Alba Kepi
Të dielën më datë 4 shtator 2016, Nënë Tereza e Kalkutës do të shpallet Shenjtëri. Kjo është dita e sapozgjedhur nga Papa Francesco për të shenjtëruar figurën e misionares katolike shqiptare Gonxhe Bojaxhi. Selia e Shenjtë ka informuar për këtë ngjarje të jashtëzakonshme autoritetet më të larta të shtetit italian për garantimin e mikpritjes dhe sigurisë së besimtarëve të shumtë që do të jenë të pranishëm në sheshin e Shën Pjetrit, duke e konsideruar si një ngjarje planetare.
Shenjtërimi i Nënë Terezës dhe mbërritja në Romë e eshtrave të Padre Pio-s janë dy eventet më të rëndësishme gjatë 2016, vit i shpallur nga Papa Francesco si Jubileu i Jashtëzakonshëm i Mëshirës që do të nisë më 8 dhjetor 2015 e do të përfundojë më 20 nëntor 2016.
Kanë kaluar gati 12 vjet nga dita kur më 19 tetor të vitit 2003, Papa Gjon Pali II e shpalli Nënë Terezën të Lumnuar. Para mijëra besimtarëve e shqiptarëve të pranishëm në këtë ngjarje Papa Wojtyla shqiptoi formulën kanonike të Kishës që e nderonte Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës, në lartësinë e altarit të Krishtërimit: “Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllait tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet “E Lume” e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator”.
Procesi i Lumnimit të Nënë Terezës deri më ditën historike të 19 tetorit 2003
Më 12 dhjetor 1998, Papa Gjon Pali II i dha Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve lejen për hapjen e procesit dioqezan i cili, sipas rregullave, mund të fillonte vetëm pas shtatorit të vitit 2002;
– 9 mars 1999 u caktua si postulator i çështjes, Atë Brian Kolodiejchuk, rregulltar i Misionarëve të Bamirësisë;
– 26 korrik 1999 në Kalkutë u hap faza dioqezane e procesit me 15 kërkesa gjyqësore e me dëgjimin e 113 dëshmitarëve;
– 15 gusht 2001 në Kishën e Shën Mërisë në Kalkutë përfundoi procesi dioqezan: u mblodhën 80 vëllime me 35.000 faqe;
– shtator 2001 Kongregata përkatëse miratoi dekretin mbi vlefshmërinë e procesit;
– nëntor 2001 Kongregata emëroi si relator, Imzot Jose Luis Gutierrez;
26 prill 2002 në Vatikan u dorëzuan katër vëllimet e asaj që njihet si “positio” nga ana
– 20 dhjetor 2002, në Sallën Klementine, në Vatikan, Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve shpalli 18 dekrete, që kanë të bëjnë me lumnimin ose shenjtërimin e 9 Shërbëtoreve e 8 Shërbëtorëve të Zotit. Mes tyre dhe Nënë Tereza.
Motivacioni
“Murgesha imcake shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës – Gonxhe Bojaxhiu (1910 – 1997) në shekullin e kaluar qe simbol botëror i dashurisë së krishterë. Pa i mbushur mirë 18 vjetët, duke iu përgjigjur thirrjes për veprimtari misionare, hyri ndër motrat e Loretos, që e dërguan si mësuese në Indí. Në Kalkutë zbuloi fytyrën e Krishtit të vuajtur në fytyrën e të varfërve më të braktisur. Këtu në jetën e saj filloi kthesa e madhe. Themeloi për të varfrit Misionaret dhe Misionarët e Bamirësisë. Sipas shembullit të saj, lindi një lëvizje e gjerë impenjimi bamirës e shoqëror në dobí të njerëzve më të lënë mbas dore, më të mjerë, më të harruar”.
Nënë Tereza është ndër shenjtorët, të cilët u lartuan në elter në një kohë rekord.
Fjalimi i Nënë Terezës në ceremoninë e marrjes së Çmimit “Nobel”
Oslo 17 tetor 1979
“Duhet të them se pranoj të shkoj në ceremoni të ndryshme publike, vetëm sepse më krijohet mundësia t’u flas për Jezusin njerëzve, të cilët nuk dihet në se do të kishin ndonjë rast tjetër për të dëgjuar fjalën e Zotit.
Një herë kam thënë edhe se e kam më të lehtë të mjekoj një të gërbulur, sesa të përgjigjem në një intervistë.
Në Oslo ndodhi një mrekulli e vërtetë: u lutën të gjithë, në një vend ku s’ishte dëgjuar kurrë ndonjë lutje.
Ishim mbledhur në një sallë për dorëzimin e Çmimit e, sapo m’u dha mundësia të flas, thashë:
“Me që jemi mbledhur të gjithë për të falënderuar Zotin e Çmimit “Nobel” për Paqen, mendoj se do të ishte vërtetë e bukur të luteshim për paqen”.
E të gjithë së bashku nisëm lutjen e Shën Francescos: “Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate”, teksti i së cilës u qe shpërndarë të pranishmëve.
Ishte diçka vërtetë tronditëse. Prekëse. E mrekullueshme: luteshin të gjithë, ndonëse siç dihet, numri i katolikëve në Norvegji është shumë i vogël.
Më pas fola për abortin e thashë:
“Po kremtojmë vitin ndërkombëtar të Fëmijës. Sot po ju flas për fëmijën, që nuk ka lindur akoma. Po ju flas në emër të fëmijës, që nuk e ka parë ende dritën e diellit. Të abortosh do të thotë ta dënosh fëmijën me vdekje: të mos duash që fëmija të jetojë, do të thotë ta vrasësh. Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Shumëkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E në se një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!”.
Duke kaluar nëpër Romë, gjatë udhëtimit të kthimit, Ati i Shenjtë Papë më tha:“Mos harro të flasësh si në Oslo, kudo që të shkosh!”
Fjalimi i Nënë Terezës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara
Në momentin e fjalimit të gjithë përfaqësuesit e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme braktisën sallën në shenjë proteste.
Nju Jork 25 tetor 1985
“Jemi mbledhur këtu së bashku për të falënderuar Zotin për punën e mirë 40-vjeçare të Kombeve të Bashkuara. Ndërsa po e fillojmë këtë vit paqeje të lutemi së bashku për paqe. Punët që bëhen me dashuri janë punët e paqes. E themi së bashku, sepse vetëm të bashkuar mund të fitojmë paqen e Zotit.
O Zot na jep fuqi për t’u shërbyer njerëzve kudo në botë,
Atyre që jetojnë dhe vdesin nga varfëria dhe uria.
Nëpërmjet duarve tona jepu atyre bukën e përditshme,jepu paqen, gëzimin dhe mirëkuptimin tonë.
O Zot më jep fuqi t’u jap paqen.
Të sjellë dashuri atje ku ka urrejtje,
Të sjellë frymën e pajtimit atje ku ka gabime,
Të sjellë harmoninë atje ku ka mosmarrëveshje,
Të sjellë të vërtetën atje ku ka gabime
Të sjellë besimin atje ku ka dyshime,
Të sjellë shpresë, atje ku ka dëshpërim,
Të sjellë dritë atje ku ka terr,
Të sjellë gëzim atje ku ka dëshpërim,
O Zot sillu lumturi të tjerëve më shumë se mua
O Zot na drejto në rrugën e paqes, gëzimit, dashurisë, bashkimit sepse për këtë erdhi Jezu Krishti; për të vërtetuar këtë dashuri. Zoti e deshi aq shumë botën dhe për këtë dërgoi tek ne Jezu Krishtin djalin e tij, për të sjellë lajmin e gëzimit. Ai kërkon që ta duam njëri-tjetrin, ashtu siç na do ai ne. Zoti na ka dhënë për një arsye të vetme që t’i duam të tjerët, por edhe ata të na duan ne. Ne nuk jemi vetëm një numër në këtë botë. Ne jemi fëmijët e Zotit.
Herën e fundit kur isha në Kinë më pyetën: “Nënë Tereza “çka është komunisti” për ju?” Unë iu përgjigja: “Komunisti është fëmijë i Zotit, vëllai im, motra ime”. Kështu jemi absolutisht, ju dhe unë: motra dhe vëllezër. E njëjta dorë e dashur e Zotit na ka krijuar ju dhe mua, por edhe njeriun në rrugë, të gërbulurin, të uriturin, dhe të pasurin, njësoj për të njëjtin qëllim: për dashuri të dyanshme. Dhe kështu Unë e ju së bashku kemi ardhur sot për të gjetur mjetet e paqes.
Si vjen paqa? Nëpërmjet punës që e bëjmë me dashuri. Ku fillon? Në shtëpi. Si fillon? Duke u lutur së bashku. Një familje që lutet së bashku jeton së bashku. Dhe në qoftë se jetoni bashkë, do ta doni njëri-tjetrin, ashtu siç e do Zoti secilin prej jush. Lutjet e bëjnë zemrën e pastër dhe zemra e pastër e sheh Zotin te njëri-tjetri dhe në qoftë se e shohim Zotin te njëri-tjetri, atëherë do ta duam njëri-tjetrin. Dhe t’i shmangim ndarjet raciale, fetare ose etnike. Jemi të gjithë njësoj fëmijët e të njëjtës dorë të dashur të Zotit, të krijuar për gjëra më të mëdha. Të përjetojmë kënaqësinë e dashurisë.
Nuk e harroj kurrë, disa kohë më parë, dy të rinj erdhën në shtëpinë tonë e na dhuruan një sasi të madhe parash. Unë i pyeta ku i keni marrë të gjithë ato para? Ata thanë: Dy ditë më parë jemi martuar. Por përpara se u martuam kishim vendosur të mos blejmë rrobe për martesë dhe nuk do të bëjmë dasmë. Ato para do t’ua japim ju për të varfrit”. Unë e di çka do të thotë në familjen Hindu të mos kesh rrobe për martesë dhe të mos bësh dasmë. Përsëri i pyeta pse kështu? Ata thanë se e duan njëri-tjetrin aq shumë dhe për këtë duam ta ndajmë gëzimin e martesës me njerëzit që ju u shërbeni. Si e përjetojmë gëzimin e dashurisë? Duke dhënë deri në momentin kur dhemb.
Kur shkova në Etiopi, disa fëmijë të vegjël erdhën tek unë. Ata kishin dëgjuar se Unë po shkoja atje. Kishin ardhur për të mësuar nga motrat sa fëmijë vuajnë në
Etiopi? Çdo njëri prej tyre më dha diçka pak, por pak para. Disa prej tyre dhanë të gjitha paratë e veta. Një djalë i vogël erdhi tek Unë. Ai tha se nuk kishte kurrgjë, nuk kishte para, kishte vetëm një çokollatë. Merre këtë çokollatë tha djali i vogël për fëmijët e Etiopisë. Për këtë djalë kjo ishte një sakrificë e madhe sepse kjo ishte çokollata e parë që kishte pas në jetën e tij. Ai e dha. E dha për të ndarë urinë e vuajtjen me dikë tjetër në një skaj të largët të Etiopisë. Kjo dhuratë për vogëlushin ishte dhimbje. Por ishte sakrificë e dashurisë. Dashuria e Jezusit për ne është dhimbje, për këtë vdiq në kryq, për të na mësuar dashurinë. Kështu duhet të veprojmë edhe ne, të duam deri kur të na dhembë. Kemi shumë njerëz të mirë; keni parë në fotografi, njerëzit tonë të varfër, ata janë njerëz të mrekullueshëm. Unë jam me ta shumë kohë dhe kurrë nuk i kam dëgjuar duke u ankuar. Kohë më parë, e mora njërin prej tyre në rrugë, të cilin e hanin krimbat. E mora dhe e çova në shtëpinë tonë. Ja çka tha ai njeri? “Unë jetova si kafshë nëpër rrugë, por tani po vdes si ëngjëll, i nderuar dhe i respektuar”. U deshën tri orë për ta pastruar, për të larguar çdo krimb që e hante trupin e tij të gjallë. Nuk dëgjuam asnjë fjalë prej tij. Ndërsa ne po luteshim së bashku për të, ai e shikoi motrën tonë. “Motër unë po shkoj në shtëpinë e Zotit”. Ai vdiq. Dha shpirt me një buzëqeshje të mrekullueshme në fytyrën e tij. Ai shkoi në shtëpi të Zotit. Nuk kam parë kurrë një buzëqeshje të tillë. Ishte shumë i thatë nga trupi sepse e kishin hëngër krimbat për së gjalli, nuk ankohej, nuk mallkonte dhe fjalët e fundit ishin po shkoj në shtëpi të Zotit. Sa bukur shkoi te Zoti. Me zemër të pastër dhe i lumtur. E përjetoi respektin dhe dashurinë e motrave që treguan për të. Unë dhe ju për këtë kemi ardhur këtu sot, për të dhënë hapin e parë të paqes dhe këtë hap duhet ta fillojmë në shtëpi, në familjen tonë. Punët e paqes fillojnë në shtëpi dhe punët e dashurisë janë punët e paqes. Të gjithë e duam paqen, por kemi frikë nga armët bërthamore dhe kemi frikë nga sëmundje të reja. Por nuk kemi frikë të vrasim fëmijët e pafajshëm, ata që ende nuk kanë lindur, që janë krijuar për të njëjtin qëllim, për të dashur Zotin, ju e mua. Kjo është një kontradiktë e madhe, sepse aborti është bërë shkatërruesi kryesor i paqes. Ne kemi frikë armët bërthamore sepse ato na prekin ne, por nuk kemi frikë nga nënat që bëjnë abort.
Jemi mbledhur këtu prej të gjithë anëve të botës për të gjetur rrugët e paqes. Të gjithë flasim për një uri të madhe. Ato që kam parë në Etiopi dhe në vendet e tjera, janë tmere, sepse qindra mijëra njerëz janë në prag të vdekjes për një kafshatë bukë dhe për një gotë ujë. Njerëzit vdesin në duart e mia. Dhe pyesim pse ata e jo ne? Të lutemi për këto vuajtje të mëdha. Shejtërimi nuk duhet të jetë luks për disa. është punë e thjeshtë për secilin prej nesh. Shejtërimi sjell dashuri e dashuria paqe dhe paqa na bashkon. Motrat tona shërbejnë 158 mijë të gërbulur në Lindjen e Mesme, në Afrikë dhe në Indi. Ne i duam dhe i respektojmë ata. Një herë më pyetën çka bën këtu, pasi që ne i kemi të gjitha të mirat. Unë u përgjigja edhe atje njerëzit kanë nevojë për paqen dhe dashurinë tonë. Kështu së bashku të lutemi për të mjerët, për njëri-tjetrin dhe për njerëzimin mbarë. Zoti ju bekoftë!”




