. Tani jam tepër i emocionuar dhe i lumtur gjithashtu, madje mund të them se jam edhe i kënaqur që shpenzimet e gjyqit do të paguajë federata serbe. Dua të shtoj se për këtë vendim nuk kam pasur asnjë informacion”. I pyetur nga gazetarët për faturën financiare rreth këtij gjyqi, presidenti Duka u shpreh: “Është një shifër e papërfillshme përpara atij gëzimi që po ndien çdo shqiptar në këto çaste. Para kësaj lumturie që po ndiejmë tani, nuk ka asgjë më të shtrenjtë qoftë edhe për paratë. Tani jemi shumë pranë kualifikimit, por ende asgjë nuk ka përfunduar. Kemi për të luajtur edhe katër ndeshje dhe çdo gjë mund të ndodhë. Ne mund t’i fitojmë por edhe mund t’i humbasim të gjitha. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë”. Për sa i përket lënies në fuqi të vendimit të UEFA-s për gjobën prej 100.000 mijë eurosh, Duka deklaroi: “Ky dënim mbeti në fuqi, pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e gjeti fajtore Shqipërinë për sa i përket dronit. Këtë vendim e ka lënë të pandryshuar dhe ne do të paguajmë këtë gjobë, duke marrë përgjegjësitë tona. Sa i përket refuzimit tonë për t’u futur në fushën e lojës, kjo gjykatë nuk ka gjetur asnjë përgjegjës dhe kjo akuzë ka rënë poshtë”. Presidenti i FSHF-së gjithashtu foli edhe për ndeshjen e kthimit Shqipëri-Serbi: “Është koha që ne t’u japim një mesazh të gjithëve. Do të mirëpresim si miq ekipin serb dhe lojtarët serbë do t’i presim si lojtarë për të zhvilluar një ndeshje futbolli. Ne do të bëjmë maksimumin për ta kthyer në festë atë ditë”. Në mbylljen e deklaratës për mediat, Duka foli edhe për rinovimin e trajnerit De Biasi: “Trajneri Gianni De Biasi ka një kontratë me në deri në qershor të vitit 2016, që është edhe koha kur përfundon Kampionati Evropian në Francë. Ka shumë kohë deri atëherë, por një gjë është e sigurt, nëse ne shkojmë ne “Francë 2016” De Biasi do të jetë me ne”.

 

Trajneri Danimarkës: Vendimi, i çuditshëm

Trajneri i Danimarkës, Morten Olsen, e ka quajtur të çuditshëm vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv. “Unë nuk po kuptoj asgjë nga ky vendim. Jam i habitur. Po ndodh njësoj si në 2007-ën, kur humbëm ndeshjen me Suedinë. Mendoj se diçka është duke ndodhur kundër nesh gjithë kohën dhe kjo po bëhet sepse këtu ka politikë dhe lobim. Vendimi është dashur të jepet para se ne të luanim me Serbinë, por nuk ndodhi”, – deklaroi Olsen. Danimarka ka 10 pikë, po aq sa Shqipëria dhe aktualisht danezët e shohin veten poshtë Shqipërisë në klasifikim. “Ne ende mund të vendosim për fatin tonë, por definitivisht gjërat na janë vështirësuar. Natyrisht, ne duhet ta mposhtim Shqipërinë dhe më pas duhet të fitojmë me Armeninë dhe të marrim pikë ndaj Portugalisë”, – theksoi Olsen.

 

Lenjani: Mbrojtëm flamurin dhe fituam

Ermir Lenjani iu bashkua shokëve të tij duke shkruar në profilin e tij në “Facebook” rreth vendimit të CAS-it. Futbollisti fantastik i kombëtares së Shqipërisë ka shkruar se shqiptarët shkuan të luanin futboll, por kjo gjë nuk ishte e mundshme aty. Lenjani i gëzohet fitores 0-3 me vendim të CAS-it, duke thënë se drejtësia u dha të drejtë shqiptarëve. “Ne shkuam të luanim futboll por ata zgjodhën tjetër rrugë. Ne i treguam gjithë botës se kush jemi, luajtëm futboll, mbrojtëm flamurin tonë dhe në fund drejtësia na dha të drejtë. Tri pikë të mëdha. Shqiptarë ju pres në Francë vitin tjetër. #kuqezi #vazhdojmë #EL3”, – shkroi Lenjani.

 

Abrashi: Drejtësia në vend

Amir Abrashi si duket nuk ka bërë gjumë në sy, duke pritur vendimin final nga CAS. Mesfushori i kombëtares së Shqipërisë ka qenë i pari që ka shkruar në rrjetin social “Facebook”, pas dhënies së tri pikëve nga ana e CAS për Shqipërinë. 25-vjeçari i cili është pjesë e skuadrës gjermane Frajburg, ka shkruar në faqen e tij zyrtare se drejtësia erdhi në vendin e vet. “Erdhën tri pikët e shumëpritura. Drejtësia erdhi në vend. Përpara Shqipëria jonë e madhe #AA6”, – shkroi Abrashi. Përpos këtij shkrimi, Abrashi vuri një foto fantastike, ku shihet duke kënduar himnin shqiptar në Beograd së bashku me Andi Lilën dhe Taulant Xhakën.

 

Shala: Shkuam, pamë, luftuam dhe fituam

Talenti i madh i kombëtares së Shqipërisë, Herolind Shala, ka reaguar në faqen e tij zyrtare për vendimin e CAS. Ylli i skuadrës çeke, Sparta Pragë, Herolind Shala, ka përdorur një fjalë tejet të madhe në statusin e tij. Shala shkroi se ai së bashku me shokët tjerë shkuan, panë, ‘luftuan’ dhe fituan në Beograd. “Shkuam, pamë, luftuam dhe fituam. Drejtësia erdhi në vend, përpara Shqipëria jonë etnike. #HS10”, – shkroi Shala në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

 

De Biasi: I befasuar, por i lumtur

Gianni De Biasi thotë se ai nuk kishte dyshime se Shqipëria do t’i merrte tri pikët nga ndeshja e ndërprerë ndaj Serbisë. Menjëherë pas vendimit nga CAS, ku Shqipëria mori 3 pikët ka ardhur edhe reagimi i trajnerit të kombëtares, që u shpreh se tashmë drejtësia u vu në vend. “Të gjithë e prisnim këtë vendim dhe unë nuk kisha dyshime që do të merrnim 3 pikët pasi na takonin. Argumentuam me detaje gjithçka ndodhi në Beograd dhe ishim gjithmonë të saktë në dëshmitë tona në gjyqin e Lozanës. Jam i lumtur, sepse drejtësia u vu në vend dhe tani jemi më të qetë. Të parët që më uruan ishin Ansi Agolli dhe Ervin Bulku. Tashmë shanset për kualifikim në Evropian janë më të mëdha, por kemi ende shumë rrugë të gjatë përpara”, – deklaroi De Biasi.

 

Shehi: Drejtësia nuk harroi

Orges Shehi, një nga protagonistët e ngjarjeve të 14 tetorit në Beograd, nuk ka se si të mos shprehë gëzimin për vendimin e dhënë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Luzanë. Portieri veteran i grupit të De Biasit mjaftohet me një fjali të vetme për të përkufizuar vendimin e dhënë. “Është një vendim më se i drejtë nga ajo që është publikuar në media, por edhe nga puna e bërë nga FSHF, drejtësia vonon, por nuk harron.”

 

Cana: I lumtur, por kemi sfida përpara

Lorik Cana ka shprehur gëzimin për triumfin e drejtësisë në rastin e vendimit të CAS-it. Kapiteni i kombëtares është shprehur se kjo duhet të jetë një motiv shtesë në rrugën drejtë Evropianit. “Të gjithë jemi të gëzuar që drejtësia triumfoi, sepse ishim në të drejtën tonë, por edhe se përpjekjet për të mbrojtur qëndrimin tonë në fund rezultuan të suksesshme. Kjo duhet të jetë një motiv shtesë për ne që të realizojmë ëndrrën e të gjithëve për të shkuar në Evropian”, – tha Cana. Kapiteni ka deklaruar se mbështetja e madhe e tifozëve kuqezi është një tregues i qartë që ekipi kombëtar është në rrugën e duhur. “Që në edicionin e kaluar, të gjithë e kanë parë që është duke lindur një erë e re në ekipin kombëtar, po i bëjmë gjërat me një dashuri dhe krenari shumë të madhe. Po e shohim sa njerëz bëhen të lumtur kur skuadra po fiton dhe se çfarë feste po bëhet në qytetet ku ne luajmë. Kjo na ndihmon, pasi tregon se jemi në rrugën e duhur”, – ka vazhduar ai. Shqipëria tani është në gjysmë të rrugës dhe i duhet të luajë edhe katër ndeshje të tjera të grupit I. Lorik Cana, ashtu sikurse edhe De Biasi, ka kërkuar nga të gjithë që të jenë me këmbë në tokë. “Të gjithë kundërshtarët do të përballen me një Shqipëri të fortë dhe kjo të jep shpresë se ne mund të marrim pikë, por ju e dini se futbolli nuk është shkencë. Është shumë e vërtetë që mundësitë janë më të mëdha se kurrë, por neve na pret pjesa më e vështirë e rrugës, por jemi shumë të përgatitur për t’i shkuar deri në fund”, – u shpreh kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana.

Share it :