Vendimi/ Nuk hiqet matura, si do të bëhet pranimi i studentëve në universitet

Nuk hiqet matura, si do të bëhet pranimi i studentëve në universitetMënyra e pranimit të studentëve në universitet do të ndryshojë duke filluar nga viti akademik 2016-2017

Për vitin akademik 2015-2016, pranimi i studentëve do të bëhet në bazë të Maturës Shtetërore dhe jo mbi ligjin e ri. Ministria e Arsimit thotë se matura do të jetë në fuqi deri në momentin që do të miratohet projektligji i arsimit të lartë në Parlament. Mënyra e pranimit të studentëve në universitet do të ndryshojë duke filluar nga viti akademik 2016-2017, gjithmonë nëse projektligji miratohet në Parlamentin e Shqipërisë. Programet e ciklit të parë të studimit organizohen me jo më pak se 180 kredite evropiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është tre vite akademike. Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome. Në përfundim të programeve të ciklit të parë lëshohet diploma “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer. Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave. Institucionet e arsimit të lartë mund të vendosin edhe kritere shtesë pranimi për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilat shpallen nga institucioni i arsimit të lartë dhe vihen në dispozicion të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin.

 

Pranimi

Cikli i dytë i studimeve përfshin programet e studimit “Master i Shkencave” dhe “Master Profesional”. Programet e studimit “Master i Shkencave” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, teorike si edhe me trajnim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në dy forma: programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike; programe të integruara të studimeve të ciklit të dytë, që realizohen me 300 dhe 360 kredite dhe me kohëzgjatje normale respektivisht pesë dhe gjashtë vite akademike. Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ofrohen në fushat e mjekësisë, të stomatologjisë, të farmacisë, të veterinarisë e të arkitekturës. Këshilli i Ministrave përcakton fusha të tjera në të cilat mund të ofrohen programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë. Studimet e ciklit të dytë “Master i Shkencave” përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer. Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të dytë “Master i Shkencave” është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht. Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri. Programet e studimeve “Master Profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit akademik. Studimet e ciklit të dytë “Master Profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master Profesional” në fushën e arsimimit të kryer. Pranimi në programet e ciklit të dytë të studimeve është i mundur për kandidatët që kanë përfunduar një program studimi të ciklit të parë dhe plotësojnë kriteret e pranimit të institucionit të arsimit të lartë ku ata aplikojnë.

 

Anglishtja/ Të dielën japin provimin 45 mijë maturantë

Të dielën do të jetë provimi i parë i maturës shtetërore. Maturanti duhet që në çdo provim të sigurojë të paktën 20 për qind të pikëve që të kualifikohet si kalues. Maturanti përjashtohet nga provimi kur ndryshon vendin që i është caktuar, kopjon, bën komente për përmbajtjen e testit, mban telefon ose mjete te tjera të komunikimit. Po kështu përjashtime ka edhe kur maturanti refuzon kontrollin nga administratorët në momentin e hyrjes në provim, përdor lapsa apo më shumë se një ngjyrë në provimin e testit, kur dëmton testin apo barkodin. Mjediset kudo te zhvillohen provimet duhet të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara. Të kenë të instaluara në vende të sigurta bllokuesit e valëve të telefonisë celulare, për të siguruar bllokimin e plotë të tyre.

Të jenë të mjaftueshme për të paktën 50 maturantë, përveç rasteve të veçanta
Largësia ndërmjet çdo maturanti/kandidati të jetë jo më pak se 120 cm, në të katër drejtimet. Maturantët/kandidatët të ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim. Sipërfaqja që maturanti/kandidati ka në dispozicion për të shkruar është të paktën 40×60 cm;
Në ditën e provimit, në qendrat ku zhvillohet provimi, nuk parashikohen veprimtari të tjera. Në mjediset ku zhvillohet provimi, nuk duhet të ketë tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim. Çdo qendër që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, duhet të ketë komunikim me rrugët automobilistike.

 

Para Kuvendit/ Studentët protestë kundër reformës në arsimin e lartë

Lëvizja studentore, “Për Universitetin” ka protestuar sërish sot para kryesisë së kuvendit për të kundërshtuar reformën e arsimit të lartë. Edhe një herë studentët kanë kërkuar që të mos kalojë kjo reformë në komision. “Ne nuk i nënshtrohemi as heshtjes qëllimkeqe qeveritare as realitetit problematik universitar që reforma klienteliste do ta shndërrojë në katastrofik”, – thanë studentët. Po ashtu studentët u shprehën se kërkesat e tyre nuk janë dëgjuar nga qeveritarët e megjithatë ata do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre.

“Ne jemi këtu për t’u dhënë mundësinë përfaqësuesve parlamentar të popullit që të guxojnë si rrallë herë në jetën politike të vendit të jenë në lartësinë e duhur të interesit publik në të kundërt ne do ti thërrasim popullit burimit epror te drejtësisë dhe fuqisë si popull. Do t’u tregojmë koshin jo vetëm shkatërruesve të arsimit publik por të gjithave institucioneve që do të guxojnë ta tradhtojnë interesin publik”, – thane ata. Ndërkohë Arlind Qorri një prej pedagogëve që është në mbështetje të kauzës së studentëve për të kundërshtuar këtë reformë thotë se kërkesa e tyre për moskalim të reformës do të vazhdojnë. “Gjithë ky proces duhet kthyer në universitet. Është një reformë tërësisht klienteliste. Ne do të protestojmë para zyrave të komisionit të arsimit dhe kemi shpresë që masivizimi i protestës do ti zërë aq ngushtë qeveritarët saqë duan s’duan do ta dëgjojnë seriozisht zërin universitar”, – thotë Arlind Qorri. Ndërkohë Ministria e Arsimit së fundmi ka përfshirë një sërë ndryshimesh në ligjin e arsimit mes të cilave edhe mundësinë që tashmë nxënësit e sistemit parauniversitar të studiojnë me një tekst të unifikuar duke hequr kështu altertekstin me të cilin është proceduar deri më tani.

Share it :