Në veri: Tiranë-Rubik-Koman-Fierzë-Bajram Curr-Valbonë-Lurë-Theth-Bogë-Razëm-Shkodër-Tiranë
Në ka diçka që bota ia ka zili Shqipërisë sonë të bukur, është natyra… e bota është e apasionuar shumë ndaj natyrës sonë, ndaj bjeshkëve tona, luginave, lumenjve, maleve e kodrave, kanioneve e shpellave dhe gjithë ekosistemit të kësaj natyre. Jo më kot janë dyfish vizitorët e huaj kundrejt vendasve në zona si Thethi, Valbona, Razma, Lura etj. Jo më kot kalimi Valbonë-Theth fitoi titullin si shtegu më i bukur në botë para pak vitesh, si pjesë e shtegut të quajtur “Majat e Ballkanit”, ku vizitorë nga e gjithë bota shprehin kënaqësinë për të kaluar ndër këto shtigje të shënuara dhe mjaft piktoreske. Veriu ofron udhëtimin plot aventurë, me pamje mahnitëse, plot mikpritje, traditë e kulturë, ushqim bio dhe karakteristik i zonës, hulumtim të Shqipërisë së Veriut, mespërmes Bjeshkëve të Nemuna, të ndieni dhe të jetoni në ajrin e pastër të këtyre zonave, të shijoni ujin e burimeve të maleve dhe sigurisht të shpenzoni energji duke hulumtuar këto zona. Ky mund të preket në natyrën më tërheqëse të veriut si Lura, Thethi, Valbona, Rubiku, Razma etj., të cilat janë shndërruar tashmë në destinacione turistike më të preferuara të gjithë Shqipërisë Veriore. Fli, mazë e zieme, qingj në hell, gjalpë i freskët, djathë i njomë, suxhuk shtëpie etj., etj., janë pjesë e tryezës së këtyre zonave… Liqenet e Lurës, lumi dhe ujëvara e Valbonës, Vaskat e Gurit, Syri i Kaltër, kanioni i Grunasit, Kulla e Ngujimit, Ujëvara, janë pjesë e Thethit, kalimi me traget në liqenin e Komanit, një ndër liqenet më të bukura në Shqipëri, ku trageti kalon përmes maleve, kënaqësinë dhe qetësinë që të ofron Razma e mbi të gjitha komoditetin dhe argëtimin, të hulumtosh në Majën e Velës, Kisha e famshme ndërtuar mbi një shkëmb në Rubik…
Shirokë-Zogaj: Traditë, natyrë, kuzhinë, artizanat
Përgjatë bregut të liqenit të Shkodrës, shtrihen Shiroka dhe Zogaj, në të cilët restorante të vegjël e të shumtë, mirëpresin pushuesit ditorë, nën pjatat e pasura me meny peshkun e njohur të liqenit, krapin. Ka qenë historikisht traditë që banorët vendas, e kanë vizituar ose frekuentuar liqenin dhe plazhet e tij, me biçikleta, për shkak të distancës së shkurtër dhe ngaqë ky mjet lëvizës është shumë popullor në Shkodër.
Puka, qyteti i vogël me zemër të madhe
Ne nuk mund të themi kurrsesi që Puka është një destinacion i panjohur por mund me plot gojën të themi që ky qytet i vogël me zemër të madhe po bëhet çdo ditë e më shumë një destinacion shumëplanësh turistik që përfshin brenda spektrit të tij, tri shtylla të forta që e mbajnë platformën turistike të qëndrueshme si në dimër, ashtu edhe në verë; natyra, kultura dhe gastronomia.
Rrethi i Pukës është një zonë mjaft tërheqëse, me një kurorë të gjelbër rreth saj, me male, shpella e pyje, ku fshihen të paktën 17 monumente natyre. Këtu jeton një popullsi vitale, e shpërndarë në të gjithë territorin, me një histori të pasur, që dëshmohet nga prania e qendrave arkeologjike, kalatë, gjurmët e mureve ilire, shpellat si edhe me një kulturë shpirtërore që shprehet në traditat e zakonet, në këngët e vallet popullore aq të bukura të kësaj treve.
Kune – Vaini, mes magjisë së lagunave, detit e shpendëve
Në fund të plazhit të Shëngjinit ndodhet laguna e Kunë-Vainit, një nga lagunat më të pasura e më tërheqëse në të gjithë Shqipërinë. Drurë e zogj të shumëllojshëm e bëjnë atë të vizitueshme në çdo stinë të vitit. Pasuria dhe bukuria natyrore e lagunës, është renditur në listën e zonave të mbrojtura, që ruhen me ligj nga shteti shqiptar.
Në brendësi të lagunës, çdo gjë është natyrale, gatuhet me zjarr, ndriçohet me qirinj … Aty historia dhe etnografia e zonës është fare e paprekur dhe do t’ju mahnisë.
Liqeni i Komanit: Një udhëtim përmes fjordeve shqiptare
Një shëtitje e mrekullueshme në itinerarin ujor Koman-Fierzë përgjatë liqeneve artificiale të krijuara prej ndërtimit të hidrocentraleve të veriut të Shqipërisë, që na dhurojnë një copëz të vyer në mozaikun e turizmit natyror shqiptar. Liqeni i Komanit, i cili ndodhet 30 km larg qytetit të Shkodrës, është formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin, ku është ngritur Hidrocentrali i Komanit me 600 mijë kë/orë. Liqeni ka sipërfaqe 12 km 2, gjatësi 34.5 km dhe gjerësi 50-60 m. Rreth liqenit lartësohen male të pyllëzuara me lartësi 1000-1200 m mbi nivelin e detit. Ky rajon, veç vlerës turistike, ruan edhe vlera historike. Aty pranë ndodhet fshati Koman, ku është zbuluar një varrezë e shekullit 6-8 e.j., e cila lidhet me kulturën e shoqërisë së hershme shqiptare.
Qyteza mesjetare e Shurdhahut (Sarda)
Dikur Shurdhahu ishte një kodër në mes të luginës së Drinit e tani është një ishull në liqenin artificial të krijuar nga diga e Hidrocentralit të Vaut të Dejës, 8 km në lindje të qytetit. Mbërrihet vetëm me varkë. Nga shekulli VIII në shekulli XIII Shurdhahu ishte një qendër e rëndësishme e fortifikuar që kontrollonte rrugën Shkodër – Prizren. Në shekullin IX ishte edhe qendër ipeshkvnije katolike. Muret e kalasë rrethojnë një sipërfaqe prej 4.7 ha. Rreth vitit 1184 u pushtua nga serbët e më pas bie nën sundimin e princave Dukagjini. Në vitin 1491 pushtohet nga osmanët. Nga ai moment pati rënie të vazhdueshme derisa në shekullin XVII nuk përmendet më. Nga qyteza ka mbetur një pjesë e mureve mbrojtës me një portë monumentale e rrënoja që u përkasin ndërtesave kishtare. Dallohen themelet e plot 12 kishave që u përkasin shekujve XI e XII; në disa prej tyre janë ruajtur pjesë të absidës dhe elementë të tjerë arkitektonikë. Vlen të përmendet kisha e Zonjës që ka mbetur e plotë deri në nivelin e çatisë. Në faqatën e brendshme të murit jugor të kishës ishte një pllakë që mbante datën 1564. Ky duhet të jetë viti i rindërtimit mbi themelet e një tjetër kishe tjetër më të vjetër. Një veçanti e fortifikimeve janë kullat në formën e shkronjës U.
Varreza e Komanit
Mbi kreshtën kodrinore në afërsi të kalasë së Dalmacës, pranë Komanit, ndodhet Varreza që i përket shekujve VIII-XI dhe është përdorur nga bashkësi ndoshta e izoluar, gjysmë e kristianizuar: varret në fakt janë si në drejtimin lindje-perëndim, sipas ritit të krishterë, ashtu edhe në drejtimin jug-veri, zakon i popullsive ilire pagane të Antikitetit të Vonë. Ka mundësi që anëtarët e kësaj bashkësie ishin stratiotë: kështu quheshin bujqit-ushtarë që merrnin parcela toke në shkëmbim të shërbimit ushtarak për Bizantin. Ata mbronin Shkodrën e fushat pranë liqenit nga dyndjet barbare sllave që mbërrinin këtu përmes luginës së Drinit. Selia e tyre ishte Kalaja e Dalmacës aty pranë. Forma e varreve si arkë ose çati, me rrasa guri, takohet dhe në antikitetin e vonë në bashkësitë ilire. Kur konsulli francez në Shkodër, Degran, në 1892 zbuloi mbetjet e varreve u habit nga “…identiteti i plotë me kostumet grave të Malësisë e mbi të gjitha të fiseve të kësaj krahine, për ngjashmërinë e zbukurimeve prej bakri mbi brezat e tyre, që akoma prodhohen në Pazarin e Shkodrës, me zbukurimet që unë kam gjetur…”
***
Riviera e Jugut
Që në ditët e para me diell, mjaftojnë disa mendime për jugun dhe sikur fillojmë të ndiejmë kënaqësinë e pushimeve verore. Imagjinata shkon për në zonat më të bukura të rivierës, si Vlora, Dhërmiu, Jali, Drimadhes, Llamani, Ksamili… Por a e dini që ka edhe destinacione më të bukura dhe më të pazbuluara? Mund t’a nisësh udhëtimin nga Zvërneci dhe përfundon në Porto Palermo… duke shëtitur dhe duke pushuar në vende si Zvërneci, Radhima, Vlora, Karaburuni, Ishulli i Sazanit, Palasa, Drimadha, Dhërmiu, Gjipea, Jali, Himara, Porto Palermo, Kalaja e Ali Pashës, Kalaja e Himares etj., etj.
Përmeti, destinacioni juaj gjithëvjetor
Një udhëtim në zonën e Përmetit është përherë tërheqës dhe mbresëlënës. Sapo fjala bie te Përmeti në mendje të vijnë trëndafilat me të cilët identifikohej ky qytet dikur, apo edhe glikotë e famshme unike në llojin e vet edhe sot e kësaj dite, dhe një vlerë me të cilën përmetarët kanë të drejtë të krenohen. Mirëpo Përmeti nuk është kaq i vogël. Spektri i larmishëm i ngjyrave sot turistike, përfshin kulturën e hershme e të gjerë, përfaqësuar nga historia, arti dhe muzika, fshatrat e bukur, rrethinat e mrekullueshme plot monumente natyre, parqe kombëtare e burime ujore pa fund. E kush nuk e njeh artistin e madh të Përmetit, Laver Bariun, me kabatë e muzikën e tij, me të cilën përmetarët do të krenohen brez pas brezi, Frashërin e vëllezërve rilindas, apo mikpritjen e përmetarëve të butë e të qeshur? Intensiteti i vlerave për metër katror të këtij qyteti të vogël nuk është thjesht çështje gurësh për të gdhendur kalldrëme, mure kishash apo ura me harqe. E nuk është thjesht çështje ushqimi, qoftë edhe me shije unike. Është çështje arti, kulture, zemre. Edhe damar toke pse jo. Jo më kot të huajt ishin dashuruar pas këtij qyteti, aq sa rrugët e tij nuk mbeten kurrë bosh.
“Vjosë – Nartë – Zvërnec” – ideale në shoqërinë e shpendëve
Trekëndëshi “Vjosë – Nartë – Zvërnec” është padyshim një prej zonave më të bukura përgjatë bregdetit Shqiptar të Adriatikut. Edhe pse tejet tërheqëse, kjo zonë vazhdon të mbetet ende shumë pak e njohur dhe e vizituar nga turistët e huaj dhe ata vëndas. Pasi kalon urën në “Lumin e Vdekur” (ish grykëderdhjen e hershme të Vjosës) për të mbërritur në fushat e gjera të Grykëpishës, befas gjendesh nën rrethimin e Hutave dhe Shqipeve të kënetës, këtyre shpendëve të rrallë e të mëdhenj që rrëshqasin në qiejt e hapur të zonës. Segmenti nga laguna e Nartës me Kriporen është unike në Shqipëri si dhe një vend ideal për të kundruar shpendët e shumtë. Jo pak rrallë shihet dhe Pelikani kaçurrel por gjithashtu edhe shumë lloje të tjera shpendësh uji si Sqepbiza, Kojliku, Kalorësi, shumë lloje rosash, çafkash, baltakësh etj.
Parku Kombëtar Shebenik – Jabllanicë, një ftesë drejt natyrës
Parku Kombëtar Shebenik – Jabllanicë ndodhet në veri-lindje të Shqipërisë dhe është ndër parqet më të reja kombëtare të vendit tonë. Qendra e zonës është fshati Steblevë, që ndodhet vetëm 30 km nga qyteti I Librazhdit dhe shumë pranë kryeqytetit. Mikpritja e banorëve të zonës është e admirueshme. Shumë prej tyre janë rikthyer në fshatin e tyre duke rindërtuar banesat, duke mirëpritur turistë dashamirës të natyrës, për të shijuar bukuritë e kësaj zone. Është një terren alpin dhe i vështirë, por i admirueshëm për bukurinë mahnitëse.




