Viti 2013, këshilla për blerësit dhe shitësit e pronave të patundshme

Ervin Kaduku

pronatKëshilla për zotëruesit e të patundshmeve është të presin, pasi çmimi i tyre mund të vijë në rritje. Për blerësit: të blejnë sa më shpejt, pa pritur fundin e vitit! Për shkak të situatës së deritanishme, firmat ndërtuese që janë marrë me ndërtimet e banesave, kanë qenë në një status stand-by. Priten investime brenda unazës së vogël, sidomos në pjesën lindore dhe jugore të Tiranës

 

 

Tregu kombëtar i pasurive të patundshme pritet të pësojë një lëvizje drejt pozitives këtë vit. Dhe kjo, jo vetëm pse ky është një vit elektoral. Buxheti publik për vitin 2013 është 3% më i lartë se ai i 2012-ës, si dhe buxheti i Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit është 7% më i lartë se në vitin 2012. Kjo do të thotë më shumë investime në punët publike, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e zonave ekzistuese apo të reja urbane.

Në këto kushte, këshilla për zotëruesit e të patundshmeve është të presin pasi çmimi i tyre mund të vijë në rritje. Për blerësit: të blejnë sa më shpejt, pa pritur fundin e vitit!

 

Miratimi i planit të Tiranës

 

Për shkak të situatës së deritanishme, firmat ndërtuese që janë marrë me ndërtimet e banesave kanë qenë në një status stand-by. Priten investime brenda unazës së vogël, sidomos në pjesën lindore dhe jugore të Tiranës. Bazuar në kërkesat e klientëve të agjencisë “Tirana Real Estate” për blerjet e apartamenteve në ndërtime cilësore brenda unazës së vogël, vihet re se kjo është në rritje, ndërkohë që nuk evidentohet rritje e kërkesës për banesa në zonat e reja urbane me standard më të ulët ndërtimi.

Çmimet e pronave të patundshme për vitin 2013 në disa zona të Tiranës do të orientohen sipas zonave deri në 5% ulje.

Vihet re rritje e investimeve në punët publike, edhe për shkak se 2013-a është vit elektoral. Nëse zgjedhjet nuk do të kenë të papritura mbi kontestimet e rezultateve të tyre, gjashtëmujori i dytë i vitit parashikon të ketë investime nga klientët në pronat e patundshme. Ulje më e theksuar në çmim parashikohet tek trojet, ndërkohë është vënë re kërkesë në rritje për troje jashtë Tiranës, për ndërtime individuale private, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2012, çka parashikohet të reflektohen dhe në vitin 2013.

Kërkesa për investime në apartamente në zonat qendrore, si fillimi i Rrugës së Elbasanit, ish-Blloku, “Perlat Rexhepi”, “Sami Frashëri” etj. është e lartë. Ndërkohë evidentohet një mospërputhje midis çmimeve minimale fiskale me çmimet reale të shitjes së apartamenteve në banesa të ndërtuara deri tre vjet më parë, përfshirë këtu edhe banesat e ndërtuara para vitit 1990 (të quajtura pallatet e vjetra). Në përgjithësi, çmimet për metër katror të apartamenteve në këto banesa janë më të ulëta se çmimet minimale fiskale. Duke qenë se pjesa më e madhe e pronarëve të këtyre apartamenteve nuk përfituan nga skema e amnistisë fiskale, e cila u aplikua deri më 31 gusht 2012, janë të detyruar që të shtojnë mbi vlerën e shitjes edhe 10% të vlerës që aplikohet mbi çmimet minimale fiskale. Pra, ka një rritje artificiale të vlerës së shitjes, duke mos u bazuar në vlerën reale të tregut të hapur. Të ndodhur para kësaj skeme, pjesa më e madhe e këtyre pronave mbeten pa shitur, gjë që do reflektohet në vështirësi të tregut imobilar në vitin 2013.

 

Sektori rezidencial

 

Ka vazhduar zhvillimi në zonat periferike të Tiranës, si edhe në rrethinat përreth, me aktivitet të theksuar në zonën e Farkës, e cila vitet e fundit ka marrë një reputacion për zhvillimin e rezidencave të mbyllura me cilësi më të lartë ndërtimi. Periferia theksohet nga një stok i lartë banesash me çmimet më të ulëta të tregut.

Për 2013-ën, ky sektor pritet të ketë një ndryshim pozitiv, në pritje të planit përfundimtar rregullues për Tiranën. Shpresohet që cilësia e stokut brenda vijës së verdhë të përmirësohet nga cilësia e ndërtimit që do të aplikojnë ndërtuesit.

 

Sektori i zyrave

 

Ky sektor nuk ka pasur ndonjë ndryshim thelbësor në stokun cilësor të zyrave, i cili mbetet rreth 64.000 m². Ndryshimi i vetëm pozitiv ka qenë lançimi i fazës së parë të ndërtimit të “Tirana Business Park”, i cili filloi ndërtimin e fazës së parë të projektit që pritet të sjellë rreth 25,000 m² ambiente zyrash moderne në afërsi të aeroportit. Për 2013-ën nuk pritet ndonjë ndryshim i madh në stokun e zyrave, duke ditur që financimi i projekteve të sektorit të real estate është i vështirë dhe disa projekte në qendër të Tiranës janë të vonuar pikërisht në mangësi të financimit.

 

Sektori i qendrave tregtare

 

Ky sektor ka qenë aktiv pranë publikut me disa qendra tregtare në Tiranë, të cilat, përveç funksionit të blerjes, janë kthyer edhe në qendra argëtimi e çlodhëse për banorët e Tiranës. Vihet re se qendrat vazhdojnë të aplikojnë strategji interesante, për të sjellë sa më shumë klientë afër tyre me oferta atraktive.

Për 2013-ën pritet të hyjë në treg një qendër e re tregtare në afërsi të Zogut të Zi, “Tirana Ring Center”, e cila do të jetë një qendër shumëfunksionale, me mundësi qiramarrjeje për zyra dhe hapësira tregtare. Hapësirat tregtare sjellin rreth 22.000 m² më afër qendrës së Tiranës, në unazën e vogël të qytetit.

 

Sektori industrial

 

Investimi në këtë sektor përbën risi për tregun shqiptar. Viti 2012 shënoi një risi në këtë drejtim, fillimin e punimeve për fazën e parë të “Tirana Logistic Park”, në zonën komerciale të Tiranës në autostradën Tiranë – Durrës. Ky projekt, faza e parë e të cilit pritet të përfundojë në 2013-ën, pritet të sjellë në treg rreth 25.000 m² hapësira magazinimi dhe logjistikë moderne sipas standardeve ndërkombëtare.

 

 

Share it :