Berisha: Të miturit kanë bërë histori, në vitin 1991 ishte një i mitur që bëri copa-copa bustin e Enverit
Kryetari i PD, Sali Berisha ka reaguar pas deklaratave të kreut të qeverisë Rama ku akuzonte te miturit për protestat.
Berisha tha gjatë konferencës për shtyp se, të miturit kanë bërë histori, në vitin 1991 ishte një i mitur që bëri copa-copa bustin e Enver Hoxhës.
Berisha: U mor me të miturit.
Harron ky se të miturit kanë bërë histori.
Kanë bërë histori në Shqipëri, kanë bërë histori në botë.
Se të miturit në të gjitha konventat ndërkombëtare kanë të drejtë të mbrojnë të drejtat e tyre.
Dhe të miturit në protestat e tyre janë të mbrojtur nga ligji ndërkombëtar dhe ligji i vendit.
Të miturit, me guximin e tyre, në momente kritike, kanë parandaluar katastrofa gjakderdhjesh.
Unë u tregoj shqiptarëve se me 21 shkurt të vitit 1991, kur vrasësit, hordhitë e Sigurimit të Shtetit dolën nga Ministria e Brendshme me bustin e Enver Hoxhës dhe e vendosën në piedestal, në sheshbetejë ishin qytetarët me gjokse hapur që ecnin për rrëzimin e tij.
Në anën tjetër qëndronin kallashnikovët dhe skuadrat e pushkatimit të Sigurimit të Shtetit.
Si në një mrekulli, ishte një i mitur, 13 ose 14-vjeçar i cili në këtë moment ndër më dramatikët të atij revolucioni shkoi dhe rrëzoi bustin, e bëri copa-copa.
Kanë bërë histori të miturit, dhe po bëjnë histori.
Janë vërtet në moshë të re, po guximi i tyre është i pakufishëm.




